Rikallo: S’do të ketë subvencionim për kg të mjedrës sivjet

Rikallo: S’do të ketë subvencionim për kg të mjedrës sivjet

Kultivuesit e Mjedrës nuk do të subvencionohen me kilogram këtë vit, ka thënë për Radio Kosovën ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo.

Kultivuesit e mjedrës të pakënaqur me uljen e çmimit sivjet, kërkojnë subvencionim me kilogram. Kultivuesi Bejtush Gashi, për Radio Kosovën ka deklaruar se subvencionimi me kilogram do të ishte më i mirë.

“Ne kemi biseduar edhe me shoqatën, kemi biseduar edhe me Usaid’in, kemi bërë apel edhe Ministrisë së Bujqësisë që të paktën të subvencionojnë sikur në vendet e tjera, që janë të subvencionuar për kg, jo për hektar”, thotë Gashi.

Subvencionim me kilogram, së fundi ka kërkuar edhe deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku, përmes një letre publike dedikuar ministrit Rikallo.

“Nuk kemi luksin të humbim investimet disa vjeçare të Komunës së Podujevës, USAID-it si dhe të qindra familjeve, për shkak të neglizhencës suaj ndaj këtij problem”, i është drejtuar Maloku, ministrit Rikalo.

Por ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo në një prononcim për Radio Kosovën, ka thënë se mënyra e subvencionimit rregullohet çdo vit nga fillimi. Marrëveshja për këtë vit është subvencionim në vlerë prej 400 euro për hektar.

“Prodhuesit e mjedrës munden në këtë periudhë të na dërgojnë kërkesën dhe ne gjatë përgatitjes për vitin 2019 do ti marrim parasysh kërkesat e tyre në mënyrë që të vërtetojmë se a ekziston vërtetë arsye dhe mundësi buxhetore që mjedrat të subvencionohen me kilogram”, tha Rikallo.

Rikallo, i cili edhe vet merret me kultivimin e mjedrës, pranon se ideja për subvencionim për kilogram, është i mirë.

“Ai është një propozim që dhe mua më tingëllon si një propozim i mirë, në mënyrë që në vitet kur eventualisht çmimi do të ishte i ulët, të dihet saktë se për kg mund të marrin një rendiment të caktuar dhe të investojnë në rendiment e që pastaj të marrin sa më shumë mjete”, tha ai.

E në lidhje me çmimin e rënë të mjedrës sivjet, ai thotë se varet nga prodhuesit e mëdhenj botëror, ku hyjnë Polonia dhe Kili.

“Thjesht, ne si ministri nuk mund të ndikojmë në çmim e as të caktojmë çmimin, nuk është në mandatin tonë. Nuk duhet të de-motivohen kultivuesit nëse sivjet çmimi është 80 cent, duhet të punojnë në atë që të rrisin rendimentin, të kenë kualitet sa më të mirë”, tha Rikallo.

Ndryshe, çmimi në Kosovë i mjedrës është caktuar të jetë 80 cent për kilogram, përderisa në Serbi si kultivues më i madh rajonal, pas protestave, çmimi është ngritur nga 70 cent në 1 euro.

Autor: Muharrem Saragjolli