Hiqen mobiliet nga Teatri, Budina: Godina nuk do të shembet!”

Hiqen mobiliet nga Teatri, Budina: Godina nuk do të shembet!”

Një ditë pas fillimit të rezistencës, Teatri Kombëtar “zbrazet”. Regjisori Robert Budina shprehet se do ta mbrojnë teatrin deri në fund, dhe se “Turbina” do të lërë pa punë edhe ata që firmosën për shembjen, pasi nuk plotëson kushtet minimale. Sipas tij, vetëm një mendje e sëmurë mund ta vendosë veten mbi historinë e një kombi.

“Teatri Kombëtar është frymë, dhe si kolosëve që dolën nga skena e tij, sa më shumë që t’i kalojë koha aq më shumë i shtohen vlerat”. Roza Anagnosti kujtoi kështu gjatë protestave në agoren e teatrit ata që kontriubuan për skenën dhe kinematografinë shqiptare me tre elegji, dy të Dhimitër Anagnostit dhe një të Robert Shvarc. E gjitha kjo ndodh në prag të sezonit të ri teatror. Vetëm një ditë pas kësaj, kanë filluar “të zbrazin” Teatrin Kombëtar. “Pa asnjë dokumentacion apo urdhër të shkruar, vazhdojnë të heqin mobiliet brenda teatrit. Personat përgjegjës, jo vetëm që do ti kthejnë përsëri ato që po marrin, por do të shkojnë dhe në prokurori për grabitje të pronës publike”, shprehen anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Por çfarë po ndodh, është ky një provokim i radhës apo institucioni më popullor i kulturës po përgatitet për t’u shpënë në gijotinë? Për “Shekullin” ka folur regjisori Robert Budina, sipas të cilit Teatri nuk do të shembet, sepse do të ishte një krim jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por në të gjithë botën. “Do të shënonte rënien e çdo vlere në Shqipëri, duke nisur që nga mënyra sesi u bë ky ligj”, shprehet Budina, i cili nënvizon faktin se rezistenca do të vazhdojë deri në fund. Budina flet gjithashtu për “Turbinën”, që përveç mungesës së kapaciteteve për të përballuar dy skenat e teatrove, ka mungesa të tjera si, vende për gardërobën, kabina për aktorët që e bëjnë tërësish të papërshtatshme. Sipas tij, tani po ndërgjegjësohen edhe ata që kanë votuar pro shembjes se kur të shkojnë tek “Turbina” do të detyrohen të rrinë pa punë, sepse aty mungojnë kushtet minimale. Prandaj regjisori u drejtohet atyre që heshtin, duke u thënë se ky mosreagim do të rëndojë mbi ta. Ndërsa për ata që po mbështesin shembjen e godinës, shprehet: “Le t’i shkojnë deri në fund kësaj historie, të mbetet në ndërgjegjen e tyre!”.

Zoti Budina, shtatori po afron, së shpejti projektligji që shemb teatrin do të kalojë përsëri në Parlament, çfarë mendoni se do të ndodhë?

Ne do të vazhdojmë të protestojmë. Do ta mbrojmë teatrin deri në fund, me të gjitha mënyrat. Nuk jemi vetëm ne, është gjithë shoqëria civile, njerëz të thjeshtë sigurisht ka edhe anëtarë të politikës. Kur erdhën në pushtet, ata që janë në pozitë nuk thanë se do ta shembin teatrin, kështu që tani që po bëjnë një veprim që bie kundër atyre që premtuan për të marrë votat, do të thotë se votat nuk i kanë më. Ne kemi të drejtën legjitime për ta mbrojtur atë godinë dhe do ta mbrojmë nga ky antiligj!

Sipas jush deputetët do të votojnë po njësoj, apo mund të ndryshojë diçka?

Unë them se ata do të votojnë po njësoj, kjo edhe prej kodit zgjedhor që bën të mundur zgjedhjen e deputetëve nga kryetari. Ata, në një situatë si kjo janë thjeshtë numra që nuk përfaqësojnë popullin, por përfaqësojnë kryetarin. Edhe kodi zgjedhor është bërë për kryetarët, për “mbretërit”, nuk është bërë për popullin. Pra, kështu minimizohen shanset që ata të veprojnë ndryshe. Ne gjithsesi do të shkojmë deri në fund!

Keni tentuar të vijoni komunikimin me palën e huaj?

Sigurisht që po. Ne presim përgjigjet e tyre, që duhet të vinë gjatë shtatorit. Edhe pse qeveria ende nuk u është përgjigjur 15 pyetjeve që ata ngritën, ne do të vijojmë komunikimin pasi europarlamentarët të kthehen në zyrë. Mendoj se përgjigja e tyre do të jetë pozitive, do të jetë kundër qeverisë, madje jam i bindur për këtë. Kjo vihet re edhe tek mënyra sesi i kanë bërë pyetjet. Ato nuk janë pyetje, por janë akuza, sepse qeveria “e ka shkelë me të gjitha këmbët”.

