Në Malishevë vazhdojnë takimet me qytetarë për buxhetin e vitit 2019

Në Malishevë vazhdojnë takimet me qytetarë për buxhetin e vitit 2019

Në kuadër të dëgjimeve publike, për hartimin e buxhetit për vitin 2019, përkatësisht marrjen e propozime nga qytetarët për orientimin e investimeve kapitale, mbrëmë janë mbajtur takime me qytetarët e Malishevës, Panorcit, Rudit dhe Garaqevës, ndërsa në këto takime kanë marrë pjesë i pari i Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha dhe drejtori komunal për buxhet dhe financa Valon Mazreku, të cilët kanë prezantuar buxhetin për vitin 2019.

Sipas kumtesës për media, në takimin me banorët e qytetit të Malishevës, kryetari Begaj dhe nënkryetari Berisha, kanë thënë se qyteti do të jetë prioritet në vitet në vijim, me qëllim të rregullimit të infrastrukturës së përgjithshme, pastaj shtratin e lumit, një shkollë, një çerdhe dhe disa investime tjera, pasi Malisheva i ka specifikat e veta, edhe si qytet edhe si qendër komunale.

Po ashtu edhe në takimin me banorët e Panorcit, Rudit dhe Garaqevës, është biseduar për orientimin e investimeve kapitale për vitin 2019, ku është prezantuar buxheti për investime kapitale, ndërsa janë marrë propozimet e banorëve për orientim të buxhetit.

“Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, e ka paraqitur buxhetin e ndarë për Komunën e Malishevës, për vitin 2019, me theks të veçantë për investimet kapitale dhe ka kërkuar nga qytetarët që përmes propozimeve të tyre, ti orientojnë investimin e 4.3 milion eurove, sa i ka Malisheva për investime kapitale për vitin 2019. Gjatë takimit me banorë në qytetin e Malishevës, banorët kanë kërkuar që të ndërtohet edhe një objekt shkollor, një çerdhe, të zgjerohet ndriçimi publik, të rregullohet apo zgjerohet sistemi i kanalizimit për ujërat atmosferik, të rregullohet shtrati i lumit, pastaj të rregullohet infrastruktura në lagjen e re, si dhe disa kërkesa tjera, për të cilat ka nevojë qyteti dhe të cilat në të njëjtën kohë, i kanë planifikuar edhe qeveria komunale, për vitin e ardhshëm. Ndërsa për investimet e përgjithshme, ata kanë kërkuar që investimet të drejtohen në fushat që ndikojnë në zhvi llimin e përgjithshëm të komunës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në takimin e mbajtur në Panorc, me banorët e Panorcit, Rudit dhe Garaqevës,  banorët kanë kërkuar që të bëhen edhe pak investime tjera, krahas shkollës që pritet të filloj këtë vit, Kërkesat e tyre ishin për rritjen e kapacitetit të ujësjellësit për Panorc, trotuar, 1600 metra kanalizim dhe dy kilometra rrugë, nëpër lagje, përmes së cilave kompletohet infrastruktura në këto vendbanime.