Kthehet pas nëntë viteve për t’u shpërblyer me “Hyjneshën e artë”

Kthehet pas nëntë viteve për t’u shpërblyer me “Hyjneshën e artë”

Ishte prezentë në ceremoninë e hapjes së edicionit të parë të PriFest në vitin 2009, ndërsa tash u rikthye pas 10 viteve për ta parë nga afër progresin e këtij festivali.

Bëhet fjalë për aktoren britanike, fituese të çmimit Oscar Vanessa Redgrave, e cila është edhe Presidente Bordit të Nderit të PriFest-it.

Mbrëmë në kategorinë “Projeksion Special”, aktorja Redgrave solli filmin e saj të parë të punuar si regjisore, filmin “Sea Sorrow”, që vitin e kaluar kishte premierën botërore në Cannes.  Filmi është shumë personal e dinamik që trajton temën e krizës globale të refugjatëve.

Në një konferencë pas shfaqjes së filmit, aktorja tha se ndihet mirënjohëse dhe shumë e kënaqur.

Redgrave: Jam e lumtur që u ktheva sërish në Kosovë

“Pse jam mirënjohëse është për shkak se jam ftuar përsëri në këtë vend që kisha ardhur shumë kohë më pare, gjatë okupimit dhe kam takuar përsëri miqtë e mi të dashur që kanë vërtetë respektin dhe dashurinë time”, tha ajo.

Aktorja tregoi se i admiron miqtë e saj të festivalit për shkak të vullnetit që po e tregojnë për ta zhvilluar festivalin, përkundër përkrahjes minimale nga institucionet shtetërore.

Ndërsa për aktorët kosovarë dhe ata të rijnë në gjithë botën, Redgrave tha se privatizimi po i dëmton ata dhe arsimin në përgjithësi.

Redgrave: Jam duke punuar një film për Kosovën

"Filmi përqendrohet më shumë në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, të cilit duhet t'i binden të gjitha qeveritë, nuk mund ta thyejnë këtë ligj. Ekzistojnë Konventa, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e Refugjatëve. Ekziston Konventa e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Refugjatëve, ekziston Konventa e vitit 1989 për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe kjo pak a shumë rrjedh gjatë filmit ".

Në shenjë respekti dhe vlerësimi për gjithë përkrahjen e saj ndër vite për komunitetin artistik në Kosovë dhe festivalin, PriFest-i do ta shpërblejë aktoren me çmimin “Hyjnesha e Artë”.