Prodhuesit informohen për eksportin e mallrave pa doganë në SHBA

Prodhuesit informohen për eksportin e mallrave pa doganë në SHBA

Vlera e eksporteve të mallrave kosovare vazhdon të mbetet e vogël pavarësisht se Kosova është përfituese e Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave të Shteteve të Bashkuara (GSP) i cili mundëson trajtim pa doganë për më shumë se 3,500 produkte të ndryshme.

Kjo u tha sot gjatë një punëtorie të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Ambasadën e Republikës së Kosovës në SHBA dhe Zyrën e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së (USTR), lidhur me përfitimet të cilat dalin nga statusi preferencial tregtar që Kosova gëzon me SHBA-të në kuadër të sistemit GSP.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se sistemi preferencial tregtar GSP ofron trajtim pa doganë për një numër të madh produktesh për vendet në zhvillim, përfshirë Kosovën. Zeka shtoi se eksportet e kufizuara në SHBA sugjerojnë mungesë të informatave lidhur me mundësitë që dalin nga ky status, duke u zotuar se Oda Amerikane do të vazhdojë të jetë në dispozicion të tyre për ofrimin e informatave për bizneset e interesuara.

Abel Lomax, Zyrtar Ekonomik dhe Komercial i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë tha se Kosova gjatë viteve të fundit ka shënuar progres në fusha të ndryshme, përfshirë këtu rritjen e eksporteve në SHBA. Ai përmendi disa nga përfitimet që bizneset kanë nga Sistemi i përgjithësuar i preferencave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se shfrytëzimi i këtij sistemi i cili skadon në vitin 2020 në Kosovë është më se i nevojshëm për bizneset kosovare si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit. 

Zëvendësshefi i Misionit Diplomatik Kosovar në Uashington, Frymëzim Isufaj, tha se masat GSP kanë krijuar mundësi më të mëdha për kompanitë e Kosovës për të eksportuar në tregun amerikan, dhe se Ambasada e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Presidentit Donald Trump dhe aprovimin e Kongresit amerikan për vazhdimin e këtyre masave preferenciale deri në fund të vitit 2020.

“Po ashtu, jemi të inkurajuar nga të gjeturat e hulumtimit të Odes Amerikane të cilat tregojnë se ka rritje të eksportit nga Kosova në drejtim të SHBA-së. Konsideroj se tani është koha që kompanitë tona të rrisin kapacitetet e tyre, të rrisin kualitetin e produkteve si dhe të shfrytëzojnë mundësitë që këto masa preferenciale ofrojnë,” tha Isufaj duke shtuar se Ambasada e Republikës së Kosovës në Uashington, do të jetë në shërbim të bizneseve për t’i asistuar në gjetjen e mënyrave më të mira për të përfituar nga këto masa.

Erland Herfindahl, Përfaqësuesi Tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për GSP nga Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të Shteteve të Bashkuara njoftoj të pranishmit mbi qëllimin e programit GSP, procesin e përfshirjes së shteteve përfituese në program, si dhe inkurajoi bizneset që të shfrytëzojnë mundësitë që programi ofron për të eksportuar në SHBA pa detyrime doganore. Ai ofroi edhe detaje lidhur me procedurat e importit të produkteve nga Kosova në SHBA.

Punëtoria ishte një mundësi e mirë për kompanitë prodhuese nga Kosova që të informohen lidhur me statusin preferencial tregtar, kategoritë e produkteve që eksportohen në SHBA, si dhe lidhur me procedurat e realizimit të këtyre përfitimeve.

Autor: RTKlive