Mbi 40 milionë euro dëme të shkaktuara nga veturat e pasiguruara

Mbi 40 milionë euro dëme të shkaktuara nga veturat e pasiguruara

Mbi 40 milionë euro kanë paguar kompanitë e sigurimeve për dëmet që i kanë shkaktuar veturat e pasiguruara nga vitit 2002 e deri më tash. Vlerësohet se rreth 30% e numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike në Kosovë janë të pasiguruara

Veturat e pasiguruara u kanë shkaktuar dëme financiare kompanive të sigurimeve në vlerë prej mbi 40 milionë euro për aksidentet që i kanë shkaktuar në Republikën e Kosovës nga vitit 2002 e deri më tash Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv në Byronë Kosova të Sigurimit(BKS), bënë të ditur se Fondi i Kompensimit administrohet nga BKS-ja dhe sipas tij ka për qëllim pagesën e dëmeve në territorin e Republikës së Kosovës në rastet kur shkaktarët e aksidenteve janë të pasiguruar, në rastet kur shkaktarët e aksidenteve janë të paidentifikuar, në rastet kur shkaktarët e aksidenteve janë me regjistrim të huaj dhe që u ka skaduar sigurimi kufitar.

Sipas tij, në vitin 2011 numri i dëmeve nga veturat e pasiguruara ka qenë 2016, përderisa shuma financiare që është paguar nga Fondi i Kompensimit ka arritur në mbi 3.1 milionë euro. Në vitin 2012, numri i dëmeve ka qenë edhe më i lartë, përkatësisht 2139, përderisa shuma e paguar ka shkuar mbi 3.5 milionë euro, 2345 dëme kanë qenë në vitin 2013, ndërsa shuma e paguar mbi 3.7 milionë euro. Në vitin 2014 ka rënë numri i dëmeve në 1891 me rreth 2.8 milionë euro dëme të paguara, 1447 dëme kanë qenë në vitin 2015 me mbi 3.2 milionë euro dëme të paguara, ndërsa në vitin 2016 kanë qenë 1539 dëme me vlerë financiare prej mbi 3.3 milionë euro. Po kaq ka qenë shuma e mjeteve që janë kompensuar nga viti 2002 e deri në fund të vitit 2010.

 RREZIKU I LARTË NGA VETURAT E PASIGURUARA

Sami Mazreku, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, bënë të ditur se çështja e mjeteve motorike të pasiguruara është shqetësim i vazhdueshëm i industrisë së sigurimeve. Sipas tij, aktualisht, nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i mjeteve motorike të pasiguruara, por në bazë të vlerësimeve të ndryshme, rezulton se rreth 30% e numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike janë të pasiguruara. ‘Sipas një analize të kryer brenda industrisë, ky numër shkon në 109 mijë mjete motorike. Mbi 40 milionë euro dëme kanë paguar kompanitë e sigurimeve për dëmet që i kanë shkaktuar veturat e pasiguruara nga vitit 2002 e deri më tash. Vlerësohet se rreth 30% e numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike në Kosovë janë të pasiguruara. Rreziku që paraqesin këto mjete është mjaft i lartë, sepse shumë prej tyre nuk janë në gjendje të rregullt teknike për qarkullim në komunikacion rrugor dhe sipas tij ky faktor ndikon në rritjen e vëllimit dhe frekuencës së dëmeve’, ka thënë Mazreku, duke shtuar se kompanitë e sigurimeve përmes Fondit të Kompensimit në Byronë Kosovare të Sigurimit detyrohen të mbulojnë kërkesat për dëmshpërblim në këto raste dhe më tutje, iniciohen procedura gjyqësore ndaj shkaktarëve për regresin (kthimin) e mjeteve të paguara, e të cilat procedura gjyqësore janë mjaft të vështira marrë parasysh funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë. I pari i Shoqatës Kosovare të Sigurimeve thotë se autoritetet përkatëse shtetërore kanë kompetencë dhe autorizim ligjor për të siguruar se mjetet motorike që dalin në qarkullim rrugor, në çdo kohë kanë të kontraktuar sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL) dhe mjeti përkatës është i regjistruar sipas ligjit. Sipas tij, faktor tolerimi mund të jenë dhe zbrazëtitë ligjore të masave që mund të merren me rastin e mosvazhdimit të regjistrimit, respektivisht mos kontraktimit të sigurimit të detyrueshëm. Por, Policia e Kosovës, siç thotë ai, është institucioni, i cili duhet të kujdeset që numri i mjeteve motorike të pasiguruara e të paregjistruara në qarkullim të jetë në kufijtë minimal të mundshëm.

