Nga qershori i vitit të ardhshëm, pacientët s`do të blejnë më barna

Nga qershori i vitit të ardhshëm, pacientët s`do të blejnë më barna

Është bërë hapja e një reparti të Klinikës Emergjente në QKUK, pas rinovimit të saj, të financuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Në hapjen e kësaj pjese të rinovuar të Klinikës, kanë qenë të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari i Kosovës,Kadri Veseli, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani..

Me këtë rast ata premtuan se do vazhdojnë të punojnë në sistemin e shëndetësisë për të ofruar kushte sa më të mira për qytetarët, duke premtuar edhe rritje të pagave për personelin mjekësor.

Haradinaj me këtë rast shprehi falënderimi ndaj ministrit, Uran Ismaili, që sipas tij po bën rinovimin në tërë shëndetësinë...

“Kjo është një e arritur e Shëndetësisë së Kosovës. Është rinovuar reparti i Emergjencës që është shumë i nevojshëm për qytetarët. Shprehi falënderim ndaj ministrit se po rinovohet shëndetësia në tërësi. Falënderojmë edhe personelin mjekësor të cilët i kemi më të mirët në botë edhe përkundër që ju kanë kushtet, por ato tani po i përmirësojmë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Veseli, ka treguar se tashmë është marrë vendimi për rritjen e pagave për gjithë personelin mjekësor. Ai ka premtuar se nga qershori i vitit të ardhshëm, pacientët nuk do kenë më nevojë të blejnë barna.

“ Po më gëzon fakti që ka kaq interesim. Falënderoj punonjësit e shëndetësisë, ata bëjnë një punë të jashtëzakonshme edhe pse nuk i kanë kushtet e mira. T’i dalim përballë me të gjitha përgjegjësit që i kemi punonjësve. Shëndetësia është e shtrenjtë, por jemi të vendosur të shkojmë deri në fund, që qytetarët tanë të trajtohen dhe të mos kenë nevojë të dalin jashtë vendit për trajtime. Kemi personelin shëndetësor më të mirë në botë sic tha edhe kryeministri.  Që në fillim kemi marr vendim që t’i ngrisim pagat për gjithë personelin mjekësor. Deri në mesin e vitit të ardhshëm,asnjë pacient nuk do ketë nevojë të blejë barna në mënyrë private. Do punojmë bashkërisht, për t’ju ofruar qytetarëve kushte sa më të mira.

Ndërsa, ministri Ismaili ka thënë se janë duke punuar që deri në fund të vitit 2019 të mund të ketë sigurime shëndetësore për qytetarët.

Ndërsa, sa i përket rinovimit të repartit, ai tha se ka qenë shumë i nevojshëm dhe se tani do të ketë shërbime më të mira për qytetarët, pasi deri tani kanë munguar ato.

Sipas tij, i gjithë investimi ka kushtuar 450 mijë euro.

“Tani është një siguri më e madhe për pacientët, për punëtorët. Rreth 200 mijë qytetarë vijnë në këtë vend. Kështu që tani qytetari nuk ka nevojë të mendoj që ta sjellë dikush këtu, stafi do të merret me të. Kanë punuar në kushte të vështira, ndërsa tani i kanë kushtet e rregulluara”, ka thënë Ismaili.

Ndryshe, përveç ndryshimeve fizike, kjo klinikë është pajisur edhe me aparaturë të re.