Individi në konceptin e bashkësisë shoqërore

Individi në konceptin e bashkësisë shoqërore

Me politikat ditore, kur vullneti i popullit e në veçanti vullneti i individit të suksesshëm dhe intelekti krijues, plagoset thellë në shpirtin e tij, atëherë pason jeta e amullt dhe mosinteresimi i njeriut për të ardhmen e tij dhe të shoqërisë - si pasojë e depresionit social e kulturor.

Remz Limani

Pra, shoqëria, e cila nuk merakoset për çështjen e individit krijues dhe nuk shpreh asnjë interesim për të arriturat e tij në shumë fusha shoqërore me interes kombëtar, atëherë pason “ndërtimi” i një shoqërie me vlera të ulëta, ekonomi të rrënuar dhe pa ndonjë identitet kulturor.

Këtu, sipas Aristotelit, “Nuk duhet të përqendrojmë vëmendjen vetëm te kënaqësitë e jetës, por tek të këqijat e panumërta për ta gjetur mënyrën si t`i largohemi atyre”, të paktën brenda kufijve të së mundshmes. Nëse kjo nuk do të ishte rruga e vërtetë e lumturisë dhe sentenca e Volterit “Le bonheur n`est qu`un revê, et la doulueur est rêelle” (Lumturia s`është veçse një ëndërr, dhimbja është reale), në këtë kontekst, për ta kuptuar se në çfarë shkalle është lumturia e mundshme e individit krijues, patjetër duhet ta kuptojmë shkallën e mirëqenies së tij në konceptin e bashkësisë së tij shoqërore.

Prandaj, një shoqëri e ngritur mbi resurset e mirëfillta njerëzore, humanizmit dhe të sukseseve individuale, në kuptimin e shëndoshë të fjalës, ose të të kuptuarit e kreativitetit individual, patjetër se do të vishet me vlerat dhe epitetin e një shoqërie bashkëkohore, të avancuar dhe të pranueshme në skenën e vlerave njerëzore gjithandej botës së qytetëruar.

Resurset njerëzore të shoqërisë: dituria, humanizmi, ngritja profesionale dhe qasja njerëzore e saj ndaj individit krijues dhe më gjerë, konsiderohet rreth i suksesit të plotë. Secili prej nesh, duhet të identifikohet si kreator në një shoqërie humane, me tërë potencialin krijues të të arriturave në rrethin e njohurive nga fushat e caktuara shoqërore të cilat hynë në funksion të shoqërisë, individit, kombëtares, artit dhe të kulturës.

Njohuritë poliedrike të individit, patjetër se janë thesare vlerash  të cilat i ka një shoqëri. Andaj, duhet kuptuar: se individualiteti krijues, është fryma e vërtetë e shoqërisë së dalë nga të arriturat individuale, si vlera të pakontestueshme, mbi të cilat vihen themelet e një shoqërie të qëndrueshme dhe funksionale. Vlerësimi dhe përkrahja institucionale e personalitetit krijues, është investim kapital, i duhur dhe mese imediat për të ardhmen e një shoqërie të ndritur.

Së këndejmi, vlerat individuale, duhet kuptuar si baza themeltare, mbi të cilat ngrihen dhe zhvillohen civilizimet e shumta të shndërruara në potencial vlerash të mirëfillta njerëzore, në bazë të të cilave identifikohen shoqëritë e avancuara. Përkrahja e individit, si ideator dhe kreator kryesor i një shoqërie, është kuptimi mbi vlerat dhe idetë e çmuara individuale në funksion të gjithëmbarshëm shoqëror. Qasja e të kuptuarit drejtë, ndaj individit, arsyes dhe sukseseve të tij, na bëjnë të denjë për rrugëtimet tona të mëtejme drejt horizonteve të reja në të gjitha fushat zhvillimore.

Në kuadër të të kuptuarit e ndërsjellë, individi asnjëherë nuk duhet të mendojë se i di të gjitha dhe se është i pazëvendësueshëm. Njeriu duhet të vazhdoi frymëmarrjen e tij kreative, për të arritur deri tek e nesërmja e vetë. Të hapërosh drejt njohurive të reja në shërbim të shoqërisë dhe të kombit. Andaj, kjo është edhe një arsye pse Sokrati i lashtësisë me modesti, përsëriste: “Unë këtë di që s`di asgjë”. Në këtë drejtim, individi duhet ta gjej rrjedhën e lumit… të jetë përfaqësues i shoqërisë së tij dhe në shërbim të saj. Po ashtu, edhe shoqëria duhet të bazohet në rrjedhat dhe të arriturat e mirëfillta kreative, mbi të cilat formohen vlerat e dëshmuara individuale, nga të cilat ngrihen shoqëritë demokratike, të përshtatshme dhe të gatshme për zhvillimet e mëtejme.

