Me çka i përballë britanikët Brexiti pa marrëveshje?

Me çka i përballë britanikët Brexiti pa marrëveshje?

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney ka paralajmëruar kabinetin se një Brexit pa marrëveshje me Bashkimin Evropian mund të çrregullojë çmimet e shtëpive dhe të rezultojë me një tjetër goditje për ekonominë.

Carney është takuar me ministra të lartë për të diskutuar rreziqet e një largimi të parregullt nga BE-ja më 13 shtator në Londër.

Skenari i tij më i keq parasheh që, çmimet e shtëpive mund të ulen deri në 35 përqind në tri vjet, ka thënë një burim për BBC-në.

Ky paralajmërim kthen vëmendjen në komentet paraprake të kësaj banke.

Banka e Anglisë vazhdimisht kryen testime për të mësuar nëse sistemi bankar mund të përballojë goditje financiare ekstreme.

Testimi i fundit i këtij niveli është kryer në muajin nëntor, kur është thënë se rënia e çmimeve të shtëpive për 33 përqind përbën skenarin më të keq të Brexitit.

 

Lexoni edhe këtë:

Boris Johnson parashikon "fitore" të BE-së në negociatat për Brexit

 

Në disa raporte është thënë se Guvernatori i Bankës ka deklaruar në takim se normat e hipotekave mund të krijojnë spirale të ndryshimit, vlera e funtës mund të bie dhe pronarët e shtëpive do të përfundojnë me kapital negativ.

Carney, i cili është pajtuar për të qëndruar në këtë pozitë, si drejtues i bankës deri më 2020, është përballur me kritika të ashpra në të kaluarën pasi përkrahësit e Brexitit e kanë akuzuar atë për kundërshtim të ideve të tyre dhe përkrahje të idesë për qëndrim të Britanisë brenda BE-së.

Këto komente kanë nxitur euroskeptikun, Jacob Rees-Mogg që ta cilësojë Carneyn si “kryeprift të Projektit Frika”, derisa ish-ministri, Duncan Smith, ka thënë se “nuk do të ketë diçka të tillë si Brexit pa marrëveshje”.

Plane për çdo skenar

Pas takimit të zhvilluar në Downing Street, zëdhënësi i kryeministres britanike, Theresa May, ka thënë se ministrat vazhdojnë të kenë besim në arritjen e një Brexiti me marrëveshje, mirëpo duhet të përgatiten për gjithçka.

“Si Qeveri e përgjegjshme, neve na duhet të planifikojmë çdo eventualitet. Kabineti është pajtuar se largimi ka pak mundësi të ndodhë, mirëpo nuk është i pamundshëm”, ka thënë ai.

Ky takim ka qenë vetëm një prej pjesëve të diskutimit që janë planifikuar për të shqyrtuar skenarin, i cili parasheh largimin e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje paraprake.

Deri më tani, pas secilit takim, autoritetet kanë publikuar informacione për fusha të ndryshme.

Telefoni dhe veturat

Në dokumentet e së enjtes, është njoftuar se ngasësve të makinave në Mbretërinë e Bashkuar mund t’iu duhet leje ndërkombëtare nëse duan të drejtojnë veturat në vendet e BE-së, pas Brexitit.

Qeveria ka thënë se mas marsit të vitit 2019, “licenca e ngasjes mund të mos jetë valide” në BE.

Në këtë dokumentacion po ashtu janë paralajmëruar britanikët se nëse synojnë të udhëtojnë në BE, duhet të sigurohen se pasaportat e tyre janë të vlefshme edhe për gjashtë muajt vijues.

Përveç tjerash, shtetasit britanikë është thënë se mund të përballen edhe me çmime shtesë sa i përket roamingut.

Në një intervistë dhënë BBC-së, Sekretari britanik për Brexit, Dominic Raab, ka thënë se Qeveria është duke punuar pasi i di nevojat e konsumatorëve, mirëpo ka pranuar se operatorët evropianë mund të rrisin çmimet.

“Nuk mund të garantoj sigurt. Unë mund të them se në atë rast Qeveria do të përcaktojë kufizime rreth mundësisë për çmime shtesë që mund t’iu vendosen konsumatorëve”, ka deklaruar ai./REL