Tsipras: S’ka ndryshim kufijsh me Shqipërinë

Tsipras: S’ka ndryshim kufijsh me Shqipërinë

I vënë në qendër të kritikave për mungesë transparence në bisedimet me Shqipërinë, kryeministri grek Aleksis Tsipras ia faturoi opozitës keqinterpretimin e deklaratës së komisionerit Johannes Hahn dhe gjithë tymnajën e ngritur për ndryshim kufijsh mes dy vendeve. Nga Brukseli ku mori pjesë në samtin e NATO-s, kreu i qeverisë greke hodhi poshtë çdo pretendim se qeveria e tij po negocion ripërcaktim territoresh me Shqipërinë.

“Detyruan komisionerin Hahn të sqaronte deklaratën pasi fabrikuan një çështje, e cila nuk kishte asnjë bazë që gjoja zoti Hahn ka shtruar çështjen e ndryshimit të kufijve si pjesë e bisedimeve tona me Shqipërinë. Nuk mund të jenë të gjithë gënjeshtarë.”

Tsipras zbuloi se në tryezën e bisedimeve ka ende çështje për të cilat nuk është arritur ende dakordësia.

“Është bërë një punë shumë e madhe nga dy ministrat e Jashtëm për një seri çështjesh që rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve prej dekadash. Jemi shumë afër një zgjidhje për delimitimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike, një zgjidhje që i jep avantazhe të mëdha palës greke. Nuk dua të hyj në detaje, por i hap rrugë delimitimit edhe me vende të tjera. Kemi zhvillime pozitive për ushtarët grekë që janë varrosur në tokën shqiptare dhe pas pak ditësh do të bëjmë një ceremoni në nderim të tyre. Dy çështjet e mbetura, përveç Zonës Ekonomike Ekskluzive, janë çështja e ligjit të luftës dhe kufinjve, çështjet të cilat, megjithëse kemi arritur progres, nuk mund të themi se kanë përfunduar.”

Kryeministri grek sqaroi se bashkë me kryeministrin Rama kishin rënë dakord që ministrat e Jashtëm të punonin pa presion për finalizimin e marrëveshjes në javët në vijim.