Kosova e para në rajon për nga numri i të prekurve me Tuberkuloz

Kosova e para në rajon për nga numri i të prekurve me Tuberkuloz

Kosova mbetet e para në rajon me numrin më të madh të të prekurve nga sëmundja e tuberkulozit. Vetëm në vitin e kaluar nga kjo sëmundje janë prekur mbi 700 persona. Ministria e Shëndetësisë deri në vitin 2021 do të mbulojë të gjitha shpenzimet për trajtim të kësaj sëmundjeje.

Numri i të prekurve me tuberkuloz në Kosovë gjatë  vitit të kaluar ka arritur në 721 pacientë. Për këtë vit Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ende t’i regjistrojë  sa persona janë prekur nga kjo sëmundje, por që thonë se shifra mund të jetë e afërt me atë të vitit paraprak.

Pulmologu Bahri Thaçi ka folur për Radio Kosovën rreth manifestimit të kësaj sëmundjeje.

TBC është një sëmundje infektive, ku përhapja bëhet në mënyrë aerogjenë, që do të thotë nga i sëmuri tek i shëndoshi bakteri i TBC-së kalon kryesisht përmes ajrit, gjatë kollitjes, teshtitjes, qeshjes, të folurit. Kështu pacienti hedh në ajër një  numër jashtëzakonisht të madh të bakterit bacil, ku përmes frymëmarrjes i merr pacienti tjetër dhe rrezikon vetën që të sëmuret ”, ka thënë ai.

Doktor Thaçi thotë se për këtë sëmundje punohet edhe në parandalim edhe në shërim. Çdo i porsalindur vaksinohet kundër TBC, por që jo çdo herë mund të mbrohemi edhe përkundër vaksinimit.  Mbrojtësi më i mirë nga kjo sëmundjeje është zbulimi me kohë i të prekurve nga TBC , izolimi dhe mjekimi, thotë Thaçi.

“ Është e paraparë se një njeri i sëmur nga TBC i infekton 10 njerëz të shëndoshë, mirëpo për fat të madh nga ata 10  të shëndoshë nuk sëmurën të gjithë edhe pse i marrin bacilet apo bakteret, sëmuret vetëm ndonjë individ më i rrallë”, thotë Thaçi.

Pulmologu Thaçi tregon se njeriu mund të preket që nga fëmijëria më bacilin e TBC-së, por asnjëherë nuk mund ta dijë se kur do të sëmurët. Dobësimi i organizmit, mos ushqyerja, sëmundjet e rënda të organizmit, shqetësimi, pagjumësia  e favorizojnë këtë sëmundje. Kjo sëmundje i prek më shume të moshuarit dhe fëmijët, por edhe personat me imunitet të dobët, shton ai.

Koordinatorja Kombëtare për TBC nga Ministria e Shëndetësisë, Majlinda Gjocaj, ka thënë për Radio Kosovën se Kosova ende prin e para në rajon për nga numri i të prekurve me sëmundjen e tuberkulozit.

“Në vitin 2017 ne kemi rreth 721 njerëz të prekur nga sëmundja e tuberkulozit, Kosova prin në vendet e regjionit sa i përket të të prekurve nga tuberkulozi”, thotë  ajo.

Sipas Gjocaj,  gjatë tri viteve numri i personave të prekur nga kjo sëmundje është përafërsisht i njëjtë.

Por që në Kosovë nuk po bëhen fushata vetëdijesuese sa duhet, e pranon edhe vetë Gjocaj, e cila thotë se zakonisht kujtohemi vetëm një herë brenda vitit.

“’Ne zakonisht për tuberkulozin kujtohemi vetëm për ditën botërore të TBC, fatkeqësisht. Ne jemi duke bërë disa planifikime për aktivitete për tri vitet e ardhshme, ku do të mundohemi të rrisim aktivitetet që i përkasin mobilizimit social. Ne na nevojitet më shumë një edukim i lartë shëndetësor i popullatës, rreth faktorëve që e shkaktojnë TBC, qysh duhet mu ruajt nga TBC, sa i rrezikshëm është e shumë të tjera”, thotë ajo.

Për herë të parë Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka mbuluar vlerën e duhur financiare për të trajtuar dhe menaxhuar këtë sëmundje me sukses, për tri vite e që ishte 220 mijë euro.  Deri ne vitin e kaluar ishte Organizata Ndërkombëtare “Fondi Global” e cila kishte ndihmuar Kosovën në këtë aspekt.

Autor: Arbenita Marmullaku, Radio Kosova