Sejdiu: Mjekët janë suspenduar për shkak se kanë munguar në punë

Sejdiu: Mjekët janë suspenduar për shkak se kanë munguar në punë

Suspendimet e fundit në QKUK nuk kanë ndodhur për qëllime politike apo personale, ato kanë ndodhur vetëm për shkak të mungesës së individëve në vendin e punës.

Kështu ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, me ç'rast ka thënë se krejt këto janë bërë për pacientin.

Sejdiu në një konferencë për media ka theksuar se askush nuk do të jetë i privilegjuar, ndërkohë që shtoi se nuk do të ketë tolerime për individë të caktuar.

 "Iu them shumë korrekt që asnjë masë që të dëmtojë individin. Nëse merren masa ndaj dikujt nuk do të thotë se janë politike apo personale. Kom pa nëpër media që janë komentu individët që janë suspendu. Kam parë se dikush i ka mbrojtur ata që janë suspendu. Anarkia e rrezikon pushtetin. Rastet e fundit të suspendimit kanë ndodhur për shkak të mungesës së tyre në vendin e punës. Në kujdestari, një vonesë 10 minuteshe na ngarkon neve si institucion", tha ai.

 Sejdiu pati përgjigje edhe sa i përket zërave që janë suspenduar mjekët e mirë, me qëllim që të favorizohen të tjerë.

"Arsyetimi se dikush është profesionist i madh dhe do të mbetet keq institucioni. Çdo mjek dhe infermier çdo mjek në kujdestari duhet ta dijë se duhet të jetë në orar çdo minutë. Vetëm një të shtunë një mjek merr diku rreth 170 euro për kujdestari", shtoi ai.

Sejdiu ka mohuar në këtë rast se po e luan rolin e inspektorit, porse janë komisionet ato që kanë bërë inspektimet. Sipas tij, asnjë suspendim nuk ka ndodhur pa fakte.

 "Nuk është luajtur roli inspektorit. Por roli i drejtorit nuk është vetëm në zyrë, çdo gjë që bëhet për të mirën e pacientit është e mirëseardhur", u shpreh ai.

Edhe Alban Janova, kryetar i komisionit disiplinor, bëri të ditur se kryetari ShKSUK-së ka të drejtë të inspektojë, pasi që është në kompetencën e tij të inspektojë. Ndërsa ka sqaruar se pse është përjashtuar e nuk është suspenduar si kolegët e tjerë, doktori Sami Salihu.

 "Sami Salihu ka pasur një aksident. Më 2 maj 2017 është deklaruar se do të vijë në punë. Prej atëherë i ka për 4 muaj 4 ditë punë. Nuk ka bashkëpunuar as me komisionin disiplinor. Fjala kryesore e tij ka qenë 'kam mendu që institucioni ka nevojë për mua e jo unë për institucionin'. Ai e ka përjashtuar vet veten me publikimin e ftesës për pacientë në spitalin 'Sihona', ku i ftonte ata që të shkojnë çdo të martë dhe të enjte për vizitë në atë spital", tha Janova