Begaj takohet me qytetarët, flet për projektet e komunës

Begaj takohet me qytetarët, flet për projektet e komunës

Në kuadër të takimeve me qytetarë, me qëllim të hartimit dhe orientimet për investime kapitale për vitin 2019,

Komuna e Malishevës ka vazhduar takimet me qytetarë, nëpër vendbanime. Mbrëmë është mbajtur një takim me banorët e fshatrave Llazicë dhe Balincë, me të cilët kanë biseduar për kërkesat e tyre dhe për orientimin për investimet kapitale.

Në këtë takim, kanë marrë pjesë, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha dhe drejtori komunal për buxhet dhe financa, Valon Mazreku.

“Ashtu siç kemi vepruar viteve tjera, edhe kësaj radhe do të vazhdojmë traditën e njëjtë të konsultimeve me qytetarë, për hartimin e buxhetit për vitin 2019, përkatësisht për hartimin e listës së projekteve kapitale, sipas propozimeve që ju i jepni, edhe ne ashtu do të orientohemi në investimet e vitit 2019. Buxheti është i qytetarëve dhe do të shpenzohet për qytetarët, prandaj jeni ju ata që e vendosni se si duhet të orientohen investimet kapitale”, tha mes tjerash kryetari Begaj, duke ju drejtuar banorëve të Llazicës dhe Balincës.

Edhe nënkryetari Berisha, duke folur për projektet, dhe duke i sqaruar lidhur me cilësinë e projekteve, ka përsëritur qëndrimin e tij, se nuk do të ketë realizim të projekteve, jo cilësore dhe mbikëqyrja e komunës, në raport me operatorët do të jetë shumë rigoroze. “Të gjitha kërkesat e juaja janë serioze dhe do të trajtohen si të tilla, ndërsa sa i përket operatorëve, asnjë punë nuk do të pranohet, nëse nuk realizohen sipas parametrave të parapara”, tha Berisha.

Drejtori për buxhet dhe financa, Valon Mazreku, e ka paraqitur buxhetin para qytetarëve të llazinës dhe Balincës, ndërsa në hollësi është ndalur në hartimin e listës së projekteve kapitale, në mënyrë që 4.3 milion euro, të investohen duke u bazuar në nevojat e banorëve të Komunës së Malishevës.

Gjatë debatit me banorët e këtyre dy fshatrave, si kërkesa emergjente për investime për vitin e ardhshëm janë, rruga e lagjes së Dobrunëve, për në shkollë, një urë, nënkalimi në pjesën e autostradës, dhe ndërtimin e 300 metrave rrjet të kanalizimit. Pastaj një rrugë në lagjen e Javorëve, si dhe vazhdimi i rrjetit të ujësjellësit në një pjesë të fshatit, pasi nuk është i shtrirë rrjeti. Ndërsa për Balincë u kërkua që të rregullohet një trotuar për nxënës dhe të lirohet një kalim në rrethojat e autostradës, eliminimi i ujërave tek nënkalimi, rrugë dhe zgjerimi i kanalizimit. U kërkua që të investohet në shkollën e fshatit, për krijimin e kushteve për mbajtje të mësimit në një ndërrim dhe ndërtimin e fushës së sportit për shkollën. Po ashtu janë paraqitur edhe kërkesa individuale.