Apple paraqet produket e reja, përfshirë iPhonin e madh

Apple paraqet produket e reja, përfshirë iPhonin e madh

Kompania Apple paraqiti mbrëmë tre iPhone të rinj, ku përfshihet edhe modeli i saj më i madh dhe më i shtrenjtë deri më sot. Kjo është një përpjekje e kompanisë për t’i bërë iphonët më tërheqës në klimën e ngadalësimit të shitjeve.

Kreu i kompanisë, Tim Cook paraqiti Apple XS, i cili ka një ekran më të madh se modeli iPhone X i vitit të kaluar.

Produkti i ri do të kushtojë rreth 1,000 dollarë. Një version më i madh do të quhet iPhone XS Max, i cili në përmasa do të jetë pothuajse sa iPhone 8 Plus, por me ekran më të madh.

"Mendoj se Apple në fakt po mbush një boshllëk me iPhonin më të madh, SX Max. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos për të konkurruar produktet e Samsung-ut, sidomos Note 9, që sapo doli", thotë analistja Annette Zimmermann.

XS Max do të kushtojë rreth 1,100 dollarë, duke ia kaluar iPhone X-it, i cili dukej i shtrenjtë për 1,000 dollarë kur doli vitin e kaluar.

XS Max, i cili do të dalë në treg më 21 shtator, është një përpjekje e kompanisë Apple për të ushqyer oreksin e konsumatorëve për ekrane gjithnjë e më të mëdha, sepse shumë njerëz sot mbështeten tek telefonët inteligjentë për të parë dhe regjistruar video apo për të bërë fotografi.

"Produkti i ri përdor procesorin bionik A12. Nuk duhet nënvlerësuar fuqia që na ka dhënë Apple thjesht vetëm me këtë procesor,” thotë Tim Bajarin, Analist në firmën "Creative Strategies".

Duke e bërë iPhone-in më të shtrenjtë, kompania ka mundur të rrisë fitimet e saj, pavarësisht kërkesës në rënie, sepse njerëzit gjithnjë e më pak po blejnë versione të përmirësuara celularësh.

Kompania njoftoi edhe përmirësime në produktin e saj Apple Watch. Produkti i ri ka një ekran më të madh dhe një sensor që mund të diktojë rrahjet e çrregullta të zemrës, madje të kryejë një elektrokardiogram./VoA