Zejnullahu: Shqiptarët në Bosnje popull i getoizuar

Zejnullahu: Shqiptarët në Bosnje popull i getoizuar

Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në Bosnje Hercegovinë, Muharrem Zejnullahu, njëherësh konsulli i Përgjithshëm i Nderit të Republikës së Shqipërisë në BeH, në një intervistë për Radio Kosovën thotë se shqiptarët në Bosnje konsiderohen si popull i getoizuar, për shkak të pamundësisë së lëvizjes së lirë dhe mos njohjes së dokumenteve të udhëtimit nga dy vendet.

Sa i përket korrigjimit eventual të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, kjo do të reflektojë edhe në Bosnje dhe si pasojë mund të ketë destabilizim të Ballkanit Perëndimor.

RK: Z. Zejnullahu, ju jeni përfaqësues i shqiptarëve në Bosnje e Hercegovinë, na flisni pak për pozitën e shqiptarëve atje, si  jetojnë, si është trajtimi i tyre nga ana e institucioneve në Bosnjë?

M. Zejnullahu: “Sa i përket shqiptarëve në Bosnje e Hercegovinë unë them që ne si komunitet pakicë jemi të pranuar si të gjitha pakicat e tjera edhe me ligj të veçantë ashtu si pakicat tjera, të pranuar si pakicë kombëtare. Kemi të gjitha të drejtat e organizimit, qoftë në shoqata, qoftë në klube, qoftë edhe në subjekte politike, por problem kryesor i shqiptarëve, në veçanti i ne kosovarëve që jetojmë këtu, paraqet një çështje që ka të bëjë me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Bosnje e Hercegovinës, dhe më konkretisht problem i shqiptarëve është mos njohja e tërë dokumentacionit të Kosovës nga BeH, që neve na paraqet një problem shumë të madh dhe të pazgjidhur aktualisht për të gjitha problemet tona.

RK: A mendoni se autoritetet në Bosnje nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pasi mund të jenë të ndikuara nga Serbia, apo ka të bëjë ndonjë interes tjetër shtetëror I Bosnjës?

M.Zejnullahu: “ Sigurisht që ka ndikim edhe Beogradi, influence e tyre me Banja Llukë  ose të lidershipit serb në entitetin “ Republika Srpska” është shumë i madh, prandaj ndikimi është aty prezent, por problem tjetër është se jo vetëm që nuk njihet pasaporta, BeH nuk njeh asnjë certifikatë të lindjes as të vdekjes, asnjë vërtetim tjetër që ne shqiptarëve në veçanti që vijmë nga Kosova na hyjnë në punë për problemet tona. Por problem  më i theksuar është lëvizja jonë e lirë. Ne e ndiejmë vetën këtu sitë getoizuar, në kuptimin se na është ndalur çdo mundësi e lëvizjes së lirë, në radhë të parë të familjarëve tonë. Një aspekt tjetër është se jo vetëm Bosnja që nga kufizon kështu, por edhe Qeveria e Kosovës me vendimin e reciprocitetit të vizave me Bosnje e Hercegovinë, neve shqiptarëve të Kosovës nuk na kanë përjashtuar nga kjo çështje, kështu që ky është problem i veçantë edhe për të ardhur në Kosovë. Prandaj, siç thashë, jemi të getoizuar nga dy qeveritë në mënyrë të barabartë.”

RK: Flasim edhe pak për shqiptarët atje, sa është numri i tyre dhe si është i përfaqësuar komuniteti shqiptar në Bosnje?

M. Zejnullahu: “Numri i shqiptarëve në BeH për çdo vit dhe çdo dekadë zvogëlohet, dikur vetëm Sarajeva me regjistrimin e vitit 1971 ka pasur diku mbi 18 mijë të deklaruar. Ndërsa regjistrimi i fundit i vitit 2013 ende nuk është dalë për asnjë komunitet, por në regjistrimin e vitit 1991 në tërë Bosnjën janë deklaruar rreth 4 mijë persona. Me statistikat tona si bashkësi shqiptare, vetëm Sarajeva i ka diku rreth 5 mijë shqiptarë sot. Në federatë, me statistikat tona, numri i shqiptarëve shkon diku rreth 11 mijë, ndërsa në Republika Srpska ai numër është shumë i vogël, ndoshta 10-15 veta, nuk ka më shumë.

Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në asnjë nivel të pushtetit. Jo vetëm shqiptarët po asnjë pakicë tjetër nuk kanë të drejtë të kandidohen për çdo funksion, qoftë prej kantoni federate edhe në nivel shtetërore, sepse ligji zgjedhor nuk ua jep atë mundësi. Edhe në këto zgjedhjet e tetorit, me 7 tetor ka shqiptarë që janë kandiduar dhe janë në lista të subjekteve politike, por pozicioni i tyre ku janë në lista nuk u jep shans  të zgjidhet ndokush prej tyre si deputet, qoftë në kanton, qoftë në federatë apo nivel shteti..

RK: A shihni ju se ka interesim nga ana e institucioneve të Kosovës që të ofrohet një zgjidhje për komunitetin shqiptar atje?

M.Zejnullahu: “ Unë kam pasur rastin që të bisedoj me shumë zyrtarë të lartë të Kosovës rreth këtij problem, secili në mënyrë të veçantë është shprehur i gatshëm të ndihmojë, por që kërkojnë që një hap konkret ta ndërmarrë BeH, së paku në njohjen e dokumenteve. Ne kemi kërkuar që hëpërhë deri sa të mos vijë te një situatë tjetër politike në BeH, e pak ka gjasa që ajo të ndodhë, sepse vetë fakti që për anëtarë të presidencës nga Republika Srpska është kandiduar Milorad Dodik, do të thotë se situata në Bosnje edhe në rrafshin e brendshëm por edhe të jashtëm do të keqësohet edhe më tepër, edhe nuk presim që diçka të ndodh në atë drejtim që Bosnja së paku t’i pranojë dokumentet, por presim që Qeveria e Kosovës, neve shqiptarëve në veçanti që i kemi familjet tona, që jemi nga Kosova, të na mundësojë të pajismi me dokumente përkatëse ose të na mundësojnë që vizat t’i marrim në pikën kufitare, përndryshe jemi të getoizuar nga të dy qeveritë për sistemin e aplikimit të vizave’’..

R.K: Shpresojmë se do të ketë një zgjidhje të pranueshme për shqiptarët atje…

M. Zejnullahu: “Po shpresojmë! Por neve koha po na kalon, dikur ndoshta edhe nuk do ta mbërrij… ne për çdo javë varrosim dike nga shqiptarët tanë këtu në varrezat e Sarajevës e të Bosnjës..sepse nuk kemi mundësi të thjeshta teknike . Edhe qeveria edhe ambasada e Kosovës na kërkon një dokument përkatës lloj letërnjoftimi për me sjellë kufomën në vendlindje…”

R.K: Në çfarë niveli është arsimimi i komunitetit shqiptar në Bosnje e Hercegovinë?

M. Zejnullahu-“ Kjo është një pikë shumë e dhimbshme, arsimim në gjuhën shqipe nuk kemi, edhe pse me ligjin e pakicave ekziston ajo klauzolë që pakicat kanë drejtë të arsimohen, por asnjë te një pakicë në BeH nuk është aprovuar. Por jo vetëm ky problem, por ne nuk kemi asnjë program në gjuhën shqipe, në radhë të parë as në radio shtetërore, por as në private. Do të thotë është një pa interesim i të gjitha subjekteve por edhe të medieve që të bëjnë në atë drejtim diçka. Problem tjetër është edhe çështja e asimilimit, një numër I madh I shqiptarëve ka ra nën ndikimin e asimilimit, jo vetëm sot por me shekuj. Se ne as sot nuk po kemi mundësi t’i sjellim fëmijët dhe nipërit e mbesat tanë në Kosovë, të paktën ta mësojnë gjuhën dhe të njihen me familjarët e tyre.”

