Zgjedhja e drejtorëve të spitaleve regjionale në përfundim

Zgjedhja e drejtorëve të spitaleve regjionale në përfundim

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka bërë zgjedhjen e drejtoreve të rinjë të klinikave, ndërsa është në përfundim të zgjedhjes së drejtorëve të spitaleve regjionale. Në institucionet publike shëndetësore, do të punohet me përkushtim me qëllim që mantelbardhëve tu kthehet dinjiteti. Kështu tha në një intervistë për Radio Kosovën, Basri Sejdiu, drejtor i SHSKUK.

Radio Kosova: Zotri Sejdiu, ka disa muaj që e keni marrë zyrtarisht pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Si vlerësoni punën e deritashme ne krye të këtij institucioni , përkatësisht a e vlerësoni si të suksesshme këtë fazë të punës tuaj?

Basri Sejdiu: “Dihet se ka qenë gjendja shumë e rëndë. Ajo ka qene një prej arsyeve që neve na ka shty të mendojmë dhe të shtjellojmë të gjitha prioritetet. Çdo kund, gjithmonë fillohet me prioritete. Po mendoj që është një përparësi e madhe,  në të gjitha drejtimet, qoftë në planifikimin e resurseve humane, infrastrukturës apo edhe të pajisjeve mjekësore. Edhe në aspektin organizativ kemi filluar që strukturën organizative të fillojmë të përpunojmë dhe e kemi vendosur në bord”.

Radio Kosova: Kur jemi te struktura organizative,  përkatësisht  çështja e emërimit të drejtoreve të klinikave dhe drejtoreve të spitaleve regjionale, a keni bërë ndërrime në këtë aspekt apo jeni duke punuar ende në këtë drejtim?

Basri Sejdiu:’’ Po, në fakt, kanë qenë shumë, gati të gjithë me pozitën e ushtruesit të detyrës, dhe jemi në përfundim të zgjidhjes, po thuaj se gati në të gjitha klinikat janë zgjedhur drejtorët. Ka disa klinika që kanë mbetur, tash që iu skadon afati dhe aty këtu ndonjë klinikë që ka qenë kontestuese për shkak të ankesave që kanë bërë. Sa i përket spitaleve, është zgjedhur drejtori i Spitalit të Pejës, Gjilanit, Ferizajt dhe disa njësi të shërbimit mendor’’. 

Radio Kosova: A ka drejtorë që kanë qenë edhe e më herët në këto pozita apo jeni përcaktuar që të gjithë të jenë  emra të rinj?

Basri Sejdiu: ’’Po, ka qenë konkurs në të cilin ka punuar një komision. Ka disa vende që kanë vazhdua, diku edhe janë ndërrua, varësisht prej klinikave dhe rezultateve. Mendoj se me këtë zgjidhje që kemi bërë do të kemi një ekip të mirë të punës. Shpresoj se ata do të marrin përsipër një barrë, një obligim dhe do t’i shtjellojnë edhe prioritetet që i kanë për klinikat që drejtojnë”.

Radio Kosova: Radio Kosova ka raportuar shumë shpesh për mungesën e mjekëve në orarin e punës?

Basri Sejdiu: “Po, kemi pasur  informata edhe nga e kaluara, por po zotohem edhe një herë se disiplinën do ta kthejmë në ambientet e institucioneve shëndetësore, duke llogaritur që i fundi është pacienti. Është një komision për kontroll të brendshëm, mirëpo tani kam marrë iniciative vet. Kohëve të fundit, për një periudhe të shkurtër kohore, pas mesnate kam vizituar tetë klinika. Kam hasur në parregullsi shumë të mëdha. Ajo çfarë me ka befasuar shumë është që mjeku gjatë kujdestarisë të ndodhet në shtëpi, e pa imagjinueshme. Nëse kujdestaritë janë të planifikuara që mjekët të jenë afër pacientëve dhe mjeku të largohet në distancë 40 kilometra,  mendoj që do të ndëshkohen. Unë kam marrë menjëherë për suspendim – përjashtim nga puna, derisa komisioni disiplinor nga aspekti ligjor t’i trajtoj. Do ë jemi të pa kompromis sa i përket disiplinës. Do ta kthejmë imazhin e shëndetësisë kosovare, duke llogaritë se pa disiplinë nuk ka as punë. Mungesa e mjekut do te thotë mungesë e shërbimeve shëndetësore për pacientët. Tash në ditët në vijim do të bëjmë edhe kontrolla të tjera”.   

Radio Kosva: Cilat?

Basri Sejdiu: “Po kemi informata se janë keqpërdorur, ndoshta edhe kartelat e vajtje-ardhjeve. Do të monitorojmë kohën e pauzave. Unë në takimet që kam pasur me drejtorët i kam paralajmëruar se do të ketë vizita të befasishme , qoftë gjatë kujdestarive apo qoftë edhe jashtë orarit të pauzës që e kanë. Kafenetë, restaurantet do të jenë të ndaluara jashtë orarit të pauzës. Nuk do të hezitojmë të marrim masat më të ashpra sa i përket respektimit të orarit të punës”.

Radio Kosova: A mund t’i dimë klinikat që i keni vizituar personalisht gjatë natës?

Basri Sejdiu: “ Fillimisht kam vizituar klinikën e kirurgjisë së fëmijëve. Aty kam gjet mjekun që mungon. Mandej kemi vazhdua me klinikën e urologjisë. Njëjtë kemi hasur një mjek që nuk gjendet në vendin e punës por është në shtëpi. Pastaj një tjetër që ndodhet në kujdestari, por nuk lajmërohet në thirrjet e specializantëve. Kemi hasur edhe dy infermier në gjumë. Ku e gjithë klinika ka mbetur në mëshirë të askujt. Të gjithë këta janë proceduar në procedurë disiplinore”.

Radio Kosova: Si qëndron tash situata sa i përket furnizimit me barna nga lista  esenciale,  a ka përmirësime tani apo situata vazhdon të jetë e njëjtë?

Basri Sejdiu: “Mund të them se ka përmirësim, pritet shumë shpejt që të behet një përmirësim i dukshëm. Mandej ka premtime se do të bartet buxheti në SHSKUK, nga Ministria e Shëndetësisë, sa i përket furnizimit me barna”.

Radio Kosova: A do të ketë monitorim në shfrytëzimin e barnave të listës esenciale, nga barnatorja qendrore e deri tek klinikat të cilat kanë nevojë për shfrytëzimin e tyre për pacient?

Basri Sejdiu: “Ky veç është projekt i filluar, ne jemi duke përgatitur ketë. Jemi  duke evidentuar hapësirat. Fillimisht do bëjmë që secili repart të ketë barnatore.  Do bëjmë digjitalizimin si kemi bërë me ambulancat, të inkorporojmë edhe barnatoret. Dhe është një projekt i cili do të realizohet, besoj gjatë një viti, në mënyrë që  nga barnatorja qendrore e deri tek pacientët, të jetë e monitoruar çdo gjë. Pra, secili repart do ta ketë barnatoren e cila do të punoj 24 orë dhe do të jetë e qasshme në çdo kohë për pacientët”.

Intervistoi: Vaide Morina