Ndërkohë që ende nuk ka asnjë njoftim publik, por flitet se dy skenat (Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”) do të transferohen tek “Turbina”. Ju mendoni se ajo skenë mund ta përballojë një kapacitet të tillë?

Sipas burimeve tona, atje nuk ka vende për gardërobën, nuk ka dhoma ndërrimi, kabina për aktorët si dhe ka shumë mungesa të tjera. Tani po e kuptojnë të gjithë, edhe ata që kanë votuar pro shembjes se kur të shkojnë tek “Turbina” do të detyrohen të rrinë pa punë. Thuhet që është teatri aty, por kushtet nuk janë. Pra sipas burimeve, ai teatër nuk është absolutisht i përshtatshëm. Aty nuk janë kushtet më minimale për të bërë një shfaqje normale. Unë se kam parë, u takon atyre që kërkojnë të shkojnë aty ta shohin. Qeveria thotë s’ka lekë, por ka harxhuar 3,5 milionë euro për ta bërë atë. Edhe kjo është një hipokrizi e rëndë. Kur thotë se skam lekë, dhe lekët për të spostuar trupën nga teatri i ka, kurse për të rregulluar teatrin jo.

Në këto rrethana çfarë i pret aktorët nëse teatri shembet?

Teatri nuk do të shembet, sepse është një krim jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por në të gjithë botën. Nuk mund të bëhet ajo sepse do të shënonte rënien e çdo vlere në Shqipëri, duke nisur që nga mënyra sesi u bë ky ligj. Pastaj për mënyrën se si u votua, pasi është shkelë Kushtetuta, MSA-ja dhe këto nuk janë gjëra që mund të kalohen pa u vënë re, sepse tregojnë se demokracia nuk ekziston më. Pra ca oligarkë kapin politikën, qoftë majtas dhe djathtas dhe bëjnë ligjin në parlament ndërsa të tjerët i kthejnë në skllevër. Por nuk mund të jetë kështu! Nuk është kjo demokracia! Në kushte të tilla ne do të vazhdojmë rezistencën tonë, pastaj ata aktorë që kanë vendosur për ta shembur, le t’i ruajnë metrat. Le t’i gjejnë ku janë!Por ata e kanë filluar manipulimin që tani në deklarimet që bëjnë për sipërfaqen e teatrit. Kanë zhdukur metra katrorë nëpër hipoteka dhe askush nuk të jep përgjigje për projektin, lekët që do të investohen, pjesën që ka blerë privati dhe sa do të mbetet e shtetit. Në qoftë se njerëzit nuk e kuptojnë që në këtë formë do të vidhet i gjithë vendi po ua lejuan, atëherë le të rrinë duarkryq, është puna e tyre, derisa tu futen në shtëpi. Derisa politikanët të fusin dorën në xhepat e tyre dhe në shtëpi, edhe pse kanë filluar ta bëjnë.

Jeni që prej fillimit në këtë protestë, bashkë me ju ka qenë edhe bashkëshortja, Sabina. A ndien ndonjë lloj presioni apo frike që jeni bërë pjesë e kësaj rezistence?

Jo, nuk kemi asnjë lloj presioni, përveç një lajmi të rremë që ata përhapën për të na denigruar si figura. Madje edhe pjesa tjetër e respekton këtë që ne po bëjmë pavarësisht se shumë prej tyre kanë frikë të prononcohen. Njerëzit e kuptojnë se ne nuk kemi asnjë lloj interesi. Për ne do të ishte shumë më mirë të bënim filma , e “t’i bënim qejfin” shtetit që të na ndihmonte me projekte apo të na jepte ndonjë film të huaj, se ka në dorë shumë qeveria. Po ne nuk zgjodhëm këtë rrugë, por zgjodhëm punën tonë dhe dinjitetin. Do të ishte shumë e lehtë të vepronim ndryshe dhe të mund të përfitonim kollaj projekte, por ne kemi zgjedhur këtë rrugë sepse mendoj se vendi duhet të bëhet tamam, nuk mund të bëhet ky vend sepse mori Berti dhe Sabina një projekt. Ky do të ishte interes i pastër! Ne nuk kemi frikë ,sepse nuk ka arsye. Madje mund të them se ne me rezistencën tonë po ndihmojmë dhe ata që po abuzojnë. Po i ndihmojmë që të shpëtojnë nga hakmarrja e popullit sepse, nëqoftëse e bëjnë ata këtë do ta kenë shumë piks punën! Rrezik Partia Socialiste për 30 vjet nuk do të mund të vijë më në pushtet. Pra, duke mos i lënë ta shembin, ne shpëtojmë edhe vetë ata. Ose më mirë, pjesën më të madhe të tyre, sepse ne nuk shpëtojmë Edi Ramën, pasi ai  do vetëm të marrë lekët edhe të iki. Po shpëtojmë të tjerët, pjesën pozitive. Pra, mund t’ju them se edhe kjo pjesë tjetër, ka shumë respekt për këtë që ne bëjmë, dhe nuk kemi asnjë lloj presioni apo kërcënimi.

