Dervish Goxhuli, anekdotist, humorist, poet dhe këngëtar popullor

Dervish Goxhuli, anekdotist, humorist, poet dhe këngëtar popullor

Drenica është një ndër trevat më të njohura të Kosovës, e cila që nga antika e deri më sot ka qenë e banuar me popullsi iliro-arbërore-shqiptare.

Shkruan Fazli Hajrizi

Shtrihet midis Rrafshit të Dukagjinit dhe Fushës së Kosovës. Ajo shpeshherë gjatë historisë u bë faktori më determinues i qëndresës sonë kombëtare. Është një ndër sheshet e moçme të ndeshjeve të mëdha e të përgjakshme, të përleshjeve titanike kundër pushtuesve të ndryshëm. Fshati Makërmal gjendet në zemër të Drenicës. Në këtë fshat lindi, jetoi dhe vdiq Dervish Goxhuli, një ndër personalitetet më të dalluara të folklorit shqiptar, i cili u shqua si anekdotist, humorist, poet (vjershëtar), këngëtar popullor, pajtimtar etj. Që kur ishte i ri u dallua nga moshatarët e tij me mendjemprehtësinë, zgjuarsinë dhe inteligjencën e lartë. Në odat e fshatit Makërmal, aty ku më të vjetrit flisnin mençurisht me gjuhën e tërthortë (me mesele) dhe kërkonin nga të rinjtë që të sqaronin çështje me domethënie të caktuara a të zgjidhnin enigma të ndryshme, Dervishi, duke qenë një fëmijë shumë i talentuar e mendjemprehtë, i pari jepte përgjigje adekuate. Pra, qysh në moshë të re ai ka treguar prirje në lëmenj të ndryshëm, sidomos për humor dhe këngë. Njëherë në një odë, derisa po u shërbente pleqve që ishin mbledhur për të biseduar për disa çështje serioze, ia kishin dhënë fjalën edhe Dervishit. Posa kishte shqiptuar fjalët e para, të gjithë kishin filluar të qeshin me ashk të shpirtit e zemrës, përveç plakut të mençur, Aruq Gjinofcit, i cili u ishte drejtuar të pranishmëve me këto fjalë: “Ky djalë, pa folë hiç, ma çoi gazin si hyna n’odë. Mbani n’men këtë dalldysh. Ky, kur t’rritet, ka me ja kapërcye Nastradinit edhe krejt dynjanë ka m’e shti me qeshë e me mendue!”

Dervish Goxhuli ka qenë njëri ndër drenicasit më të talentuar të kohës së vet. Ai është dalluar si njëri ndër bartësit e tregimit popullor, anekdotisti më i talentuar i kohës së tij, vjershëtori më i mirë popullor, autor i dhjetëra këngëve më të mira historike, interpretues i shkëlqyeshëm i eposit tonë legjendar (këngëve kreshnike), përdorues i shkëlqyeshëm i lahutës, ekzekutues shumë i mirë i çiftelisë dhe veglave të tjera (fyellit, gajdes etj.). Pra, ai njihet jo vetëm si humorist i hollë e elegant, por edhe si këngëtar e instrumentist virtuoz. Duke qenë njeri me shpirt të dëlirë e zemër të bardhë, ai kishte shumë miq e dashamirë që e adhuronin pa fund çdo gjë që krijonte. Kështu, i siguroi vetes emër të paharrueshëm midis popullatës së Drenicës, të Llapit, të Pogdurit, të Shalës së Bajgorës, të Dukagjinit dhe kudo që i ra fati të këndojë e të qëndrojë qoftë edhe për një a dy ditë.

Dervish Goxhuli ka adhuruar folklorin, këtë thesar shumë të çmuar të botës shpirtërore të popullit tonë. Duke u ushqyer me përralla, legjenda e gojëdhëna të bukura, ai u poq më herët se moshatarët e tij, të thuash, para kohe. Më tepër i bënin përshtypje anekdotat, proverbat dhe këngët popullore. E donte folklorin muzikor, sidomos këngët popullore humoristike e satirike, pastaj ato kreshnike dhe të trimërisë (historike), këngët sociale, të dashurisë si dhe këngët malësorçe (të majekrahut). Muzika e tij folklorike, këngët e ndryshme (legjendare, historike, malësorçe etj.), u bënë letërnjoftim i Drenicës, Kosovës dhe mbarë trojeve shqiptare. Në Drenicë ka qenë lahutari më i mirë, këngëtari më i pasionuar i këngëve kreshnike, vjershëtar i dalluar popullor si dhe korife i këngës malësorçe.

