Rukiqi: Ka rrezik që bizneset të përballen me mungesë të likuiditetit

Rukiqi: Ka rrezik që bizneset të përballen me mungesë të likuiditetit

Konkurrenca jo lojale, ekonomia joformale dhe aftësimi i fuqisë punëtore në përgjithësi, janë sfidat kryesore me të cilat përballen bizneset në Kosovë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, atëherë ka rrezik që bizneset të përballen edhe me mungesë të likuiditetit, dhe kjo do ta dëmtonte ekonominë e vendit.

Kështu thotë në një intervistë për Radio-Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. 

RadioKosova: Z.Rukiqi cilat janë prioritetet tuaja pas marrjes së detyrës në udhëheqjen e Odës Ekonomike të Kosovës?

Berat Rukiqi: “Ne kemi pas një angazhim të vazhdueshëm me biznesin. Unë kam qenë edhe në kapacitete të tjera megjithëse kam qenë pjesë e OEK-ut por edhe në përgjegjësi si vrojtues i zhvillimeve ekonomike në vend, sidomos në zhvillim të sektorit privat. Ajo çka është me rëndësi për neve është pjesa që ka të bëjë me eksportin.  Pra një rol fundamental i Odave Ekonomike në shumë vende është depërtimi apo lehtësimi i depërtimit të kompanive  në tregjet e huaja, para së gjithash duke rritur eksportin apo duke gjetur partner të ri, që mund të rezultojnë në investime të përbashkëta, qoftë në rritje të punësimit apo edhe të eksportit. Prioriteti i dytë ka të bëjë me atë që po na paraqitet si sfidë kryesore viteve të fundit që është fuqia punëtore, jo numri si numër që mund ta kenë shumë vende, por pjesa e asaj se sa është fuqia punëtore adekuate për nevojat e tregut të punës, për nevojat e sektorit privat. Pra ka një hendek mes nevojave të sektorit privat për fuqi punëtore dhe asaj se çka ofron sistemi edukativ. Prapë në shumë vende që kanë zhvillim të caktuar, Odat Ekonomike janë ato që mundësojnë që ky hendek të zvogëlohet dhe të ketë sa më shumë fuqi punëtore e cila është e gatshme me iu përgjigj aftësisë konkurruese. Prioritet i tretë është ajo që ne duhet me filluar për me i kap trendet botërore është pjesa e digjitalizimit, automatizimit të futjes së teknologjive të reja, transferi i dijes për shumë procese që mundësojnë të rritet aftësia konkurruese e ndërmarrjeve. Kjo është një pjesë e trendeve të rritjes ekonomike në vendet e tjera përfshirë këtu edhe Kosovën, pra aspekti i digjitalizimit do të jetë një pjesë shumë e rëndësishme”.

RadioKosova: Kur jemi tek fuqia punëtore, përkatësisht rikualifikimi i saj,  çka mendoni se duhet bërë konkretisht në drejtim?

Berat Rukiqi: “Kosova ka eksport më shumë sesa importet në shërbime, që d.m.th kemi një bilanc tregtar pozitiv te shërbimet, ndërsa e njëjta nuk ndodh me pjesën që lidhet me prodhimin. Te shërbimet potenciali është më i madh ka një rini të caktuar sidomos te fusha që lidhet me  teknologjinë informative, por në anën tjetër te pjesa që lidhen me prodhimin i kemi mangësitë bazike. Ne kemi shumë numër të madh të njerëzve që kanë studiuar shkenca sociale që kanë pasur aspirata punësimin në qeveri, në banka apo sektor të tjerë financiar, por ka shumë pak njerëz që kanë aspiruar që të jenë udhëheqës të mirë të prodhimit, apo punëtorë të caktuar në pjesë operative të caktuara të kompanive tona, sidomos aty ku kërkohet dije specifike. Pra te sektori i prodhimit, duhet të bëhet shumë më shumë për shkak se edhe me një rritje të ngadalshme, çdo vend i ka dy sektor kryesorë të ekonomisë dhe janë sektori i shërbimeve dhe i prodhimit”.

RadioKosova: Z.Berat Rukiqi cilat janë sfidat kryesore më të cilat  përballen bizneset në Kosovë, dhe si e vlerësoni gjendjen aktuale të bizneseve në Kosovë?

Berat Rukiqi: “Tri janë sfidat krysore. Është konkurrenca e padrejtë dhe ekonomia joformale, aspekti i infrastrukturës që  para së gjithash lidhet me mungesën e furnizimit të rregullt të energjisë elektrike dhe aftësimi i fuqisë punëtore në përgjithësi. Ajo cka është problematike sidomos për këtë vit, në bazë të statistikave nëse i krahasojmë me vitin e kaluar, kemi rënje të investimeve të huaja direke, nuk po ndodhin investime që mund të krijojnë kapital, nuk është që nuk janë investime edhe ato që po ndodhin në patundëshmëri, por vlera e tyre e shtuar në ekonomi është shumë e vogël. Prandaj ka mungesë të kapitalit të freskët në ekonomi. Duhet të ndodh një projekt apo disa projekte të rëndësishme madhore, që e ndihmojnë me mbajt këtë ritëm të rritjes ekonomike dhe para së gjithash me krijuar burime të rritjes ekonomike që vijnë nga ajo që njihet si sektor të tregëtueshëm, para së gjithash rritja e investime private dhe rritja e eksportit. Pa ndodh kjo, bizneset do të vazhdojnë të ballafaqohen shumë shpejt ndoshta edhe me mungesë të likuiditetit dhe kjo mund të jetë e rrezikshme për tërë ekonominë”.