Çfarë përfaqëson ai teatër për ju si regjisor por edhe si qytetar?

Me traditën që ka ai teatër, ku janë formuar të gjitha institucionet kulturore të vendit, të diskutosh për vlerat e teatrit do të ishte një debat shterpë. Kultura është aty dhe asnjë teatër tjetër në botë nuk ka historinë e tij. Vitet i ka, historinë e ka, arkitekturën e ka, çfarë i mungon atij teatri që të vazhdojë të rrijë aty? Shto këtu edhe vlerat njerëzore, krijimet e prodhimtaria artistike, historia e krimet e dënimet që u janë dhënë aty njerëzve. Nga ai teatër janë formuar institucionet e tjera si, Akademia e Arteve, Trupa e Operës dhe Baletit, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Estrada e Shtetit etj. Çfarë duhet më shumë se kaq që ai institucion të mos rrënohet? Kurse përsa i përket brezave që vijnë, me TK, ata do të kenë mundësinë të shikojnë sesi ka qenë dikur Shqipëria. Nuk mund të zhdukim çdo gjurmë e ta bëjmë me gradaçela sepse nuk jemi Amerikë. Kur u ndërtuan gradaçelat, Amerika ishte fushë, nuk kishte infrastrukturë. Çdo gjë ishte spontane atje, pasi nuk kishte histori. Evropa ku ne bëjmë pjesë ka histori, ka traditë, ka kulturë. Kështu që këta që përpiqen të injektojnë idenë e krijimit të gjithçkaje nga zero, kanë probleme me të shkuarën e tyre, duan të zhdukin të kaluarën e tyre. Thonë që: “Ne jemi mbretërit. Ta lëmë që kjo është koha e këtij kryeministri”. Kjo është diçka absurde, vetëm një mendje e sëmurë mund të vendos veten mbi historinë e një kombi. Kështu që këto janë vlerat që ka ai teatër, po rezistuan do të mbeten si “Kështjella e Demokracisë” që arriti ta shpëtonte vendin nga diktatura. Nëqoftë se ne arrijmë ta ruajmë, Teatri ka vlera të shumëfishta, ka vlera simbolike, ka vlera politike e shumë të tjera. Njerëzit do të kenë mundësinë të gjejnë një vend ku mund të shohin historinë e tyre, jo ta zhdukin meqenëse paraja mund të zhdukë çdo gjë.

Për njerëzit e thjeshtë apo edhe kolegët, do të kishit një thirrje që ata t’i bashkoheshin rezistencës suaj?

Thirrja ime është shumë e thjeshtë: Ata të respektojnë veten! Kolegët, njerëzit, nëqoftëse mendojnë se teatri duhet të shembet le t’i shkojnë deri në fund kësaj historie, të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Po ata që mendojnë ndryshe dhe heshtin, pasojat do të rëndojnë dhe mbi ta. Jo domosdoshmërish, njerëzit duhet të vijnë aty fizikisht çdo ditë, ata mund të jenë të dobishëm edhe duke shprehur opinionin e tyre. Pra të mos e fshehin atë që mendojnë! Nuk vijnë, por nëqoftëse janë kundër shembjes, të mos ngurrojnë, le ta thonë! Edhe të mos manipulohen nga kjo politikë, e cila e ka kthyer në propagandë, edhe e kthen në një çështje banale, duke folur për shembje godine. Në fakt, këtu nuk bëhet fjalë për çështje godine, këtu po flitet për vjedhje të pronës publike. Ky është thelbi i muhabetit, prandaj ata e ulin nivelin e debatit që të vendosin artistët kundër njëri-tjetrit. Kur debati përfshin politikën, ata thonë se janë të manipuluar nga PD-ja, ndërkohë që ku është PD-ja aty? Ndër njerëzit që protestojnë ka edhe marksistë… Pra mua më mbetet vetëm që t’u bëj thirrje, njerëzve të thjeshtë apo kolegëve që të respektojnë veten e tyre. Nuk mund të them më shumë, sepse kjo nuk varet nga fjala ime, por nga vetëdija e tyre!/Shekulli/

 


MË SHUME NGA Intervista