Dervish Goxhuli, gati sikurse të gjithë shqiptarët në atë kohë, nuk ka pasur mundësi të ndjekë shkollimin dhe, nëpër institucione arsimore, të ngrihet në aspektin intelektual. Siç dihet, në periudhën e sundimit turk e atij serb shkollat në gjuhën shqipe kanë qenë të ndaluara për popullin tonë. I vetmi institucion ku shqiptarët mund të merrnin njohuritë e nevojshme dhe të domosdoshme, ishte oda. Jo vetëm Dervishi, por edhe shumë shqiptarë të tjerë zgjuar e mendjemprehtë, po të kishin kryer shkolla të rregullta: fillore, të mesme dhe të larta, me siguri do

të dalloheshin si personalitete të shquara jo vetëm në përmasa kombëtare, por edhe botërore. Sot do të kishim më shumë emra të njohur në fushën e letërsisë e muzikës, të historisë e filozofisë, të shkencës e mjekësisë...

Duke qenë se ka qëndruar shumë gjatë kohë nëpër kullat e odat e njohura të Drenicës, Shalës, Llapit, Podgurit e të Rrafshit të Kosovës, ai ka njohur shumë njerëz të mençur me të cilët ka ndenjur dhe ka shkëmbyer mendime. Në odat tona të njohura dikur mblidheshin njerëz të ditur, ku kuvendonin, merrnin lajme e vendime, bënin pleqni e merreshin vesh për çështje të ndryshme, shtronin kërkesa, lidhnin besën etj. Odat shqiptare në atë kohë, siç thamë, kanë luajtur rolin e shkollës dhe funksione të tjera. D. Goxhuli ka dominuar në to, duke kënduar këngë kreshnike me lahutë e çifteli. Ai ka hyrë në panteonin kulturor sidomos me anekdotat e tij të mrekullueshme, me humorin e satirën e mirëfilltë. Humori i hollë, që mbeti një nga prirjet më të veçanta të tij. ishte kripa e të gjitha bisedave që zhvilloheshin. Ai shpesh ka përqeshur jo vetëm njerëzit e pushtetit, sidomos xhandarët shqiptarë, mynafikët (spiunët, hafijet), por edhe me disa hoxhallarë injorantë e prijës sharllatanë të kohës. Për t’i stigmatizuar dukuritë negative, humori dhe satira ishin arma më e fortë e tij. Ndodhte që disa e lavdëronin me fjalë të zgjedhura e plot lajka, por Dervishi, duke qenë psikolog, ua lexonte shpirtin e mendjen, prandaj këtyre lajkatarëve që shpesh ia thyenin shpirtin dhe e zhgënjenin thellë, u përgjigjej në mënyrë mjeshtërore me humorin e satirën e tij therëse e të pashembullt. Një plak në xhaminë e Polacit, pasi e kishte dëgjuar bisedën e hoxhës dhe të Dervishin, midis tjerash, kishte thënë: “Kundër të keqes ma i fuqishëm asht nji i ditun se njëqind besimtarë të paditun!” . Kjo fjalë i kishte djegur hoxhës, por plaku kishte shtuar edhe këtë: “Çdo send asht nji send e padija asht kurrnjisend!”

Dervish Goxhuli ka kënduar disa nga këngët më të mira epike legjendare. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve të tij, ai ka kënduar më shumë këngë kreshnike, të cilat i ka përcjellë kryesisht me lahutë. Lahuta është vegla më e vjetër ndër të gjitha të tjerat me hark. Atë më së shumti e ka adhuruar dhe preferuar Dervishi dhe e quante “lavdë” sepse me të u këndonte lavde trimave. Kur Dervishi këndonte këngë kreshnike, rrëfejnë më të vjetrit, dukej sikur zëri i tij nuk i dilte nga fyti, po nga gjithë luginat e grykat e Bjeshkëve të Qyqavicës. Ngjante sikur malet, shpatet, pyjet e bjeshkët ishin shkrirë në shpirtin e tij. Kur merrte lahutën në dorë dhe niste t’u këndonte kreshnikëve, edhe vetë dukej sikur kthehej në një gjysmë kreshnik. Në këto këngë ai ka përmendur jo vetëm vendndodhjen e ngjarjeve, por edhe shumë protagonistë, si: Mujin e Halilin, Tanushën, Ajkunën, Ganiçe Galanin, Nikollë Bajraktarin, Dylberen e Bardhë, Arrnaut Osmanin, Ali Bajraktarin, Bellov Kapetanin, Zukë Bajraktarin, Aga Emin Agën, Kraleviqe Markun, Gjergj Elez Alinë e të tjerë. Për fat të keq, asnjëra nga këto këngë nuk është shënuar drejtpërdrejt nga goja e tij. Në kujtesën e brezave ka mbetur i pashlyer vargu lapidar “Fort po shndrit ky diell e pak po nxen!”

