Presidenti Thaçi mohon ndarjen e Kosovës

Presidenti Thaçi mohon ndarjen e Kosovës

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka theksuar edhe njëherë se Bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me shtetin e Kosovës tashmë është vullnet i qytetarëve të këtyre komunave.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Thaçi e mohoi kategorikisht ndarjen apo shkëmbimin e territorit të Kosovës me atë të Serbisë.

Radio Kosova: Z.President, kohëve të fundit po diskutohet rreth propozimit tuaj, përkatësisht propozimit për korrigjimin e kufirit me Serbinë. Madje, disa mendojnë se një gjë e tillë nënkupton edhe ndarje apo shkëmbim të territoreve. A mund të na sqaroni këtë ide?

Hashim Thaçi: Fillimisht dëshiroj të theksoj se bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me shtetin e Kosovës, tashmë është vullnet masiv i qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Është kërkesë e institucionalizuar e lidershipit të Luginës së Preshevës drejtuar mua si president i shtetit të Kosovës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës. Prandaj unë e kamë marrë shumë seriozisht këtë kërkesë të tyre, të prezantuar në zyrën time nga të gjithë liderët e luginës, një kërkesë kjo e legjitimuar përmes deklarimit qytetarë në vitin 1992. Prandaj, unë kam vendosur që këtë kërkesë të liderëve të Luginës dhe vullnetit të popullit të asaj treve të banuar kryesisht me shqiptar, ta prezantoj në të ardhmen në angazhimet tona për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi. Natyrisht që bashkimi i kësaj treve Kosovës, kërkon që në kuadër të korrigjimit të kufijve të dialogohet në Bruksel dhe jam i bindur se nëse do të ketë dakordim të dy shteteve, atëherë as SHBA-ja, as BE-ja e as NATO nuk do të jenë kundër. Ata që diskutojnë për ndarje dhe shkëmbim, realisht janë duke propaganduar idenë e vjetër të Akademisë së Shkencave të Serbisë “Francuska 7” sepse ideja e ndarjes dhe shkëmbimit është e Beogradit dhe kjo mbetet në ndërgjegjen e secilit që e propagandon në Kosovë apo gjetiu.

Ideja ime është vetëm institucionalizimi i kërkesës legjitime të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit për t`iu bashkuar Kosovës. Kjo është ideja ime, ky është qëndrimi im dhe ky është qëndrimi i shtetit të Kosovës në të ardhmen.

Radio Kosova: Z.President, sa keni  mbështetje ndërkombëtare sa i përket idesë suaj, duke pasur parasysh që kohëve të fundit keni zhvilluar takime të larta më faktorin ndërkombëtar?

Hashim Thaçi: Çdo marrëveshje e vullnetshme ndërshtetërore, pajtuese, paqësore është një marrëveshje që nuk do të kundërshtohet nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Radio Kosova:Kohëve të fundit keni pasur takime edhe me udhëheqës të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët në një farë mënyre e kanë shprehur gatishmërinë që ta përkrahin idenë tuaj?

Hashim Thaçi: Realisht ishte kërkesa e tyre që të vijnë në takim, i kam takuar, kam prezantuar idenë e tyre, e kam institucionalizuar kërkesën e njerëzve që ata përfaqësojnë dhe kam deklaruar publikisht në zyrën time se janë në favor dhe punojnë për bashkëngjitje me Kosovën kështu që asgjë të keqe nuk ka. Në takimet tona as që kemi diskutuar për idenë e Beogradit për ndarje apo korrigjim. Korrigjimi dhe ndarja janë ide, e ritheksoj, të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe propaganduesve të tyre kudo, por jo e imja dhe e liderëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Un ndihem tepër mirë që ideja dhe projekti për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën, mbështetet në mënyrë masive nga qytetarët e Kosovës dhe në mënyrë masive nga qytetarët e Luginës së Preshevës dhe asgjë të keqe këtu ka.

Radio Kosova: Z.President, të shtunën ka qenë afati i fundit për përgatitjen e draftstatutit të Asociacionit të Komunave më shumicë serbe. Ky dokument ende nuk i është dërguar BE-së. Ndërkohë, parashihet që në takimin e fundit mes jush dhe presidentit serb do të diskutohet kjo çështje. Cili është komenti i juaj?

Hashim Thaçi: Rreth kësaj çështje është diskutuar vazhdimisht që nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, në atë kohë nga kryeministri Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq. Unë çdo herë kam qenë në pozicionin e qartë që të kemi respektim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, të qeverisjes lokale sipas standardeve evropiane por edhe të opinionit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, Kosova do t`i kryej obligimet e veta kushtetuese ligjore, obligimet e veta të marrëveshjeve ndërkombëtare por gjithmonë diçka që funksionalizon dhe forcon shtetin dhe jo që e dobëson      

Radio Kosova: Cili është mesazhi i juaj për qytetarët e Kosovës të cilët janë të shqetësuar rreth deklaratave që po sillen në media rreth diskutimeve për territorin e Kosovës?

Hashim Thaçi: Kosova është një dhe në asnjë rrethanë e me asnjë çmim nuk do të ketë ndarje. Bile as nuk do të lejohet që të diskutohet kjo çështje. Madje, në asnjë rrethanë nuk do të ketë shkëmbim. Ndërsa, dëshiroj t`i sigurojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të ketë ndarje e as shkëmbim. Mund të ketë dhe duhet të ketë bashkim të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën. Të tjerat, të gjitha janë gjepura dhe lajme të rrejshme.

Autor: Sabit Ballabani