Rexhepi: Presidenti Clinton i dha goditje regjimit të Millosheviqit

Rexhepi: Presidenti Clinton i dha goditje regjimit të Millosheviqit

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq, i cili gjatë një konference me homologun e tij rus, është marrë me festimin e ditëlindjes së ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton, e cila ditë është festuar nga aktivistët e kësaj shoqate të dielën në Prishtinë.

“Mendoj që vet fakti se Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i Serbisë, merret me festimin e ditëlindjes së presidentit Clinton nga një organizatë civile, dhe atë në konferencë me gazetarë së bashku me Lavrovin, ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë, tregon që atij dhe institucioneve serbe, ndoshta edhe ruse, mund t’iu ketë dhimbtë shumë, çështja është se shqiptarët kanë filluar të mendojnë më mirë politikisht, të bëjnë politika pragmatike, afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata”, ka theksuar Rexhepi.

Deklarata e plotë e Rexhepit:

Ne mendojmë që veprimi i ynë ka qenë shumë mirë i organizuar dhe shumë mirë i menduar, që prej fillimit të festimit të ditëlindjes së ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi qenë të vetëdijshëm se veprimi ka efekte njerëzore, pro edhe politiko-diplomatike, arsyeja është e thjesht, sepse ai është njëri ndër njerëzit më të fuqishëm nga të gjithë presidentët e gjallë të SHBA-ve dhe me shumë ndikim.

Mendoj që vet fakti se zoti Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i Serbisë, merret me festimin e ditëlindjes së presidentit Clinton nga një organizatë civile, dhe atë në konferencë me gazetarë së bashku me Lavrovin, ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë, tregon që atij dhe institucioneve serbe, ndoshta edhe ruse, mund të iu ketë dhimbet shumë, çështja është se shqiptarët kanë filluar të mendojnë më mirë politikisht, të bëjnë politika pragmatike, afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata. Nuk e kanë synim atë që e ka deklaruar Daçiq, marrjen e territoreve deri te Nishi, edhe sepse ato kanë qenë territore tona, por jemi te vetëdijshëm se politika aktuale nuk lejon që të bëhen veprime të tilla. Andaj e respektojmë çdo veprim dhe vendim të aleatëve tanë dhe posaçërisht aleatit tonë kryesor dhe tradicionale Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo që është e dukshme, Daçiqi nuk mund ta kapërdijë ende faktin se presidenti Clinton i dha goditje të fuqishme regjimit të Millosheviqit, pjesë e të cilit ishte edhe vet Daçiqi.

Ne do të vazhdojmë me festimin e ditëlindjes së presidentit Clinton edhe në vitet e ardhshme në mënyrë më pompoze dhe të personaliteteve tjera amerikane, nëse ka nevojë do t’i festojmë. Do t’i festat tona shtetërore, nacionale, por edhe festat shtetërore amerikane.

Zoti e bekoftë popullin dhe institucionet e Kosovës dhe Zoti i bekoftë popullin dhe institucionet e SHBA-ve.

Ndryshe, aktivistët e Shoqatës “Miqtë e Amerikës” të dielën në Prishtinë kanë festuar ditëlindjen e presidentit Bill Clinton.