“Libri i Bardhë” me rekomandime për përmirësimin e mjedisit biznesor

“Libri i Bardhë” me rekomandime për përmirësimin e mjedisit biznesor

Botimi i parë i sfidave për biznesin në Kosovë është përmbledhur në “Librin e Bardhë”, në të cilin ka rekomandime për institucionet vendore se si mund të përmirësohet mjedisi i biznesit.

Në këtë libër sugjerohet  reforma të mirëfillta për joshjen e investitorëve dhe përmirësimin e klimës së përgjithshme të të bërit biznes në vend.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalyia Apostolova në konferencën "Drejt biznesit më miqësor dhe klimës investuese në Kosovë: White Book 2018”, ka thënë se investimet janë me rëndësi kritike për përmirësimin e jetës në Kosovë.

Ajo tha se Kosova ka performuar më mirë se shtetet përreth në aspektin e zhvillimit ekonomik.

Ambasadorja Apostolova për ta arritur këtë gjë, ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit.

“Ne besojmë që zhvillimi i sektorit privat dhe rritja e qëndrueshme ekonomike  janë parakusht për progres në sferat e tjera të shoqërisë, në ato politike, sociale dhe ekonomike. Është me rëndësi të ceket se ndërkohë që sektori privat mund të zhvillohet, qeveria duhet të mundësojë të jetë kujdestare e atij zhvillimi, të ofrojë edukim cilësor dhe stabilitet ligjor. Ne shpresojmë dhe presim që analizat dhe rekomandimet që ofrohen  në Librin e Bardhë do të ndikojnë drejt uljes së këtyre pengesave, drejt rritjes së konkurrencës  me të madhe në ekonomike, dhe me këtë do të mundësojnë rritje të vendeve të punës. BE-ja është këtu për ta mbështetur këtë përpjekje”, tha  Apostolova.

Në emër të ekzekutivit, fjalën e mori ministri i Financave Bedri Hamza, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij libri për institucionet shtetërore.

“Sigurisht se ky publikim do të jetë ndihmues edhe për institucionet e Kosovës me i adresuar problemet të cilat janë të identifikuara. Duke theksuar se parakusht për një klime të favorshme të biznesit është stabiliteti makroekonomik, normat e parashikueshme të tatimeve, qasja në financa, dhe gjithsesi është i domosdoshëm zbatimi i mirë i kontratave. Si Qeveri e Republikës së Kosovës një prej prioriteteve tona është rritja e qëndrueshme ekonomike. Kosova viteve të fundit ka një rritje ekonomike që sillet rreth 4 për qind, është për tu vlerësuar, është ndër më të mëdhatë në regjion, mirëpo nuk është e mjaftueshme për t’i adresuar sfidat kryesore të ekonomisë sonë, siç është norma e lartë e papunësisë dhe posaçërisht te të rinjtë dhe te gjinia femërore, dhe gjithashtu deficiti i lartë tregtar. Prandaj ne kemi nevojë që të kalojmë në një nivel tjetër të rritjes ekonomike, dhe ky nivel tjetër i rritjes ek onomike mund të arrihet vetëm duke qenë bartës sektori privat”, tha Hamza.

Ai ka folur edhe për reformat në nivelin e politikës fiskale, si dhe në nivelin e politikës rregullative dhe administrimit. Hamza ka thënë se do të bëjnë modernizimin e administratës tatimore.

Kurse presidenti i Bordit të KIE, Robert Erzin i cili bëri hapjen e kësaj ngjarje, ka shprehur besim se ky libër mund të ketë ndikim pozitiv në mjedisin e bërjes biznes në Kosovë, si dhe tërheqjen e investitorëve të jashtëm.

“Fokusi i studimit tonë është Kosova dhe prandaj duam të kontribuojmë në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, dhe ky Libër i Bardhë është një libër i cili mund t’i kontribuojë zhvillimit ekonomik, transparencës, rregullave të tregut të hapur, rregullave të konkurrencës së drejtë, uljes së pengesave për bizneset që vijnë për të investuar dhe krijimit të hapësirës së barabartë për të gjithë lojtarët, për të gjithë bizneset në këtë mjedis, në mënyrë që ta bëjë mjedisin që investitorët e huaj të vijnë në Kosovë”, tha Erzin.

Ai tutje ka shtuar se nuk është fjala vetëm për vullnetin politik, por kjo ka të bëjë edhe me atë si zbatohet sundimi i ligjit, aspekt ky për të cilin ai tha se mund të ndihmojnë shumë.

Përfitimet nga rekomandimet e White Book 2018 për mjedisin e biznesit janë të shumta, si reduktimi i kostove të biznesit, rritja e hyrjeve të investimeve, krijimi i vendeve të punës, minimizimi i rreziqeve për bizneset dhe konkurrenca e ndershme në ekonominë e lirë të tregut.

Konferenca mblodhi akterët kryesor për të diskutuar klimën e investimeve të Kosovës, nga perspektiva e investitorëve të BE-së.