Çdo e treta veturë në Kosovë është e pasiguruar

Çdo e treta veturë në Kosovë është e pasiguruar

Çdo e treta veturë që del në komunikacion në Kosovë është e pasiguruar, fakt ky që përbënë shqetësim të madh për industrinë e sigurimeve në vend. Rreziku që paraqesin këto automjete për pjesëmarrësit në komunikacion, vlerësohet të jetë shumë i lartë, pasi që nuk janë në gjendje të rregullt teknike për qarkullim.

Sami Mazreku, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, konfirmon se bazuar në të dhënat zyrtare të Publikuara nga Ministra e Punëve të Brendshme, 109 mijë mjete motorike vlerësohet se janë të pasiguruara, apo rreth 30 për qind e mjeteve të përgjithshme motorike në vend.

Ai ka bërë të ditur se mjetet e pasiguruara motorike, shkaktojnë dëme milionëshe në vit jo vetëm për kompanitë e sigurimeve, por edhe për buxhetin e Kosovës për shkak të mos pagesës së taksave. ‘Sa i përket dëmit financiar, marrë parasysh të dhënat e mjeteve të cilat nuk kontraktojnë sigurimin e detyrueshëm, rezulton se kompanitë e sigurimeve pësojnë humbje financiare rreth 5 milionë euro për çdo vit.

Në anën tjetër, edhe buxhetit të shtetit i shkaktohen humbje financiare nga mos pagesat e tatimeve nga sigurimet dhe tarifat e regjistrimit të këtyre mjeteve motorike në shumë rreth 5 milionë euro’, shprehet Mazreku. Kreu i Shoqatës Kosovare të Sigurimeve ankohet se kompanitë e sigurimeve në vend u nënshtrohen një modeli të tatimeve, ndryshe nga gjitha korporatatshoqëritë aksionare që merren me aktivitete të tjera.

‘Pjesën më të madhe të kësaj ngarkese tatimore e përbën ngarkesa me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar prej 18%, ku pason ngarkesa tatimore prej 5% në të ardhurat bruto të kompanisë së sigurimit, që është e ndryshme nga tatuarja e subjekteve të tjera që tatohet në shkallën prej 10% në të ardhurat e tatueshme. Tatuarja mbi bazën e qarkullimit është atipike për tatuarjen e kompanive të sigurimit në vendet e rajonit, e edhe më larg në Evropë’, thotë Mazreku.

inFokusi: Z. Mazreku sa është numri i përgjithshëm i veturave të pasiguruara të cilat marrin pjesë në komunikacion dhe çfarë rreziku paraqesin për pjesëmarrësit në trafik, por edhe për kompanitë e sigurimeve?

Mazreku: Çështja e mjeteve motorike të pasiguruara është shqetësim i vazhdueshëm i industrisë së sigurimeve. Aktualisht, nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i mjeteve motorike të pasiguruara, por në bazë të vlerësimeve të ndryshme rezulton se rreth 30% e numrit të përgjithshëm të mjeteve motorike janë të pasiguruara. Të dhënat e fundit nga ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tregojnë se në vendin tonë 109 mijë automjete janë të paregjistruara. Rreziku që paraqesin këto mjete është mjaft i lartë, sepse shumë prej tyre nuk janë në gjendje të rregullt teknike për qarkullim në komunikacion rrugor dhe ky faktor ndikon në rritjen e vëllimit dhe frekuencës së dëmeve. Rrjedhimisht, kompanitë e sigurimeve përmes Fondit të Kompensimit në Byronë Kosovare të Sigurimit detyrohen të mbulojnë kërkesat për dëmshpërblim në këto raste dhe më tutje, iniciohen procedura gjyqësore ndaj shkaktarëve për regresin (kthimin) e mjeteve të paguara, e të cilat procedura gjyqësore janë mjaft të vështira marrë parasysh funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë.

inFokusi: Pse është toleruar një numër kaq i madh i veturave të pasiguruara dhe çfarë dëmi financiar u shkaktojnë ato kompanive të sigurimeve?