RadioKosova: Cilat janë politikat apo kriteret për një investitor të huaja në Kosovë dhe  a ka interesim të investimeve të huaja?

Berat Rukiqi: “Problematikë që lidhet me krejt rajonin, është madhësia e tregut, prandaj janë këto idetë qoftë përmes CEFTA-s apo edhe iniciativa tjera që ta kemi një treg më të madh gjeografikisht të shtrirë në rajonin e Ballkanit Perendimor, që nënkupton jo treg të izoluar që nuk i arrin as 2 milion si në rastin tonë, por një treg që  20-22 milion që e ka fuqinë, e ka potencialin për me nxitë investime të një shkalle të caktuar. Kjo mund të kalohet me iniciativat për eliminim të barrierave në nivel regjional e që nuk është proces i lehtë për shkak edhe të shumë problemeve politike. E dyta që është gogja e shtrirë në të gjitha vendet është sundimi i ligjit. Pa kriju siguri juridike për bizneset e huaja nuk ka dikush komoditetin që t’i rrezikojë profitet e veta dhe të shkoj me një vend të caktuar i cili nuk ia ofron siguri. Pra fokusi i OEK-ut në këtë aspekt lidhet me punën dhe angazhimin që duhet me pas në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e informalitetit”.

RadioKosova: Tashmë ka ndodhë edhe rekomandimi pozitiv për liberalizim të vizave nga ana e Komisionit Evropian. Sa do të ndihmojë kjo tek bizneset kosovare, dhe cilat kanë qenë humbjet e kompanive si pasojë e mungesës së lirisë së lëvizjes?

Berat Rukiqi: “Kjo i ka dy anët e medaljes. E para është që shumë biznese nuk kanë arritur me marr kontrata të caktuara si pasojë e pamundësisë që fizikisht me pas kontakte të drejtpërdrejta, apo shërbime nënkontraktuese të cilat janë kontraktu në vendet evropiane, por të cilat nuk kanë mund të realizohen sepse nuk kanë qenë të pajisur me viza ekspertet dhe stafi që do të mund ti përmbushte këto kontrata. Për biznesin është me rëndësi pjesa e vizitave studimore,  pjesa e takimeve tregtare dhe pjesa e pjesëmarrjes në panaire të caktuara. Në dy vitet e fundit në fazën kur është diskutuar shumë për liberalizim, ka pasur shumë ashpërsim të kritereve dhe shumë vonesa në termine për bizneset, e që aspekti kohor për bizneset është një ndër elementet kyçe dhe humbja në kohë i ka pamundësua ata që të depërtojnë në shumë tregje apo iniciativa ekonomike dhe në shumë partneritete të mundshme edhe investive. Kur analizohet nga ana tjetër e medaljes, ka edhe shumë frikë për humbje të fuqisë punëtore. Por liberalizimi i vizave nuk nënkupton edhe hapje e derës për ikje, ne mendojmë se nuk do të vjen deri te kjo. Me liberalizim nuk fitohet leja e punës, por sido që të jetë mund të krijohet një hendek nëse një numër i caktuar mundohet të shikojë mundësinë që përmes lëvizjes të lirë të gjejë punë diku tjerë. Prandaj në këtë aspekt duhet të kemi kujdes në mënyrë që të mos vijmë në situata që krijojnë jo efekte pozitive nga liberalizimi”. 

RadioKosova: Ditë më parë, ka pasur një tërheqje të bankës Botërore për projektin Kosova e Re. Cili është vlerësimi juaj për këtë vendim të BB?

Berat Rukiqi: “ Banka Botërore nuk e ka kryer punën e vet. Një qasje qe nuk ka mundësuar vendimmarrje, një qasje që nga mosangazhimi i duhur i institucioneve tona ka krijuar shumë boshllëqe, ka vonuar shumë procesin, por krejt në fund nuk ka qenë e hijshme d.m.th nga Banka Botërore, edhe pse ende nuk ka diçka zyrtare, por ata  janë shfaqur  me deklarata të tyre publike me skepticizëm që të lenë me kuptuar se ata nuk janë të interesuar të vazhdojnë tutje me qenë pjesë e këtij projekti. A e rrezikon? Normalisht e zbeh, por nuk besoj që e rrezikon projektin, sepse ka alternativa tjera, në kuptim të përfshirjes së akterëve të tjerë financiarë”.

Autor: Majlinda Doda