Komuna e Prishtinës s’mund t’i ndalë taksitë ilegalë

Komuna e Prishtinës s’mund t’i ndalë taksitë ilegalë

Komuna e Prishtinës vazhdon të ketë telashe të mëdha me taksitë ilegal që operojnë nëpër rrugën e kryeqytetit, ndonëse vetëm vitin e kaluar ka iniciuar 1 mijë lëndë në gjykatë.

Taksistët me leje që operojnë në Prishtinë fajtor për këtë gjendje kaotike e lënë komunën.

Januz Rusinovci i cili punon si taksist qe afër 30 vite, thotë se Komuna e Prishtinës nuk po e menaxhon si duhet çështjen e taksistëve në kryeqytet.

Rusinovci i cili familjen e tij e mbanë nga të ardhura e punës si taksist, krahas pengesave të shumta që ka nga taksistët ilegal, telashe tjetër ka edhe vazhdimin e lejeve të punës çdo 6 muaj.

Rusinovci: Na pengojnë kapak taksitë ilegale.

“Na pengojnë kapak po më së shumti i pengojnë autobusët që vijnë punojnë në vija edhe na pengon komuna që nuk menaxhon mirë me neve taksistët, ka lëshua leje edhe pa vendbanime për shembull ju ka dhënë leje njerëzve të Fushë Kosovës, Obiliqit, Ferizajt, Vuçitërnës edhe masnej e ka ngarkue qytetin me taksistë me kompaninë që i ka 10 leje e i ka 30 kerre e ata kerkush nuk i kontrollon, komuna na nxjerrë problem me vazhdimin e  lejes çdo 6 muaj, ata vetë i kanë investua në autobusë ama nuk i kontrollojnë tjerët si 50 centët e Fushë-Kosovës e Bregut të Diellit”, u shpreh Rusinovci.

Ky taksist shqetësim tjetër  ka edhe mungesën e parkingut  për taksitë që kanë licencë.

Për dallim nga Rusinovci, Emin Bobaj punon si taksi ilegal. Ai duke mos dashur të flas para kamerës për KosovaPress, ka thënë se këtë punë e bënë qe dy vjet,  pasi që nuk ka zgjidhje tjetër për të mbajtur familjen e tij.

Ai thotë se në vitin 2016, ka bërë kërkesë në Komunën e Prishtinë për të marrë lejen e punës,  por që kjo e fundit nuk ia ka dhënë licencën.

“2016 kam bërë kërkesë për me ma dhënë lejen e punës për taksi nuk ma kanë dhënë ,jam detyruar me dal me punu në të zezën për me mbajt familjen. Qe dy vite punoj prej 2016, punoj Fushë-Kosovë-Prishtinë. Taksistët nuk bëjnë problem ,problem na bëjnë inspeksioni dy herë ma kanë marrë kerrin, kam paguar nga 60 euro. Një punë me ma gjetë komuna unë e ndërpres menjëherë, nuk dal ma”, ka thënë Bobaj.

Taksitë ilegal nuk po u shkaktojnë telashe vetëm taksistëve me licencë e linjave të autobusëve. Edhe inspeksioni i komunës së Prishtinës po ballafaqohet me personat të shumtë që punojnë si taksi ilegal e që vijnë kryesisht nga qytetet tjera të Kosovës.

Alban Ymeri, udhëheqës i sektorit të rendit komunal në drejtorin e Inspeksionit pranë Komunës së Prishtinës, u shpreh se nuk dihet numri i taksive ilegal që operojnë në kryeqytet, por që vetëm vitin e kaluar i kanë iniciuar rreth 1 mijë lëndë drejtë gjykatës.

Me qëllim të ndalimit të qarkullimit të këtyre taksive që nuk janë të pajisur me licencë pune, Ymeri tha se duhet një bashkërendim i aksioneve me Policinë e Kosovës dhe inspeksionet tjera komunale për të penguar punën e këtyre taksive.

Ymeri: Duhet bashkërendim i aksioneve për të ndalur punën e taksive ilegal.

“Jemi vazhdimisht në terren dhe aq sa po mundemi për shkak se edhe numri i inspektorëve është i vogël dhe si taksist ilegal për shkak të numrit të madh të tyre nevojitet një bashkërendim i përgjithshëm edhe i procedurës ligjore një reformim i tillë por edhe i hapave si nga policia, inspeksionet nga komunat për rreth për shkak se ne shumicën e taksistëve ilegalë i kemi nga komunat shembull Fushë-Kosova, Mitrovica, Vushtrria, Podujeva …Nevojitet një bashkërendim i aksioneve të përbashkëta në mënyrë që të ulet ky numër i tyre, po ashtu kemi pengesa edhe nga gjykata për shkak se është numër i madh i këtyre lëndëve hedhen poshtë edhe përkundër inicimit të lëndës që bëhet nga inspeksioni”, u shpreh Ymeri.

E lidhur me problemin e parkingjeve për taksitë e licencuar, Ymeri thotë se janë duke u munduar të bëjnë zgjedhje.

Ymeri: Brenda hapësirave të lejueshme të caktohet numri i vend qëndrimeve të taksive.

“Me miratimin e rregullores së re parashihen edhe kritere teknike të pajisjes me leje për taksi , në kuadër të kësaj parashihet edhe hapësirat se ku do të bëhet vendosja e këtyre taksive me leje pune të cilat licencohen dhe sigurisht që do të shikohen mundësitë që brenda hapësirave të lejueshme të caktohet një numër i konsiderueshëm I vend qëndrimeve të këtyre taksive”, tha Ymeri.

Ndryshe, në komunën e Prishtinë me leje pune janë të regjistruara 700 persona të cilët operojnë si taksistë./KP