Shumica pranon: do hapim garë për Teatrin e ri

Shumica pranon: do hapim garë për Teatrin e ri

Në Shqipëri shumica e majtë në pushtet pranoi se synon të ndryshojë ligjin e posaçëm për Teatrin e ri kombëtar, duke hapur një garë për ndërtimin e godinës së re dhe zhvillimin e zonës pranë saj.

“Një pikë ku ne mendojmë të ndërhyjmë e ta përmirësojmë është që mos të jetë një subjekt, por të kemi një ftesë apo thirrje të hapur për secilindo subjekt të interesuar për ta zhvilluar si projekt”, tha deputeti Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.

Ligji për Teatrin kombëtar u miratua me forcën e kartonave të shumicës në fillim të muajit korrik. Ai parashikonte ndërtimin e një godine të re moderne me fondet e shoqërisë private “Fusha” së cilës në këmbim i jepen mijëra metra katrorë të tjerë për të ngritur aty pranë, një kompleks kullash shumëkatëshe. Më shumë se sa debati nëse duhet apo jo një ndërtesë e re për Teatrin, procedura e veçantë që u ndoq në këtë rast përbënte një aspekt me dritë-hije të shumta.

Ndonëse qeveria e mbrojti me këmbëngulje zgjidhjen e saj, ndërhyrja e Komisionit europian, ekspertët e të cilit shqyrtuan ligjin, duket se çoi në ndryshimin e qëndrimit. Në fakt ishte letra e Komisionit europian ajo që njoftoi se ekzekutivi shqiptar kishte premtuar të ndërhynte në ligj. “Shërbimet e Komisionit mirëpresin angazhimin e autoriteteve shqiptare për të ndryshuar Ligjin e Posaçëm me qëllim të futjes së një thirrjeje të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit Kombëtar, ku çdo palë private mund të paraqesë një propozim për projektin”, shkruhej në letrën e cila vërente se “ ligji i posaçëm i miratuar, i cili ka paraparë një përzgjedhje të një kontraktori pa një tender të hapur, ngriti shqetësime lidhur me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik të BE , p.sh trajtim të barabartë, dhe konkurrencë të hapur”. Në letër, ndonëse shkruhej se “nuk mund të konstatohet asnjë shkelje e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, në këtë fazë” theksohej se “shërbimet e Komisionit, inkurajojnë autoritetet shqiptare që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”, transmeton VoA.

Mënyra se si do të veprohet nga ana e shumicës mbetet për t’u parë javën e ardhshme, kur do të diskutohet dekreti i Presidentit Ilir Meta i cili e riktheu ligjin në parlament duke vërejtur një sërë shkeljesh. “Ajo që po shohim si mundësi është që t’i japim të drejtën çdo subjekti që ka një ide apo koncept për të zhvilluar nga pikëpamja urbanistike të gjithë atë pjesë, ku është dhe Teatri, që të mos e pengojmë”, tha zoti Shalsi, pa dhënë më shumë hollësira.

Nga pikëpamja e procedurës, duket se shumica nuk do të kërkojë të humbë kohë, por do të pranojë dekretin e presidentit, duke bërë ndërkohë ndryshimet në ligj. Zoti Shalsi, tha se në praktikën parlamenare ka precedent të tillë, “kur dekretet amendohen”. Megjithatë pikëpyetjet mbeten, pasi, zoti Meta ka bërë një sërë vërejtjesh me të cilat, siç u shpreh kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, shumica nuk bie dakort. Kështu që nuk është e qartë se si do mund të kalojë dekreti, ndërsa pranohet të ndryshohet vetëm një pikë e kontestuar.

Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë se sa gara që synohet të hapet, do të ofrojë mundësi të barabarta konkurrentëve të mundshëm, me kompaninë e ndërtimit “Fusha” e cila e ka tashmë të gatshëm projektin.

Opozita e cila ka kundërshtuar me forcë nismën e Qeverisë duke e cilësuar atë si një aferë korruptive, përshëndeti letrën e Brukselit dhe u shpreh kundër qëndrimit të ri të shumicës. Partia Demokratike është kundër çdo ligji i cili ka për subjekt shkatërrimin dhe prishjen e Teatrit Kombëtar. “Partia Demokratike është kundër çdo ligji prek pronën publike duke e tjetërsuar atë dhe duke ia dhuruar privatit për afera klienteliste kriminale. Partia Demokratike është kundër çdo ligji i cili ka për subjekt tjetërsimin e pronës publike në varësi të pushtetit vendor pasi shkel parimet kushtetuese, u shpreh deputetja Albana Vokshi, sipas së cilës “Kushtetuta i ka fare të qartë ndarjen e kompetencave të pushteteve, të atij qendror dhe pushtetit lokal. Në momentin që kemi të bëjmë me një varësi apo në kompetencë të bashkisë për tjetërsimin e saj siç është rasti edhe i një pjesë të sipërfaqes prej 2200 metra katrorë në varësi të Bashkisë së Tiranës, kompetencë për tjetërsimin e kësaj sipërfaqe është vetëm Këshilli Bashkiak i Tiranës me votim mbi 3 të pestat”. Zonja Vokshi theksoi gjithashtu se “nëse kemi për subjekt pjesën tjetër që i përket Teatrit që është rreth 5500 metra katrorë që është në varësi të pushtetti qendror, të Ministrisë së Kulturës, atëhere është fare e qartë se Edi Rama nuk ka nevojë për një ligj të ri pasi kemi një ligj egzistues, ligjin për partneritetin publik-privat dhe ligjin e koncensioneve i cili i ka shumë të qarta procedurat që duhet të ndiqen për hapjen e një gare për ristrukturimin apo rindërtimin e Teatrit Kombëtar”.