VETURAT E PASIGURARA, 5 MILIONË EURO DËME NË VIT

Sa i përket dëmit financiar që u shkaktojnë kompanive të sigurimit automjetet e pasiguruara, sipas Mazrekut, rezulton se kompanitë e sigurimeve pësojnë humbje financiare rreth 5 milionë euro për çdo vit. ‘Në anën tjetër, edhe buxhetit të shtetit i shkaktohen humbje financiare nga mos pagesat e tatimeve nga sigurimet dhe tarifat e regjistrimit të këtyre mjeteve motorike në shumë rreth 5 milionë euro’, thotë ai. Lidhur me shqetësimin e industrisë së sigurimeve për numrin e lartë të mjeteve motorike të paregjistruara e të pasiguruara, Mazreku sqaron se kanë komunikuar disa herë me institucionet relevante si: Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, ku nga këto institucione janë marrë aksione të veçanta për heqjen nga qarkullimi rrugor i mjeteve motorike të pasiguruara dhe në kohë të caktuar, këto aksione kanë qenë të suksesshme. ‘Përsëri, inkurajojmë Policinë e Kosovës që marrjen e aksioneve dhe masave të ngjashme t’i shpeshtojë dhe kjo do të ketë për efekt rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës edhe për domosdoshmërinë e kontraktimit të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë, regjistrimit të mjetit motorik si dhe pasojave financiare që mund të kenë në rast të mos respektimit të ligjeve në fuqi’, pohon Mazreku.

MPB MOHON RRITJEN E NUMRIT TË VETURAVE TË PASIGURUARA

Kompanitë e sigurimeve ankohen se kushtëzimi i regjistrimit të automjeteve me shlyerjen e gjobave për kundërvajtje po e rritë edhe më shumë numrin e automjeteve të pasiguruara. Por, Sebahate MuharremiPllana, drejtoreshë e Drejtoratit për Regjistrimin e Automjeteve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thotë se sa i përket kushtëzimit të regjistrimit të automjeteve me shlyerje të gjobave për kundërvajtje, kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për Automjeteve Nr. 05/L-132, neni 43 paragrafi 2 ku thuhet: “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor’’. Ajo ka thënë se nuk ka informacione nëse modele të tilla aplikohen edhe në vendet e rajonit, apo të Bashkimit Evropian, duke thënë se një përgjigje të tillë mund ta jap Policia e Trafikut, apo Ministria e Infrastrukturës, si sponzorizuese e Ligjit. Për më tepër, Muharremi-Pllana ka mohuar që kushtëzimet e tilla ligjore të ndikojnë në rritjen e numrit të veturave të pasiguruara në komunikacion. ‘Jo, nuk ndikojnë, pasi që të gjitha automjetet që paraqiten në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për t’u regjistruar duhet të posedojnë edhe policën e sigurimit’, thotë ajo, kanë raportuar mediat në Kosovë. NUMRI I VETURAVE TË REGJISTRUARA Drejtoresha e Drejtoratit për Regjistrimin e Automjeteve ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të automjeteve të regjistruara ndër vite. Sipas saj, vitin e kaluar janë regjistruar 346.092 automjete, 296.252 automjete gjatë vitit 2016, 300.511 automjete janë regjistruar gjatë vitit 2015, 273.495 automjete gjatë vitit 2014, 275.907 automjete të regjistruara gjatë vitit 2013, 224.604 automjete gjatë vitit 2012, si dhe 239.319 automjete gjatë vitit 2011.