Dervish Goxhuli ka qenë poet i shquar popullor. Dhjetëra këngë i ka krijuar vetë dhe i ka kënduar me lahutë e çifteli. Kontribut më të madh i ka dhënë epikës historike. Këngët e tij, disa prej të cilave janë më të bukurat e këtij lloji në folkloristikën tonë, janë përmendore me fjalë për heronjtë që dhanë jetën për lirinë e vatanit. Në mullirin e Mehmet agës, ku punonte, ai ka takuar shumë njerëz. Mulliri ishte një vendtakim edhe për marrëveshje që bënin njerëzit e lëvizjes për çlirim. Aty shpesh kanë gjetur strehim të sigurt luftëtarë të lëvizjes kaçake. Jo vetëm fshatarët, por edhe vetë xhandarët shpesh flisnin për bëmat e Azem Bejtës dhe të bashkëluftëtarëve të tij. Shumë ngjarje historike dhe personazhe, pra bartës të tyre, D. Goxhuli i ka përjetësuar me mjeshtri artistike në këngët historike që i ka krijuar në Mullirin e Popit. Në mullirin ku punonte, mu aty ku nuk prante natë as ditë “vrapi” e zhurma e “çakallës” (trokashkës), ai ka thurur vargje plot frymëzim për heronjtë, si: Ahmet Delinë, Azem Galicën, Lec Gradicën, Dan Dorocin, Nak

Berishën, Kamer Loshin, Zenel Lekun - Baicën, Zeqë Veliqin1 etj. Studiuesi Anton Çetta në shkrimin e tij “Dervish Goxhuli, humorist dhe këngëtar popullor i Drenicës”, duke u mbështetur në pohimet e Avdyl Istogut nga fshati Polluzhë, midis tjerash, shkruan: “Dervish Goxhuli ia ka qitë kangën Ahmet Delisë në Mulli të Mehmet Agës në katundin Llaushë dhe për këtë këngë Murseli e pati shpërblyer me njëqind okë grurë. Fakti se Dervishi ka qenë këngëtar gjysmë profesionist e ilustron edhe anekdota “Kanga për tre buçuk elb”. Këngët historike që i ka krijuar dhe i ka kënduar Dervish Goxhuli, kanë porosi (mesazhe) shumë të qarta: “Burrë i mençëm kush don me kanë,/ punës t’keqe hyzmet s’i ban” (Kanga e Azem Bejtës”); “Des për ta (komshiun, fqinjin), sikur des për ty! (“Kanga e Ahmet Delisë”).

