Katër vjet sanksione të Rusisë kundër BE-së

Katër vjet sanksione të Rusisë kundër BE-së

Kremlini shpresoi që sanksionet ruse kundër mallrave të BE do të bënin që BE t`i heqë sanksionet kundër Rusisë. Por sipas ekspertëve, këto sanksione mund të mbeten për një kohë të gjatë në fuqi.

Në gusht 2014 Presidenti Vladimir Putin vendosi një ndalim importi për produkte agrare dhe për ushqime nga BE  - si reagim ndaj masave kufizuese të BE, në kuadër të konfliktit të Ukrainës. Për shkak të aneksimit të Krimesë dhe të veprimeve të Moskës që destabilizojnë Ukrainën, BE pati vendosur në mars 2014 sanksione kundër Rusisë. Në vitin 2015 Putini urdhëroi asgjësimin e ushqimeve nga BE, që sillen në mënyrë ilegale në Rusi.

1. Shpenzime më të larta për konsumatorët rusë

Ndalimi i importit, i vendosur nga Rusia, i kushton Produktit të Brendshëm Bruto të Rusisë 0,2 shifra përqindjeje, bëri të ditur Analytical Credit Rating Agency (ACRA) e Moskës. Në vështrim të parë kjo duket shifër e vogël. Por ndalimi i importit bëri që të ngrihet çmimi i një sërë mallrash.

Aleksej Portanskij i Shkollës së Lartë Ekonomike në Moskë i tha DW se pas ndalimit të importit, vërtet që firmat ruse e shtuan prodhimin e tyre, por kjo nuk solli ulje çmimesh. "Prodhuesit shfrytëzojnë faktin që nuk ka konkurencë normale." Akademia Ruse e Ekonomisë Popullore dhe e Shërbimit Civil pranë Presidentit të Federatës Ruse vlerëson që çdo rus duhet të shpenzojë që prej vendosjes së kundërsanksioneve nga Rusia mesatarisht 4400 rubla në vit (rreth 320 euro).

2. Kundërsanksionet nxisin substicionin e importit

Si pasojë e kundërsanksioneve "importi i mishit të derrit ra me një të tretën, ai i shpendëve me 60 përqind", thotë Portanskij. Kjo bëri që dy-tri vitet e para të rriten aksionet në bursë të prodhuesve rusë të ushqimeve.

3. Cilësi më e keqe e ushqimeve

Boshllëqet që u liruan në treg i zunë kryesisht prodhues rusë. Edhe disa eksporte nga shtete të BE, Amerika Latine, Azia dhe Afrika janë shtuar. Por për shkak të rritjes së madhe të prodhimit, vuajti sipas ekspertëve cilësia, veçanërisht e djathit dhe qumështit. Ekspertët thonë se tregu rus është përmbytur me mallra me cilësi të dobët.

4. Asgjësim i ushqimeve

Ushqime të ndaluara nga sanksionet megjithatë hyjnë në Rusi. Pët tre vjet autoritetet asgjësuan gjithsej 26000 tonë ushqime të tilla me buldozerë, midis tyre para së gjithash mollë polake dhe domate turke. Sasia e ushqimeve që hyn ilegalisht në Rusi është shtuar çdo vit, në vitin 2017 u asgjësuan 8000 tonë ushqime të tilla.

5. Probleme brenda Bashkimit Euroaziatik

Shumicën e herëve, produktet që u janë nënshtruar sanksioneve mbërrijnë përmes Bjellorusisë dhe Kazakistanit në Rusi. Në internet gjen shumë shaka p.sh. për "midhje dhe fruta tropikale nga Bjellorusia". Këto shtete nuk qenë dakord me kundërsanksionet ruse. Rezultati është kalimi tranzit ilegal i mallrave.

6. Jo heqje e shpejtë e sanksioneve

Portanskij mendon se kundërsanksionet janë negative për Rusinë. "Te ne mbizotërojnë konsideratat politike, dëshira për shpagim". Prandaj efekti ekonomik nuk është shumë i madh. Me kundërmasat u synua që prodhuesit në BE t'u bënin presion qeverive të tyre që t'i hiqnin shpejt sanksionet kundër Rusisë. "Por kjo nuk ndodhi. Prandaj kundërsanksionet në përgjithësi nuk kanë sjellë asgjë", thotë eksperti./DW