VIDEO-Thaçi dekoron Erën, ajo ia sjell një top nga Botërori

VIDEO-Thaçi dekoron Erën, ajo ia sjell një top nga Botërori

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar me medalje presidenciale këngëtaren Era Istrefi, si mirënjohje për kontributin e saj për promovimin e Kosovës nëpër botë.

Edhe Istrefi i solli një dhuratë presidentit Thaçi. Ishte një top futbolli me autografet e futbollistit Ronaldinjo dhe këngëtarëve Will Smith dhe të saj.  

Presidenti Thaçi e çmoi kontributin e Erës, për të cilën tha se me punën dhe sukseset e saj ka arritur të krijojë një imazh pozitiv për Kosovën.

“Edhe pse s’i kishim ekipet futbollistike, prezenca juaj ishte simbolikë, ishte mesazh, ishte Kosova, ishte zëri i Kosovës, prandaj, për afirmimin e vendit, shtetit tonë të ri, për imazhin shumë pozitiv që e keni krijuar me punë e përkushtimin, zellin dhe suksesin e jashtëzakonshëm global, unë kam vendosur që të ndaj dekorimin për ju, për kontributin për vendin, si president i vendit”, ka thënë Thaçi.

Era Istrefi është shprehur e lumtur që po nderohet me një mirënjohje të tillë pikërisht nga vendi i saj dhe ka thënë se ndihet edhe më shumë e motivuar.

Istrefi: Kjo medalje është motivim për mua

“Unë jam shumë e lumtur që e kam aftësinë me e bo botën  me kcy edhe të lumtur me muzikën teme. Po gjithashtu, edhe kjo medalje mua më motivon edhe më shumë për me promovu Kosovën sa më shumë që mundem në të ardhmen edhe me pas dhe me meritu suksese të tilla”, ka thënë Era.

Kurse presidenti Thaçi, i pyetur se a e përfaqësojnë më mirë Kosovën politikanët apo artistët, ka thënë se artistët po i japin imazh më të mire vendit dhe se ndihet krenar me ta. .

“Era, Dua, Ora janë  më të njohura dhe më të mëdha se gjithë ne, janë njerëz me ndikime dhe zëri i tyre është, dhe global për Kosovën. Urimet më të mira, ne gjithë kudo që kemi qenë, kemi qenë krenarë me të arriturat e Erës”, ka thënë Thaçi.