R.K: Z. Zejnullahu, tashmë është hartuar statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe, për çfarë thuhet se ka rrezik të krijohet një republikë e dytë serbe si në Bosnje. A është ky një krahasim i drejtë?

M. Zejnullahu: “ Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, pavarësisht se si kush e quan dhe si e trajton, është një njësi apo institucion në veti ashtu siç është “Republika Srpska”. Mua më vije keq që po e them, por është më se e vërtetë se asociacioni serb ka aq fuqi sa që asgjë në Parlamentin e Kosovës nuk do të kalojë nëse nuk e kanë miratimin e Asociacionit e Komunave Serbe, siç po parashihet edhe sot çështja e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Qëllimi është që aspiratat e lidershipit serb në BeH po presin, së bashku me Beogradin, që atje që ta bëjnë ndryshimin dhe korrigjimin e kufirit dhe të fillojnë edhe këtu në Bosnje e Hercegovinë. Por unë them që nga të gjitha këto nuk do të ketë asgjë, Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë njohje reciproke me kufijtë aktualë ekzistues. Lidershipi i Kosovës duhet mirë të gjykojë dhe të insistojë që njohja nga ana e Serbisë të jetë me kufijtë aktuale sipas Badinterit, dhe mandej mund të bisedojnë për korrigjim andej e këtej, por them se shqiptarët e Luginës ato që i kërkojnë është ose bashkimin ose duhet të kërkojnë atë që u jepet serbëve në komunat serbe, të njëjtën shkallë të administrimit ta kenë edhe ato tri komuna shqiptare.”

RK: Sipas jush, ndryshimi eventual i kufirit mund të reflektojë edhe në BeH?

M.Zejnullahu: “ Ajo është më se e sigurt që reflekton, thashë se lidershipi serb me të madhe është duke e thënë, lidershipi serb është duke pritur që të vijë deri të një lëvizje në drejtim ndryshim të kufirit dhe të fillojnë edhe ata. Serbia e ka njohur pavarësinë e Bosnjës, por prej Dejtonit në 1995 nuk ka nënshkruar as ka biseduar për çështjen e kufirit në asnjë moment. Kështu çështja e kufirit mes Bosnjës dhe Serbisë është e pazgjidhur. Ata presin se si do të ndodhë mes Serbisë dhe Kosovës dhe nëse vije deri te lëvizja, ndryshimit apo korrigjimit të kufirit apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë reflektimi i parë është në Bosnje e Hercegovinë, i cili do të jetë një faktor shumë destabilizues jo vetëm për Bosnje por për tërë Ballkanin Perëndimor.”

RK: Flasim edhe për një sferë tjetër të rëndësishme të vendit, janë marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Bosnjës, si i vlerësoni ato?

M. Zejnullahu:  “ Dikur BeH me subjektet ekonomike ka qenë republika më prezent me zhvillimin e Kosovës. Sot ajo ka në një shkëmbim të mallrave, fatkeqësisht ai shkëmbim 90 % të mallrave që plasohen nga Bosnja në Kosovë vijnë nga Republika Serbe, çfarë paradoksi. Në Republika Srpska edhe lidershipi I tyre, edhe në nivel të shtetit dhe në nivel të entiteteve, në mënyrë absolute bllokon çdo lëvizje rreth njohjes së pakove të dokumenteve, e në anën tjetër afaristët gjejnë terren që të plasojnë prodhimet e tyre, për çfarë unë kam folur edhe me zyrtarë të lartë të Kosovës se si e shpjegojnë këtë. Por, fatkeqësisht dhe fatmirësisht tregtia dhe tregtarët e bëjnë punën e tyre, por në anën tjetër, sot nga Kosova nuk ka kurrfarë lidhje mes Kosovës dhe BeH”.

Autor: Rrezarta Zekaj