Trafiku Urban në muajin tetor edhe me 21 autobusë të rinj

Trafiku Urban në muajin tetor edhe me 21 autobusë të rinj

Trafiku Urban në Prishtinë nga muaji tetor pritet të operojë edhe me 21 autobusë të rinj të blerë nga Komuna e Prishtinës. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën, shefi i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj. Ai tha se me aktivizimin e këtyre autobusëve gjendja në trafikun urban të kryeqytetit do të përmirësohet.

Nga një tetori pritet që në Trafikun Urban të Prishtinës të fillojnë punën edhe 21 autobusët e rinj, me çka synohet që trafiku urban të jetë më i rregullt dhe më komod. Kështu ka thënë për Radio Kosovën shefi i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj. Ai ka treguar se 51 autobusët e rinj  do të jenë në dispozicion për qytetarët e kryeqytetit.

“Nga 1 tetori  do të jenë në qarkullim të gjithë autobusët. 30 i kemi këtu, ndërsa 21 të tjerë janë rrugës, pra, janë në proces, që domethënë, me 1 tetor do të jenë 51 autobusët në qarkullim”tha Rexhaj.

Rexhepaj gjithashtu tha se për të qenë stabil dhe i rregullt Trafiku Urban në kryeqytet, duhet të pajiset edhe me 30 autobus të tjerë. Sipas tij,  Trafiku Urban bashkë me Komunën e Prishtinës do të investojnë në të ardhmen, në mënyrë që të krijohen kushtet të mira për të gjithë qytetarët që shfrytëzojnë linjat e Trafikut Urban.

“Prishtina ka nevojë ende për autobusë në të ardhmen. Strategjia është që Trafiku Urban t’i blejë edhe 30 autobusë shtesë. Dhe kështu Prishtina të operojë me rreth 160 autobusë, 80 autobusë nga trafiku urban dhe  80 autobusë nga sektori privat”ka shtuar Rexhaj.

Komuna e Prishtinës nuk ka bërë të ditur ende se në cilat linja do të qarkullojnë autobusët e rinj. Ndryshe projektin për blerjen e 51 autobusëve të rinj e mundësoi një hua prej 10 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

 

Autor: Kosovare Gashi