Veseli nga Tirana: Kosova nuk ndahet, duhet krijuar grupi i unitetit

Veseli nga Tirana: Kosova nuk ndahet, duhet krijuar grupi i unitetit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi kanë bërë sot një vizitë zyrtare në Tiranë ku po takojnë krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e opozitës.

Nga atje, ata kanë ftuar gjithë liderët shqiptar që të bashkohen në çështjen e dialogut me Serbinë.

Takimi i parë ishte me ish- kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha, ku pas takimit nga Tirana, Veseli tha se askush nuk mund ta ndajë Kosovën.

Ai njoftoi Berishën se Fatmir Limaj është propozuar nga institucionet e Kosovës si mandatar i ekipit të Kosovës për fazën finale të dialogut me Serbinë

“Kosova është shtet i pavarur e sovran, askush nuk mund ta dëmtojë Kosovën, askush nuk mund ta ndajë Kosovën, askush nuk mund  të ndërtojë Republika Srpska në të, nëse ne populli i Kosovës, përfaqësuesit politik, jemi bashkë, pozitë e opozitë. Ky është mesazhi që duam bashkarisht ta përqojmë.  Kosova ka nevojë të jetë bashkë në finalen e madhe. Fatmir Limaj është personaliteti të cilin ne e kemi zgjedhur si njeri i cili mund të ofrojë edhe opozitën edhe pozitën në këtë ballafaqim..  Që do të thotë nga kjo finale e madhe e dialogut, Kosova në OKB, pa alternativë, pa cenim territori, me integritet territorial me të cilin jemi njohur me 17 shkurt dhe pa Republika Srbsa në shtetin tonë sovran dhe të pavarur, Kosovën”, tha Veseli.

Ndërsa ish- presidenti Sali Berisha tha se dialogu dhe marrëveshja janë të një rëndësie të madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin në tërësi.

Sipas Berishës integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës nuk mundet të jenë në asnjë rrethanë çështje diskutimi.

“Shkëmbyem mendime të hapura për të gjitha zhvillimet në Kosovë. Është pikëpamja e palëkundur se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë është e një rëndësie të madhe jo vetëm për bashkëpunimin në mes këtyre dy vendeve, por për rajonin në tërësi. Ndaj mendimin se integriteti territorial i Kosovës, sovraniteti është dhe nuk mund të jetë në asnjë lloj rrethane çështje diskutimi. Askush nuk ka të drejtë as ligjore, ndërkombëtare as kombëtare, të hap diskutim për çështjen e kufijve të Kosovës, integritetin territorial. Personalisht denoncoj, me forcën më të madhe, përpjekjet e Beogradit për të krijuar një të ngjashme me Republika Srbska në Kosovë”, tha Berisha.

Edhe Berisha, ka ftuar partitë politike në Kosovë që të jenë unike për të krijuar një delegacion të përbashkët për dialogun me Serbinë.

Të njëjtin mendim ndau edhe zëvendëskryeministri Limaj, i cili tha se duhet të ndërtohet grupi i unitetit, pasi që sipas tij, vetëm të bashkuar Kosova do të ecë përpara.

“Duhet të jemi unik, të ndërtohet grupi i  unitetit, të merret modeli që e kemi pasur të suksesshëm në Vjenë. Të ndërtojmë platformën e përbashkët. Pozitë dhe opozitë për çështje nacionale duhet të jemi bashkë”, u shpreh Limaj.

Ai ka falënderuar ish kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen që i ka dhënë gjithmonë Kosovës.


MË SHUME NGA Aktuale