Shteti, pra, duhet të ketë respekt dhe qasje të veçantë ndaj individualitetit krijues, duke e vlerësuar personalitetin e individit krijues dhe vlerat e tij, të cilat rezultojnë suksese të plota në rritjen e produktivitetit shoqëror, si rrjedhojë e një mendjefemër, të njeriut të ndritur dhe të suksesshëm, mbi bazat e të cilave del në pah shoqëria prej nga vjen individi. Pra, në saje të sukseseve individuale,  edhe bota rreth nesh fillon të fokusohet në të arritura, në bazë të kreativitetit individual, të njeriut si ideator dhe zbatues i progresit shoqëror të përkrahur dhe të dalë nga institucionet relevante ku idetë individuale marrin formën e të arriturave shoqërore, që flasin me gjuhën e krijimtarisë dhe të të arriturave universale, të cilat njëkohësisht vënë në pah kulturën dhe vulën e një kombi në skenën ndërkombëtare në shumë fusha të artit, të kulturës dhe të shkencës.

Populli i cili ia ka dalë t`i vë në skenë figurat e veta dhe vlerat e tyre të respektueshme nga individualiteti krijues e shkencor, atëherë, pa dyshim, shoqëria ia ka dalë të flas me gjuhën kreative universale, të cilën do ta kuptojnë të gjithë, ngase, të gjithë do ta hulumtojnë prejardhjen e vlerave universale, të cilat pranohen si të arritura në funksion të njerëzimit mbarë botës të cilës i takojmë edhe ne.

Individualiteti krijues është letërnjoftim i individit dhe i shoqërisë, për çka  dëshmojnë gjurmët nga e shkuara në të ardhmen, si forma objektive dhe kusht themelor i lëvizjes së dukurive, ngjarjeve dhe proceseve të evoluimit të shoqërisë, me të cilat vishet e sotmja me të djeshmen e njerëzimit nëpër kohë dhe hapësira, ku individi dhe mendësia e tij krijuese na bëjnë të na njohin të tjerët si një etnos me një lashtësi identiteti kulturor.     

Veprimtaria politike e një shoqërie në tranzicion, natyrshëm duhet të lidhet me interesat dhe kërkesat legjitime të elektoratit. Bërja e politikave kombëtare duhet të funksionoj në interes të të gjithëve, e përshtatshme dhe konkrete në të gjitha fushat e jetës shoqërore, në përputhje me politikat e qëndrueshme dhe transparente sa më afër dritës së skenës për t’u parë qartazi edhe nga të tjerët.         Politika e drejtë, e cila e trajton thelbin e momentit politik në favor të shoqërisë, është vet kërkesa e popullit meritor dhe të denjë për t`u nderuar dhe për t`u shpërblyer për sakrificat e shumta në luftën kundër të keqes… Andaj, çdo situatë akute kërkon zgjidhje të menjëhershme, duke i futur në funksion të gjithë ingranazhet për të përçuar lëvizjen e mekanizmave, duke vënë në sistem të gjitha mjetet e mundshme që mbërthehen në një bosht për ta futur në lëvizje ritmikën harmonike e të rregullt drejt zhvillimit ekonomik e kulturor – si garanci për një mëvetësi të një shteti të qëndrueshëm i cili do të ketë abdomen të shëndoshë…Në këtë kontekst, duhet gjetur rrugën drejt portës së hapur, e cila na shpie drejt një shoqërie të re demokratike, e cila, me produktin e mendjes kreative do t`i bëj kthesat e duhura drejt një sistemi të pranueshëm shoqëror.