Mazreku: Autoritetet përkatëse shtetërore kanë kompetencë dhe autorizim ligjor për të siguruar se mjetet motorike që dalin në qarkullim rrugor, në çdo kohë kanë të kontraktuar sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL) dhe mjeti përkatës është i regjistruar sipas ligjit. Faktor tolerimi mund të jenë dhe zbrazëtitë ligjore të masave që mund të merren me rastin e mos-vazhdimit të regjistrimit, respektivisht mos kontraktimit të sigurimit të detyrueshëm. Por se Policia e Kosovës është institucioni, i cili duhet të kujdeset që numri i mjeteve motorike të pasiguruara e të paregjistruara në qarkullim të jetë në kufijtë minimal të mundshëm. Sa i përket dëmit financiar, marrë parasysh të dhënat e mjeteve të cilat nuk kontraktojnë sigurimin e detyrueshëm, rezulton se kompanitë e sigurimeve pësojnë humbje financiare rreth 5 milionë euro për çdo vit. Në anën tjetër, edhe buxhetit të shtetit i shkaktohen humbje financiare nga mos pagesat e tatimeve nga sigurimet dhe tarifat e regjistrimit të këtyre mjeteve motorike në shumë rreth 5 milionë euro.

inFokusi: A e keni diskutuar këtë çështje edhe me institucionet relevante të Kosovës, pasi që një numër i aq i madh i veturave të pasiguruara është thënë se është pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër?

Mazreku: Lidhur me shqetësimin e industrisë së sigurimeve për numrin e lartë të mjeteve motorike të paregjistruara e të pasiguruara kemi komunikuar disa herë me institucionet relevante si: Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, ku nga këto institucione janë marrë aksione të veçanta për heqjen nga qarkullimi rrugor i mjeteve motorike të pasiguruara dhe në kohë të caktuar, këto aksione kanë qenë të suksesshme. Përsëri, inkurajojmë Policinë e Kosovës që marrjen e aksioneve dhe masave të ngjashme t’i shpeshtojë dhe kjo do të ketë për efekt rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës edhe për domosdoshmërinë e kontraktimit të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë, regjistrimit të mjetit motorik si dhe pasojave financiare që mund të kenë në rast të mos respektimit të ligjeve në fuqi.

42.2 milionë euro dëme të paguara nga kompanitë e sigurimeve

inFokusi:Sa është numri i përgjithshëm i veturave të siguruara në Kosovë, sa janë të hyrat vjetore të kompanive të sigurimeve dhe sa është vlera e përgjithshme vjetore e dëmeve që paguhen?

Mazreku: Për mjetet motorike të siguruara, primet e përgjithshme për produktin e sigurimit të detyrueshëm – TPL janë rreth 47.5 milion euro. Në tërësi, për vitin 2017, si vit financiar i fundit i mbyllur, kompanitë e sigurimeve kanë paguar gjithsejtë 42.2 milionë euro dëme për të gjitha produktet e sigurimit.

inFokusi:Thuhet se kompanitë e sigurimeve kanë paguar vlera shumë të larta financiare në raste të aksidente të ndryshme. Sa është vlera më e lartë financiare që është paguar në Kosovë dhe sa janë të shpeshta rastet e tilla?

Mazreku: Kompanitë e sigurimit në vazhdimësi kryejnë pagesa në emër të kompensimit të palëve të dëmtuara. Nëse vlerësohet lartësia e dëmit mesatar, ajo nuk është e alarmuese, mirëpo ka raste kur kompanitë e sigurimit paguajnë shuma të larta të kompensimit, në procedurë të rregullt administrative apo edhe sipas vendimeve të gjykatave. Në praktikë, vendimet e gjykatave janë ato që sjellin pagesat më të larta, që varirojnë ndërmjet kompanive të sigurimit e që mund të shkojnë deri në disa qindra mijëra euro. Ka shumë raste kur edhe në aksidente të lehta në komunikacion shoferë të pandërgjegjshëm nëpërmjet raporteve jo reale mjekësore tentojnë të përfitojnë financiarisht.

inFokusi:Sa janë të shpeshta rastet e tilla dhe çfarë dëmi po u shkaktojnë në Gjykata pjesëmarrësve nëaksident?

Mazreku: Sipas rregullativës ligjore është përcaktuar dokumentacioni mjekësor i pranueshëm për t’u kompensuar për dëmin e pësuar. Në praktikë, kompanitë e sigurimeve në vazhdimësi hasin në raporte mjekësore të cilat paraqesin një gjendje shëndetësore ndryshe nga ajo reale e cila vërtetohet në ekzaminimet e drejtpërdrejta të palëve të dëmtuara. Në këto raste kompanitë e sigurimit janë mjaft vigjilente dhe sigurisht, nuk lejojnë që nga këto situata të shkaktohen humbje financiare. Nuk përjashtohet mundësia të ketë raste të keqpërdorimit të dokumentacionit mjekësor me qëllim të përfitimit, por se lidhur me këto kompanitë e sigurimit marrin veprime individuale për t’i raportuar tek institucionet relevante.