KUSHTËZIMI PA MBËSHTETJE LIGJORE

 Në anën tjetër, Avokati i Popullit më 20 mars 2017 kishte publikuar Raportin me Rekomandime lidhur me kushtëzimin e qytetarëve nga komunat për pagesën e tatimit në pronë të paluajtshme, me rastin e regjistrimit të automjeteve. Në Raportin me Rekomandim, Avokati i Popullit kishte gjetur se kushtëzimi nga ana komunave, që detyron qytetarët të paguajnë tatimin në pronë, në mënyrë që atyre t’u lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale, të nevojshme për regjistrimin e automjetit, nuk është një mënyrë e ligjshme për vjelje të tatimit në pronë dhe se një mënyrë e tillë e vjeljes së tatimit në pronë anashkalon ligjet me te cilat rregullohet vjelja e tatimit në pronë të paluajtshme. Gjatë trajtimit të kësaj çështje Avokati i Popullit kishte hasur, në mes tjerash, në një qëndrim zyrtar të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), të datës 20 qershor 2012, sipas të cilit komunat kanë të drejtë të bëjnë kushtëzime në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e saj, atëherë kur vlerësojnë se një veprim të tillë arrihet qëllimi i interesit publik, i cili interes realizon para së gjithash nevojat e qytetarëve të saj, por duke mos dëmtuar drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e njeriut. Sipas po të njëjtit qëndrim kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave për kryerjen e obligimeve të tyre ndaj ndërmarrjeve publike komunale me pagesën e tatimit të pronë, nuk ka bazë ligjore dhe si të tilla nuk mund të aplikohen. Avokati i Popullit kishte rekomanduar nga MAPL që të ndryshojë këtë qëndrim pasi që ka konsideruar se kushtëzimi nga ana e komunave për pagesën e tatimit në pronë nuk ka mbështetje në ligj. Avokati i Popullit nuk është informuar nëse ky qëndrim i MAPL ka ndryshuar, por së fundi është vënë në dijeni se tani aplikohen edhe kushtëzimet për pagesën e borxheve të ndërmarrjeve publike. Sidoqoftë, Avokati i Popullit konsideron se kushtëzimi i qytetarëve për pagesë e borxheve nga ana e ndërmarrjeve publike, po ashtu nuk ka mbështetje në ligj dhe se çfarëdo që është konstatuar në Raportin me Rekomandime të Avokatit të Popullit lidhur me kushtëzimet e qytetarëve për pagesën e tatimit në pronën e paluajtshme, përshtashmërisht vlen edhe për kushtëzimin për pagesën e borxheve ndaj ndërmarrjeve publike, kanë raportuar mediat.

AVOKATI I POPULLIT HAP RASTIN PËR HETIM

Për dallim nga kushtëzimet për pagesën e tatimit në pronën e paluajtshme e cila nuk ishte përcaktuar me ligj, kushtëzimet për regjistrimit të automjeteve dhe kushtëzimit me pagesën e gjobave për kundërvajtje, e cila ka filluar të aplikohet nga data 1 qershor 2018 parashihen me Ligjin për Automjetet Nr.05/L-132, neni 43, i cili përcakton se pronari i mjetit nuk mund të bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor. Me gjithë faktin se kushtëzimi për pagesën e gjobave të kundërvajtjes është përcaktuar me ligj të miratuar nga Kuvendi, dhe për shkak se një kushtëzim i tillë do të mund të paraqiste kufizim të ndonjë drejtë të garantuar, Avokati i Popullit ka hapur rastin për hetim. Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton, se kufizimet përveç se duhet të bëhen me ligj ato mund të bëhen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi, se kufizimet duhet të jenë proporcionale me rëndësinë e qëllimit të kufizimit, dhe se kufizimet e tilla nuk bënë assesi të mohojnë esencën e së drejtës së garantuar. Avokati i Popullit premton se do të njoftojë publikun lidhur me gjetjet nga hetimi i sipërpërmendur.