Nik Xhelilaj kthehet në Kosovë me një film politik

Nik Xhelilaj kthehet në Kosovë me një film politik

Filmi “Zer” i regjisorit turk Kazëm Öz e risolli në Prishtinë aktorin e famshëm shqiptar Nik Xhelilaj, që po ndërton një karrierë premtuese jashtë vendeve shqipfolëse. “Zer” u dha premierë të mërkurën në “PriFilmFest” e protagonisti i këtij filmi është i familjarizuar me festivalin që para disa edicionesh e kishte nderuar me çmimin “Bekim Fehmiu”.

Publiku prishtinas mirëpriti filmin, që flet për masakrën e Dersimit dhe këngën “Zer”, që lidhet me fatin e protagonistëve të filmit, Janit (Nik Xhelilaj) dhe Zarifes (Güler Ökten).

“Zer” është kënga që i pëshpëritet Janit në vesh në kohën kur gjyshja e tij është në shtratin e vdekjes dhe kjo këngë lidhet me identitetin dhe të kaluarën e saj. Gjatë një udhëtimi në New York, që ka për qëllim shërimin e gjyshes Zafire, Jani edhe ajo afrohen shumë më tepër se më parë me njëri-tjetrin. Pas vdekjes së saj, i fiksuar pas këngës “Zer”, ai nis kërkimin për versionin e plotë të kësaj kënge, përfundon në Dersim, në mes të gërmadhave të masakrës, ku e kupton edhe sekretin e gjyshes së vet.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten në Prishtinë regjisori Kazëm Öz tregoi se ndonëse ky është një film i financuar nga Ministria e Kulturës në Turqi, prapëseprapë projekti i tij hasi në censurë për shkak të disa aludimeve politike, që jepen në film dhe atij iu kërkua të hiqeshin disa skena.

“Filmin e dërgova në komision me skenat e hequra, por me minutazhë të njëjtë, duke lënë thjesht errësirë në ato skena dhe u thashë se ky është vendimi im si artist, por në premierë arrita ta editoj dhe në ato skena t’i shkruaja titrat: ‘Këto skena ti publik i dashur nuk i shikon dot, pasi që Ministria e Kulturës i ka censuruar’. Kjo shkaktoi reagime dhe shumë kinema e tërhoqën filmin”, tregoi regjisori. Megjithatë, ky fakt shtoi kureshtjen e publikut për ta parë filmin e plotë, kështu që interesimi për të shkuar nëpër kinema, ku filmi jepej i pacensorizuar, ishte i madh.

Edhe aktori Nik Xheliaj në një formë ose në tjetrën u prek nga censurimi dhe rrugëtimi që ky film pati. Ai para gazetarëve tha se bashkëndjeu me historinë e masakrës prej nga e ka frymëzimin ky film, për të cilën s’kishte asnjë informacion më parë dhe u mishërua me rolin e tij e me lokacionin e xhirimeve, që i përngjanin me fshatrat shqiptare.

“Nuk është e lehtë që të marrësh pjesë në një film ku gjuha që flitet nuk është gjuhë e nenës tënde. Mirëpo unë u lidha me skenarin që në lexim të parë. Madje mendoj që në film ka ndikuar shumë edhe fakti që unë nuk kam ndonjë lidhshmëri me ngjarjet që kanë ndodhur, çfarë ka shërbyer në të mirë të filmit. Pastaj, ajo që më ka intriguar që në fillim kanë qenë edhe lokacionet ku do të xhirohej filmi”, tregoi Xhelilaj.

Përndryshe, aktori u shpreh i kënaqur që filmi ku ai luan u dha premierë edhe para publikut të Kosovës, i cili i ka qëndruar pranë përgjatë karrierës së tij dhe e ka përcjellë me vëmendje.

“Në Prishtinë vij gjithmonë me shumë dëshirë, sidomos kur vij edhe me një film i cili është edhe në garë të festivalit. Për mua po nuk pati Nik nuk ka as ‘PriFilm Fest’, pasi që qëkur isha këtu, që në edicionin e tretë të festivalit, për mua ai mbetet momenti më i rëndësishëm. Ishte hera e parë që vija dhe mora kritika shumë pozitive, pastaj edhe çmimin ‘Bekim Fehmiu’”, kujtoi Xhelilaj.

Festivali “PriFilmFest” do të vijojë me edicionin e 10-të deri të dielën (më 22 korrik), kur edhe mbyllet ky edicion i 10-të me ndarjen e çmimeve. Rikujtomë se aktorja me famë botërore, aktivistja dhe humanistja Vanessa Redgrave, është mysafire e “PriFest”-it dhe do të marrë çmimin e nderit të “PriFest”-it, “Hyjneshën e artë”, për kontributin e dhënë kinematografisë botërore dhe posaçërisht për mbështetjen e dhënë për komunitetin artistik të Kosovës dhe “PriFest”-it ndër vite.