Dervish Goxhuli ishte njëri ndër prozatorët më të mirë jo vetëm në Drenicë, por edhe më gjerë. Ishte arkitekt i fjalës, debatues ngjarjesh, filozof popullor, humorist, frymëzues, por edhe demaskues i dukurive, i karaktereve shoqërore e individuale, qortues i rreptë i vlerave të rrejshme njerëzore... Shumica e krijimeve humoristike të shakaxhiut Dervish Goxhuli nuk ekzistojnë më, janë harruar, pra kanë humbur së bashku me brezin e tij dhe atë që ka ardhur më vonë. Për shkak të rrethanave të kohës, kur mbi nëntëdhjetë e pesë për qind e popullatës ishte analfabete, krijimtaria e tij dhe e të tjerëve nuk është shënuar në letër. Ajo vetëm është bartur gojë më gojë. Ata pak njerëz që dinin shkrim e këndim në atë kohë, nuk e kanë pasur as idenë se ajo ishte një periudhë historike që mund të mos kthehej më. Tash, pas tetëdhjetë vjetësh, përpjekja jonë për të rreshtuar veprimtarinë e Dervish Goxhulit, është jashtëzakonisht e vështirë. Ne sot po ua ofrojmë lexuesve vetëm atë që ka mbetur, pra atë që është ruajtur deri tek ky brez. Madje edhe në këto pak njësi që na kanë arritur deri më sot, është vështirë t’i veçojmë e t’i dallojmë janë apo jo anekdota origjinale të Dervishit. Disa nga anekdotat mund të jenë edhe të humoristëve të tjerë të mëvonshëm, mirëpo, tashti, si në orientin e lashtë, ku çdo gjë i atribuohej (vishej) Nastradinit, kanë gjetur strehë në autorësinë e Dervish Goxhulit. Në të gjitha anekdotat e shënuara nga Anton Çetta, Halil Kajtazi, Mehmet Rukiqi, Salih Zogiani e të tjerë, dihet, nga bashkëkohës apo breza të tjerë të Dervish Goxhulit, që kanë si protagonist nismëtarin e gaztorin e tyre, shkaktojnë humor të mirëfilltë dhe përshkohen nga një satirë a sarkazmë e mprehtë. Meqë anekdotat dhe këngët e tij janë shënuar nga tregimtarë e këngëtarë të ndryshëm, madje edhe në kohë të ndryshme, shumica prej tyre (anekdotave e këngëve) dallojnë mjaft jo vetëm në përmbajtje, por edhe në gjuhë, stil etj.

Dervish Goxhuli është çmuar në Drenicë e më gjerë jo vetëm si hokatar e këngëtar, por edhe si njeri i drejtë e mendjemprehtë. Ai ka marrë pjesë në zgjidhjen e shumë kontesteve e problemeve së bashku me pleqtë tjerë më në zë. Ishte njeri jo vetëm i drejtë dhe i paanshëm, por edhe trim i vendosur sepse asnjëherë nuk tërhiqej nga kërcënimet e më të fuqishmëve. Duke qenë se ishte i varfër, fjala e tij në atë kohë nuk e kishte efektin e madh dhe të duhur.

Libri “Dervish Goxhuli, anekdotist, humorist, poet dhe këngëtar popullor”, i cili ka parathënien dhe pasthënien, ndahet në pesë pjesë:

1. Pjesa e parë përmban shënime për Drenicën: shtrirjen, përkufizimin, popullsinë dhe historinë e saj të lavdishme. Në këtë pjesë bëhet fjalë edhe për pasurinë shpirtërore të kësaj krahine etnografike.

2. Në pjesën e dytë përfshihen të dhëna për fshatin Makërmal, vendlindjen e Dervish Goxhulit: pozitën gjeografike, etimologjinë e emrit, popullsinë, degët e veprimtarisë etj.

3. Në pjesën e tretë ofrohen të dhëna për jetën e Dervish Goxhulit, të këtij personaliteti të kulturës sonë, i cili është shquar si instrumentist e këngëtar, si humorist e anekdotist, vjershëtar popullor etj.

4. Pjesa e katërt përmban anekdota të Dervish Goxhulit dhe të tjerëve për të. Disa prej tyre janë shënuar e botuar nga Anton Çetta, Mehmet Rukiqi, Halil Kajtazi, Salih Zogiani etj., por edhe mjaft të tjera i kam shënuar unë që në këtë libër publikohen për herë të parë. Anekdotave iu paraprin gjithashtu një shkrim imi, ku bëhet fjalë për përmbajtjen e tyre, humorin e satirën, mesazhin, vlerën artistike etj.

5. Pjesën e pestë përmban një shkrim timin, ku flitet për përmbajtjen, për personazhet, për vlerën artistike të këngëve që i ka krijuar dhe i ka kënduar Dervish Goxhuli.

5. Në pjesën e gjashtë janë përfshirë këngët historike që i ka krijuar dhe i ka kënduar D. Goxhuli. Këto këngë kushtuar heronjve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare Kaçake, si: Sylë Rezallës, Ahmet Delisë, Azem Galicës, Lec Gradicës, Zenel Baicës, Nak Berishës, Dan Dorocit dhe Kamer Loshit, këndohen edhe sot e kësaj dite dhe janë krijimet me vlera të larta artistike.

Idenë për të shkruar këtë libër ma ka dhënë shkrimtari Daut Demaku, i cili më ka ndihmuar dhe këshilluar gjatë mbarështimit të tij. Falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në daljen në dritë të këtij libri, sidomos redaktorin dhe recensentin.