Shkëmbimi i territoreve do të ishte një katastrofë për Kosovën

Shkëmbimi i territoreve do të ishte një katastrofë për Kosovën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Greg Delawie është keqkuptuar nga opinioni ose nga mediat me deklaratën e tij, ku thuhej se nuk ka dashur të flasë nëse ndonjë ndryshim i territorit apo ndarje e Kosovës sërish do të diskutohet në dialogun Kosovë-Serbi, si zgjidhje përfundimtare e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes të dyja palëve.

Kështu ka vlerësuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë në një prononcim për Telegrafin, politologu Ramush Tahiri.

Tahiri thotë se qëllimi i deklaratës së tij është që zgjidhja të jetë me dialog dhe marrëveshje nga të dy palët, Kosovë-Serbi.

“Mendoj që ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie është keqkuptuar nga opinioni ose nga mediat sepse poenta e deklaratës së tij është që zgjidhja të jetë me dialog dhe marrëveshje, që marrëveshja të jetë e vullnetshme dhe të pranohet nga të dy anët, por e pranueshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare. E në këtë bazë, nëse opsion do të ishte edhe ndarja që ambasadori nuk hyn ose nuk e përcakton do të ishte përgjegjësi e jonë”, ka thënë Tahiri.

Ai po ashtu tha se ndarja ose shkëmbimi i territoreve do të ishte një katastrofë për popullin e Kosovës, rajonin si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Mendoj se ndarja e territorit të Kosovës ose shkëmbimi i territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të ishte një katastrofë edhe për rajonin, popullatën por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. E para do të pranohej se ne kemi dështuar të jetojmë bashkë. Opsioni i civilizimit evropian dhe njerëzor është se mund dhe duhet të jetojmë bashkë pa marrë parasysh dallimet që i kemi racore, fetare, kombëtare, krahinore etj, do të ishte një katastrofë për zhvillimet e ardhshme politike”, u shpreh Tahiri.

“Nëse presidenti i vendit, kushdo që është, merr nismën për të ndarë territorin në baza etnike, atëherë me teorinë politike – juridike duhet të përzihet edhe Shqipëria, sepse ndahet territori në mes dy kombeve – serbë dhe shqiptarë. Dhe në këtë fazë një bajraktar i një krahine si Hashim Thaçi nuk e ka të drejtën të shkëmbej territore dhe nuk pranohet pasi nuk ka legjitimitet. Edhe Vuçiq, si president i Serbisë nuk e ka mandatin të jep asnjë metër territor nga Serbia”, vlerësoi ndër të tjera politologu,Ramush Tahiri.