Një dritare më afër Rugovës

Një dritare më afër Rugovës

Turizmi malor tek ne çdo herë e më shumë është duke gjetur të interesuar, të cilët së paku për një ditë dëshirojnë të largohen nga zhurma e qytetit. Ecje të organizuara në grupe të mëdha apo me shoqëri të afërt, janë bërë hobi i zakonshëm i fundjavave.

Kjo është edhe një nga arsyet që viteve të fundit në Pejë, ku ndodhen Bjeshkët e Rugovës, janë ndërtuar një numër objektesh hotelierike, të cilat po kontribuojnë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në këtë rajon.  

Por, si do ju dukej ideja e një ecje malore gjatë ditës, e pastaj një mbrëmje relaksi në Pejën e Lumbardhit, në një hotel të klasit të lartë?

Kjo është ajo që po synon Seraphine Plaza, hoteli më i ri që po ndërtohet rrëzë Bjeshkëve të Nemura.

“Këtu gjithçka lidhet me Rugovën, që e kemi mushkëri të qytetit”, thotë Afrim Gutiçi një qytetar nga Peja, teksa nis bisedën për hotelin e ri.

Për shkak të vendndodhjes, ky hotel qëndron pikërisht në mesin e dëshirës për të shijuar për disa orë bukuritë natyrore dhe pastaj atraksionet që mund t’i vizitoni në qytetin e Pejës, siç janë Muzeu Entologjik, çarshia e vjetër, mulliri i Haxhi Zekës, e të tjera.

“Po punohet gjithnjë duke e ruajtuar parimin e një bashkëdyzimi të kujdesshëm në mes të modernes, që është hoteli i cili po ndërtohet, dhe tradicionales për çka vet Peja karakterizohet”, - thotë Uran Avdimetaj, arkitekt dhe mbikëqyrës i punimeve në këtë hotel, që tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare.

Hoteli i ri, që do të presë mysafirët e parë në fillim të kësaj vjeshte, do të ketë gjithsej 18 dhoma, dy prej të cilave suita të veçanta. Përveç kësaj, kati më i lartë i këtij objekti është rezervuar për një ‘lounge bar’ ndërsa do ta ketë të hapur edhe restorantin ditor.  

Interieri dhe organizimi i hapësirës përrreth janë dy veçori të tjera që do ta dallojnë këtë hotel nga të tjerët, thotë arktitekti Avdimetaj. Në fakt, hoteli është vetëm një dritare larg Rugovës.

Qysh në fillim të punës, hoteli pritet që të punësojë rreth 60 persona.

Artan Gashi, ish-drejtor për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Pejës, thotë se hoteleria ka rol të madh në zhvillimin e turizimit të dhe të ekonomisë në përgjithësi.

“Turizmi si veprimtari ekonomike është konsumues i prodhimeve, bukurive, peisazheve dhe krejt kapaciteteve që ofron ky vend. Në këtë pjesë edhe hotelieria ka rol të madh,” thotë Gashi.

Megjithëse ende nuk ka nisur punën, ky projekt duket se ky krijuar pritshmëri.

“Po më vije mirë që po na shtohet edhe një hotel, që po besoj të jetë projekt shumë serioz, meqë për turizmin pjesa e hotelierisë dhe pushimit është letërnjoftim i një qyteti”, thotë Gutiçi.