Diskutohet për fuqinë punëtore të Kosovës

Diskutohet për fuqinë punëtore të Kosovës

Fuqia punëtore është padyshim një faktor kyç për zhvillimin e sektorit privat në vend dhe aftësinë e këtij sektori për të qenë konkurrues me vendet e rajonit.

Tregu i punës meriton të ketë një vëmendje të theksuar në diskursin publik gjatë viteve në vijim, dhe sektori privat duhet të ofrojë kontributin për krijimin e një tregu të punës që do t’i shërbejë industrisë vendore. Përderisa mungesa e shkathtësive të fuqisë punëtore është një shqetësim i theksuar për sektor privat, gjendja pritet të vështirësohet edhe më tej pas përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave.

Për të trajtuar këtë temë dhe për të diskutuar mbi hapat që mund të ndërmerren për të përmirësuar situatën në tregun e punës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mban tryezën e titulluar “Disponueshmëria e Fuqisë Punëtore në Kosovë”.

Në cilësinë e panelistëve për këtë ngjarje janë ftuar edhe Skender Recica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Lah Nitaj, Drejtor i Autoritet Kombëtar të Kualifikimeve, Presidentja e Kolegjit RIT Kosova (Universitetit Amerikan) dhe Driton Hapçiu nga kompania Cacttus.