Banka Qendrore nuk ndalet, në treg më shumë euro

Banka Qendrore nuk ndalet, në treg më shumë euro

Ankandet e Bankës që nga viti 2017 referojnë sasi të pazakonta të blerjes në valutë, ndërsa leku mbetet i mbiçmuar. BSH lajmëron se ndërhyrjet në kursin e këmbimit do të vijojnë deri sa oferta për euro të ulët

Banka e Shqipërisë deklaroi se do të vazhdojë programin e blerjes së eurove nga tregu deri në një afat të pacaktuar. Në informacionin mbi ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë muajve të parë të vitit, Banka Qendrore ka publikuar edhe kalendarin e ankandeve për blerjen e valutës, ndërsa ekspertët e Bankës në një komunikim me median argumentuan se, forcimi i kursit të këmbimit uli parashikimet për inflacionin në afatin e mesëm dhe zhvendosi për poshtë balancën e rreziqeve në afatin e shkurtër.

Ky zhvillimin kërkoi rishikim në kahun lehtësues të politikës monetare në funksion të objektivit të inflacionit. Edhe pse nuk e ka bërë të ditur shifrën e plotë të valutës së blerë gjatë këtij viti, por në qershor rezerva valutore e saj u zgjerua me rreth 200 milionë euro, çka supozon se pjesa më e madhe të ketë ardhur nga blerja e drejtpërdrejtë në treg.

Ankandet

Lufta e Bankës Qendrore për të mos lejuar zhvlerësimin e euros ka nisur që vitin e kaluar edhe pse nuk është deklaruar zyrtarisht. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2017, Banka e Shqipërisë bleu sasinë rekord 72 milionë euro nga tregu i brendshëm përmes 7 ankandeve të ndryshme. Blerja masive e euros gjatë vitit të kaluar është një fenomen thuajse i jashtëzakonshëm. Për herë të fundit Banka e Shqipërisë kishte blerë euro në vitin 2015, por në sasi shumë më të vogla, rreth 22 milionë euro, ndërkohë që për 2016-ën, BSH nuk ka blerë fare euro nga tregu.

Sipas të dhënave, seria e blerjeve ka nisur në muajin prill, pikërisht dy muaj para zgjedhjeve Parlamentare dhe ka vazhduar thuajse përgjatë gjithë vitit. Më 10 prill 2017, Banka e Shqipërisë bleu 8.7 milionë euro përmes një ankandi të vetëm. Pas këtij ankandi Banka ka blerë sërish në të gjithë muajt pasardhës të vitit në shifra që variojnë nga 6 deri në 13 milionë euro. Janë shtatë ankande, që kanë nisur në muajin prill, me një interval të planifikuar të blerjes nga tre deri në tetë milionë euro për secilin ankand, ndërsa ata pritet të kenë intensitet të lartë veçanërisht tani në verë, ku edhe oferta për euro në tregun valutor përgjithësisht është më e lartë.

Në janar 2017, BSH publikoi kalendarin e blerjeve për vitin në vijim, ku parashikohej të kryesisht shtatë ndërhyrje për blerjen e shumave nga 3 deri në 8 milionë euro. Por në gjashtë nga shtatë ankandet, BSH bleu shumë më tepër euro nga sa ishte objektivi maksimal i deklaruar prej 8 milionë eurosh. Sipas deklaratës për ndërhyrjet në treg, blerja më e madhe u zhvillua në dhjetor 2017 në masën 12.4 milionë euro. Blerjet u bënë kur euro gjendej në kuotën 133.6 lekë dhe leku pësoi një nënçmim të lehtë gjatë ditëve të fundit të vitit (ndërhyrja u bë më 15 dhjetor). Por shpejt pas ndërhyrjes, leku vijoi të forcohet. Në janar 2018, BSH publikoi kalendarin e ndërhyrjeve për vitin aktual në të cilin parashikohen dhjetë ndërhyrje me objektiv për të blerë 3 deri në 6 milionë euro për ndërhyrje.

Por në ankandin e parë të vitit të zhvilluar në shkurt, BSH bleu 13 milionë euro me kurs mesatar 131.9 lekë. Në ankandin e dytë të zhvilluar në mars u blenë 6.3 milionë euro të tjera. BSH deklaroi ndërhyrje të jashtëzakonshme në muajin qershor, duke synuar ndalimin e forcimit të mëtejshëm të lekut si dhe ndryshimin e pritshmërive të publikut, por ndërhyrja e saj me deklaratë nuk e ndryshoi tendencën. Gjatë muajit qershor, leku pësoi një forcim të ri në kursin mesatar të këmbimit. Blerjet e BSH gjatë vitit 2017 në masën 71 milionë euro, shumë më e lartë se sa ndërhyrjet e zakonshme në vitet e mëparshme si dhe vijimi i forcimit të lekut pavarësisht këtyre blerjeve janë një tregues tjetër i bollëkut të euros.