Gjobat s’duhet të ndërlidhen me regjistrimin e automjeteve

inFokusi: Ka shumë ankesa nga qytetarët që dënimet që u shqiptohen nga Policia në komunikacion mos të ndërlidhen me regjistrimin e automjeteve. Një masë e tillë ligjore a e rritë edhe më shumë numrin e veturave të pasiguruara në komunikacion?

Mazreku: Në një komunikatë për media, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar mbi bazë ligjore që detyron qytetarët në pagesën e gjobave me rastin e (ri) regjistrimit të mjetit motorik. Pagesa e gjobave të shqiptuara nuk duhet të jenë ngarkese shtesë në kohën e regjistrimit të mjeteve motorike nga qytetarët. Sipas nenit 30 të Ligjit Nr. 05/L-087 për Kundërvajtje, gjobat e papaguara mund të përmbarohen sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore. Kundërthënia është se, në njërën anë Policia e Kosovës ka të drejtë që gjobat e papaguara t’i inkasojë përmes procedurës përmbarimore, ndërsa kjo dispozitë ligjore fare nuk vihet në zbatim për shkak të kushtëzimit të pagesës së gjobave me rastin e regjistrimit të mjetit motorik. Mendoj që ky kushtëzim, më shumë është një pengesë ligjore se sa një masë për mbledhjen e mjeteve për gjobat e shqiptuara ndaj qytetarëve, e që detyrimisht ndikon në rritjen e numrin të mjeteve motorike të paregjistruara. 14

Kompani të sigurimeve me mbi 2000 të punësuar

inFokusi: Sa është numri i kompanive të sigurimeve që operojnë në tregun e Kosovës dhe sa është numri i përgjithshëm i të punësuarave në industrinë e sigurimeve?

Mazreku: Në tregun e sigurimeve, aktualisht të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës janë 14 kompani të sigurimeve, nga të cilat 12 merren me veprimtarinë e sigurimeve jo-jetë dhe 2 kompani merren me sigurimet e jetës. Numri i të punësuarave variron ndër vite, mirëpo nga të dhënat statistikore të fundit që kemi, të angazhuar në industrinë e sigurimeve janë mbi 2,000 të punësuar.

Ekstra tatime për kompanitë e sigurimeve

inFokusi:Është thënë se kompanitë e sigurimeve janë të vetme që paguajnë tatime ekstra. Për çfarë tatimi bëhet fjalë dhe çka keni bërë ju si Shoqatë në këtë drejtim?

Mazreku: Po është e vërtetë se kompanitë e sigurimeve në Kosovë i nënshtrohen një modeli të tatuarjes ndryshe nga të gjitha korporatat – shoqëritë aksionare që merren me aktivitete të tjera. Sipas ligjeve të aplikueshme, kontratat e sigurimit ngarkohen me taksa në nivel prej 24.35%. Pjesën më të madhe të kësaj ngarkese tatimore e përbën ngarkesa me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar prej 18%, ku pason ngarkesa tatimore prej 5% në të ardhurat bruto të kompanisë së sigurimit, që është e ndryshme nga tatuarja e subjekteve të tjera që tatohet në shkallën prej 10% në të ardhurat e tatueshme. Tatuarja mbi bazën e qarkullimit është atipike për tatuarjen e kompanive të sigurimit në vendet e rajonit, e edhe më larg në Evropë. Në cilësinë e përfaqësuesit të kompanive të sigurimit në Kosovë, kemi pasur komunikime të shumta me Ministrinë e Financave, me kërkesë të ndryshimit të mënyrës së tatuarjes dhe trajtimit të kompanive të sigurimit në mënyrë të barabartë me të gjitha subjektet tjera të organizuara si shoqëri aksionare. Në projekt-ligjin e parë që ka dalë për konsultim publik, Ministria e Financave ka marrë parasysh kërkesat dhe rekomandimet tona si industri dhe mbetemi në pritje të miratimit te të njëjtit dhe hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për të Ardhurat në Korporata.