Për të kuptuar peshën e vlerave individuale, përgjegjësinë dhe rëndësinë e peshës shoqërore e cila me vete ngërthen të ardhmen e gjithë njerëzimit, patjetër duhet t`i peshojmë gjërat ashtu siç duhet, që gjatë rrugëtimit tonë, nëpër kohë dhe hapësirë, të mos ngarkohemi me peshën e barrës së individit jo kreativ, i cili, pa të drejtë merr rolin e lidershipit, që në fakt, jo kreativiteti dhe papërgjegjësia e tij bëhen shkaktarët kryesorë për barrën e një jete të rendë me një të ardhme latente dhe plot mugëtirë në horizont...

Individualiteti krijues si model i një shoqërie të emancipuar, patjetër duhet të jetë masë përcaktuese për ta kuptuar shoqërinë prej nga vjen individi dhe roli i tij në zhvillimin e një shoqërie bashkëkohore. Në këtë kontekst, suksesi i individit, në konceptin e bashkësisë shoqërore dhe më gjerë, duhet të matet me produktet e mendjes dhe të koncepteve ideore, si vlera të pakontestueshme intelektuale dhe procese zhvillimore drejt avancimit të krijimtarisë njerëzore, për identifikimin e individit dhe shoqërisë drejt ndërtimit të një shoqërie të qëndrueshme dhe konkurrente në tregun e vlerave dhe të të arriturave njerëzore.

Në shoqëritë e avancuara, gjërat e imëta peshojnë më së shumti, duke pasur kujdes që në fillim: se njeriu mund të fillojë me interes të imtë, të vjel nga shoqëria, e që në fakt, ato mund të jenë fatale për individin dhe për shoqërinë, sepse, interesat personale, sado të imëta, nëse nuk evitohen me kohë dhe nuk sanksionohen nga shoqëria, ato sa vijnë e shtohen në lakmi të pangopshme deri në përmasat e paimagjinueshme si në opinionin e Gëtes. Ai gjithmonë i shqetësuar për lumturinë e të tjerëve, thotë me gojën e një personazhi në veprën e vet: “Kush dëshiron dhe ruhet nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon; kush lakmon diçka më shumë se ajo çka zotëron, i janë errur sytë”. Një frazë e tillë ma kujton edhe një shprehje të bukur franceze: “Le mieux est l`ennemi du bien” ( më e mira është armike e së mirës). Pra, sistemi shtetëror dhe ekzekutivi duhet të jetë funksional dhe kujdestar permanent në proceset e zhvillimit të individit, i cili, në mungesë të kontrollit shoqëror, mund të devijojë dhe të shndërrohet në rrënues të rendit dhe të sistemit shoqëror, si pasojë e mosfunksionimit të aparatit shtetëror. Në këtë kuptim, evoluimi i individit nëpër kohë dhe hapësirë, duhet të zhvillohet si proces i natyrshëm brenda sistemit të vlerave njerëzore, deri në mëkëmbjen e tij prej një profesionisti të sistemuar në rrjedhat e duhura shoqërore. Në këtë mënyrë, zhvillimi i mirëfilltë dhe edukativ i individit, patjetër formësohet dhe realizohet pozitivisht në kuptimin e gjithmbarshëm shoqëror dhe, duke e veshur petkun e individit të suksesshëm ai do të bëhet sinonim i një modeli të mirë dhe promotor i zhvillimeve progresive drejt një shoqërie të shëndoshë, si produkt i individit të shndërruar në emër kuptimi, personalitet të çmuar dhe të dashur për rrethin e tij.

Andaj, duhet kuptuar se personalitetin individual të pranueshëm dhe respektin shoqërorë, nuk mund ta fitojmë me pasuritë e pajustifikuara, me kështjellat e ngrehinat e tjera të ngritura brenda natës. Kjo qasje e gabuar e të kuptuarit  individual njëkohësisht është edhe pasqyrim i një shoqërie e cila, duarkryq rri e mbështetur mbi kraharorin e individëve të vetadhuruar, të cilët, pa dyshim, janë barra dhe pesha shtypëse për të ardhmen e vet, shoqërisë e cila symbyllyrazi ecë buzë greminës. Pra, ndenja e superioritetit të rremë, na bën të verbër para fakteve dhe të vërtetës, ngase, nga verbëria e lakmisë nuk shohim asgjë para nesh. Në këtë pikëpamje, shoqëria duhet të funksionojë sikur Filarmonia e qytetit, ku çdo muziktarë e mban përgjegjësinë për ekzekutimin e pjesës së vet sipas asaj që është e shënuar në partiturën e vendosur para tij.