Shqiptarët po bëhen si europianët; Rritet numri i familjeve të vogla

Shqiptarët po bëhen si europianët; Rritet numri i familjeve të vogla

Numri i familjeve më një ose dy anëtarë në Shqipëri është rritur. Mesatarisht në 2017-n, 16% e familjeve kishin në përbërjen e tyre një ose 2 pjesëtarë. Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe në përllogaritjen e “Monitor”, numri i familjeve të vogla në vend është rritur me 2% krahasuar me një vit më parë.

Nga 80,964 familje që u numëruan në Shqipëri, 12,649 ishin familje që në përbërjen e tyre nuk kishin më shumë se dy persona.

Vetëm familjet me një anëtar përbëjnë 6% të totalit të familjeve në Shqipëri, ndërsa ato me 2 pjesëtarë përbëjnë 10% të totalit.

Peshën më të madhe në totalin e familjeve janë familjet që në përbërjen e tyre kanë 4 pjesëtare, me 33% të totalit. Çereku i familjeve (25%) përbëhen me pesë anëtarë, rreth 18% e tyre kanë në përbërje tre anëtarë, ndërsa mbi 21% e familjeve kanë 6 ose më shumë anëtarë në përbërjen e tyre.

Edhe pse numri i familjeve të vogla (me një ose dy anëtarë) ka qenë në rritje në vitet e fundit, krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, pesha e tyre ndaj totalit është shumë më e ulët.

Të dhënat nga Eurostat tregojnë se që nga viti 2010, ku pesha që zinin familjet me një ose dy anëtarë ishte 31%, është rritur në mënyrë graduale me 2.4% në 2017 në Bashkimin Europian. Në disa shtete rritja ka qenë e dukshme. Në Letoni për shembull, përqindja e familjeve me një ose dy anëtarë u rrit nga 25% në 2010 në 35% në 2017.

Në Bashkimin Europian familjet me një pjesëtare në rritje

Statistikat më të fundit mbi madhësinë e familjeve në Bashkimin Europian tregojnë se në 2017-n rreth një e treta e familjeve përbëheshin nga të rritur pa fëmijë.

Shifrat janë marrë nga statistikat e Forcave të Punës në BE, të cilat kanë treguar edhe diferencën midis shteteve anëtare. Pesha e familjeve me një ose dy anëtarë ndaj totalit të familjeve varjon nga 20% në Maltë, 22% në Sllovaki dhe Portugali deri në 43% në Lituani, 44% në Danimarkë dhe 51% në Suedi.