Opozita kallëzon Ramën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Opozita kallëzon Ramën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Krerët e grupeve parlamentarë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë shkuar para pak minutash në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ata kanë dorëzuar një kallëzim për kryeministrin Rama, në lidhje me deklaratën e tij për audiopërgjimin e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj.

“Ne kërkojmë hetim penal ndaj kryeministrit Edi Rama, për fshehje të së vërtetës. Kryeministri manipuloi opinionin publik, duke thënë se disponon përgjigjen e laboratorit ëpr audiopërgjigjen, por deri më sot rezulton se nuk ka një dokument të tillë”, deklaroi Edmond Spaho në dalje nga Prokuroria.

Kallëzimi lidhet me deklaratën e kryeministrit Rama, se kishte analizuar audiopërgjimin në një laborator prestigjoz dhe se kishte rezultuar montazh.

Por e vërteta është se deri më sot Rama nuk ka dorëzuar asnjë dokument që të provojë përgjigjen nga laboratori që mund të ketë analizuar audiopërgjimin që implikon vëllanë e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj.