“KOSOVA” e Jusuf Buxhovit në tetë vëllime

“KOSOVA” e Jusuf Buxhovit në tetë vëllime

Me botimin e vëllimeve: VI, VII dhe VIII, përmbyllet projekti ambicioz “KOSOVA” në tetë libra, e para vepër e llojit të tillë në historiografinë shqiptare.

E filluar në vitin 2012 me tri vëllime (Antika, Perandoria Osmane dhe Koha e re me Dardaninë qendër të antikitetit pellazg-ilir), dhe e plotësua në vitin 2015 me dy vëllime të tjera (IV dhe V, në të cilat u përshi koha nga viti 1912 deri në vitin 1999), tri vëllimet e fundit trajtojnë administratën ndërkombëtare nga faza e emergjencës humanitare (1999-2001), si dhe zhvillimet politike dhe shoqërore, që çuan te shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Kohën e protektoratit ndërkombëtar prej tetë vitesh, autori e ka sistemuar në dy kapituj themelor: atë të ndërtimit të infrastrukturës së institucioneve ndërkombëtare përgjegjës për protektoratin nën drejtimin e UNMIK-ut dhe KFOR-it, dhe në përfshirjen e faktorit vendor në këtë proces me zgjedhjet e para lokale të vitit 2000 dhe ato vendoret në vitin 2001, prej nga dalin institucionet vendore: Parlamenti, Presidenti si dhe qeveria. Pjesa e parë e protektoratit ndërkombëtar gjen vend në “Kosovën” VI. Ndërsa “Kosova” VII, kap periudhën 2002-2008. Kompleti mbyllet me “Kosovën” VIII, me dokumentet kryesore të Kongresit të Berlinit 1878 (protokollet origjinale frëngjisht dhe gjermanisht të përkthyera edhe në gjuhën shqipe) dhe dokumente të zgjedhura nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, që lidhen me organizimin politik dhe ushtarak të Lidhjes Shqiptare nga mbrojtja e viseve shqiptare (Plavës, Gucisë, Grudës e Hoti t e deri te Ulqini), si dhe themelimin e Qeverisë së Përkohshme të Lidhjes, me ç’rast rikthehet shteti mesjetar shqiptar i rrënuar nga osmanët pas vdekjes së Skënderbeut. Përzgjedhja dhe mbarështimi i këtyre dokumenteve e nxjerrin Kosovën si epiqendër të zhvillimeve kryesore historike nga mesjeta e këndej, mbi të cilat u jetësua platforma politike e nacionalizmit shqiptar, që solli te pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.

Në përputhje me konceptin e historisë kritike, autori ruan këtë qasje edhe në tri librat e fundit. Në këtë aspekt, në librin VI (Kosova 1999-2001 – Lugina e Preshevës dhe Maqedonia), rëndësi e madhe i kushtohet kohës së emergjencës humanitare, që lidhet me zbarkimin e misionit ndërkombëtar dhe rolin e tij për krijimin e rrethanave për normalizimin e jetës institucionale dhe infrastrukturës demokratike. Këtu, autori, është kritik ndaj rolit të faktori ndërkombëtar (UNMIK-ut dhe KFOR-it), që në përputhje me konceptin e “sigurisë para demokracisë”, strukturat e dala nga lufta i ktheu në partner politikë (paçka se ato përdorën metoda kriminale për përvetësimin e pushtetit, në formën e “një puqi të heshtur institucional”). Kjo ndikoi që “faktori luftë”, në forma të ndryshme, të vazhdojë të sfidojë rrethanat edhe në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni.

Edhe pse luftërat që u shfaqen në Luginën e Preshevës në vitin 2000 dhe në Maqedoni në vitin 2001 në formë të kryengritjeve të armatosura, në njëfarë mënyre shihen si vazhdim i luftës së UÇK-së për faktorizimin e mëtutjeshëm të çështjes shqiptare në rajon në përputhje me strategjinë që ato të përfshihen në kuadër të protektorateve ndërkombëtare, megjithatë, mbetën të kufizuara dhe larg qëllimeve të parashtruara politike, siç ishte kërkesa e UÇPBM-së për autonomi politike të Luginës së Preshevës të shpallur në referendumin 1992 dhe, nismëtarja e UÇK-së së Maqedonisë, për riorganizimin e Maqedonisë në shtet dy-kombesh (shqiptar-maqedonas gjegjësisht maqedonas-shqiptar). Kjo ka të bëjë sidomos për luftën e Maqedonisë, që ndonëse për nga aspekti ushtarak vlerësohet njëra ndër luftërat më të suksesshme të shqiptarëve në këtë shekull, ajo mbeti pa dividentën politike dhe shoqërore, ngaqë i mung oi platforma politike me të cilën sukseset në planin ushtarak do të përcilleshin me krijimin e strukturave të pushtetit politik dhe institucional me të cilat do të imponohej edhe zgjidhja politike (organizimi i shtetit maqedonas mbi parimin dy-kombesh siç u kërkua fillimisht). Kështu që, lufta për territore, përfundoi me marrëveshjen e Ohrit, e cila pos që “nën petkun e pluralizmit” solli në pushtet strukturat e luftës, që vazhduan avazin e pararendësve të tyre që t’u shërbejnë politikës nacionaliste maqedonase, nuk ndryshoi statusin politik dhe shoqëror të shqiptarëve.

Duhet theksuar, se trajtimi i Maqedonisë në librin VI, shkon tutje ngjarjeve të apostrofuara dhe shfaqet si çështje shqiptare. Kjo gjen mbështetje te qëndrimi se Maqedonia antike si dhe zhvillimet që rrodhën në mesjetën e hershme dhe atë të vonshme, në të gjitha fazat historike, ishte pjesë e etnisë shqiptare dhe , si e tillë, erdhi edhe deri te koha jonë. Me këtë rast, theksohet se e përfshirë në vilajetin e Kosovës me Shkupin kryeqendër të saj, Maqedonia zë vend kyç në zhvillimet politike të Rilindjes Kombëtare. Andaj nuk ishte e rastësishme që në gushtin e vitit 1912, në Shkup përfundoi marrëveshja e kryengritësve shqiptarë me me Perandorinë Osmane, e njohur si Katërmbëdhjetë pikëshi i Hasan Prishtinës, me të cilën iu vunë themelet pavarësisë së Shqipërisë. Rolin e qendrës historike shqiptare, Shkupi, do ta ketë edhe në zhvillimet tjera, edhe pse në realitetet që sollën pushtimet ballkanike të vitit 1912 dhe a to të Luftës së Dytë Botërore, kjo u luftua vazhdimisht nga pushtuesit serbë dhe jugosllavë, kur Maqedonia nga një koncept gjeografik, politikisht do të shpallet shtet i maqedonasve, gjë që edhe luta e fundit shihet si një kapitulli i papërfunduar i këtij konfrontimi historik kundër etnisë shqiptare në Maqedoni.

Diskursi kundër luftimit të etnisë shqiptare si dhe përpjekjet që t’i merret vazhdimësia historike nga antikiteti (lidhja me Dardaninë) deri në atë masë sa shteti i Kosovës, siç e paraqet Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 e mbështetur mbi dokumentet e Ahtisarit, të shfaqet “pa histori”, pasqyrohet gjerësisht në vëllimin VII (Kosova 2002-2008). Me këtë rast, me sy kritikë shihen qëndrimet e faktorit ndërkombëtar, që Kosova të projektohet shtet qytetar me vulën e shpifur “të multietnisë”, ndërkohë që pakicës serbe, duke iu njohur “e drejta” që krishterimi ortodoks në Kosovë dhe objektet e kultit të trajtohen si trashëgimi ortodokse serbe në saje të gënjeshtrave të historiografisë serbe për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë, i njihet “e drejta historike”.

Privimi i shqiptarëve nga trashëgimia e krishterimit ortodoks si pjesë e krishterimit të përbashkët, i cili, në këtë pjesë, pranohet qysh në shekullin IV dhe njohja e kësaj “të drejte” serbëve, krahas një shtrembërimi historik, njëherësh shfaqet edhe me pasoja politike, ngaqë le të hapur një konflikt, ku rëndom “e drejta historike” përherë ka përparësi ndaj “të drejtës etnike”, ose jetësore. Sepse, kjo e dyta, në rrethanat e caktuara politike, mund të ndryshohet dhunshëm, siç është parë vazhdimisht në përvojën e hegjemonizmit dhe ekspansionizmit serbomadh në dy shekujt e fundit ndaj etnisë shqiptare, e pasqyruar me luftëra dhe tri gjenocide, deri te i fundit në vitin 1999, që u ndal me ndërhyrjen e NATO-s.