Lindjet me prerje cezariane mund të kenë pasoja serioze

Lindjet me prerje cezariane mund të kenë pasoja serioze

Lindjet me prerje cezariane çdo ditë e më shumë po shënojnë rritje në vendin tonë. Këtë e pohon për Radio Kosovën Mirvete Paçarada, drejtoreshë e Klinikes Gjinekologjike Obstetrike në QKUK. Sipas saj, vetëm në klinikat private, lindjet me prerje cezariane kalojnë mbi 50 për qind.

Interesimi i grave për lindje me prerje cezariane po shtohet  dita ditës. Mirvete Paçarada, drejtoreshë e Klinikes Gjinekologjike Obstetrike në QKUK, thotë se statistikat e viteve të fundit lidhur me këtë dukuri janë shqetësuese.

“Deri me sot kemi pasur 7 mijë e 200 lindje normale, ndërsa prej tyre me prerje cezariane kanë qenë 2 mijë e 222 lindje. Pra, 32% e lindjeve kanë qenë me prerje cezariane. Ndërsa, në spitalet  private është pothuajse ekstrem në rritje numri i lindjeve me prerje cezariane, numri shkon mbi 50%”,tha Paçarada.

Anzotika  Kelmendi, është në pritje të fëmijës së parë. Ajo tha për Radio Kosovën se përmes këshillave të mjekut është bindur që të ketë lindje  natyrale.

“Jam në muajin e gjashtë, e mbas konsultimeve me mjekun deri tani preferohet lindja natyrale, dhe unë ua preferoj të gjitha grave që janë mirë me shëndet, ta preferojnë këtë mënyrë të lindjes”, tha Kelmendi.

 Ndërsa, Drita Gashi ka sjellë në jetë dy fëmijë, por me prerje cezariane.

“ E kam të dëmtuar veshkën dhe më është dashtë patjetër me hy në operacion. Kjo është lindja e dytë. Edhe të parin e kisha me operacion e edhe të dytin”, tha Gashi.

Por cilat janë moshat që preferojnë lindjet me prerje cezariane, shpjegon gjinekologia Paçarada.

“Kryesisht moshat e reja, por jo rrallë herë edhe ato nëna qe i kanë nga tre-katër fëmijë, tani po u bie në mend e po thonë se duan të lindin me operacion. Komplikimet te lindjet me prerje cezariane munden me qenë të shumta: dukë filluar nga anestezioni edhe plaga operative. Nëse natyra e ka lënë një rrugë normale për një lindje normale,pse më hap një rrugë tjetër, ku komplikimet operative mund të jenë të mëdha”, tha Paçarada.

Gratë shtatzëna që nuk kanë probleme shëndetësore duhet të kenë lindje natyrale, përndryshe pasojat pos operative mund të jenë serioze,  këshillon Paçarada.

Autor: Vaide Morina