Dy dekada diskutime, gati marrëveshja për detin Kaspik

Dy dekada diskutime, gati marrëveshja për detin Kaspik

Të pesë vendet që kanë dalje në Detin Kaspik, kanë arritur marrëveshjen për të miratuar një konventë mbi statusin e tij ligjor këtë të diel.

Lajmi u bë i ditur nëpërmjet një deklarate zyrtare të Kremlinit, të cilët thanë se kjo marrëveshje është arritur pas rreth dy dekadash diskutime dhe debate mes palëve.

Në deklaratë thuhet se konventa do të nënshkruhet në Kazakistan gjatë Samitit të pestë Kaspik, në Aktau ku përfaqësuesit e Kazakistanit, Azerbajxhanit, Iranit, Rusisë dhe Turkmenistanit do të jenë të pranishëm, për të firmosur, transmeton TCH.

Deti Kaspik është një hapësirë ujore e mbyllur mes kontinentit të Europës dhe atij të Azisë. Rëndësia strategjike e Kaspikut është në bollëkun e burimeve të energjisë.

Deti përmban vëllime të mëdha të rezervave të naftës dhe gazit natyror, si në hapësirën ujore, ashtu edhe në tokën që e rrethon. Është vlerësuar se deti Kaspik përmban 48 miliardë fuçi naftë dhe 8.7 triliardë metra kub gaz në rezerva të provuara ose të mundshme.

Si i tillë, ekzistojnë projekte të shumta të nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror në rajon, dhe të gjitha shtetet bregdetare në Kaspik janë prodhues të rëndësishëm të energjisë.

Megjithatë, shumica e burimeve në det të hapur nuk janë përdorur, pasi ka pasur mosmarrëveshje midis pesë shteteve kufitare se si do të ndahen burimet energjetike.