Panairi i Gjilanit mbledh rreth 120 biznese nga vendi dhe rajoni

Panairi i Gjilanit mbledh rreth 120 biznese nga vendi dhe rajoni

Rreth 120 biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi po marrin pjesë në panairin treditorë ‘Gjilani 2018’, i cili ka për qëllim të forcojë marrëdhëniet ndërmjet sipërmarrësve nga rajoni dhe për të inkurajuar konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për një zhvillim stabil ekonomik.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, premtoi se vitin e ardhshëm do ta zgjerojnë edhe më shumë kalendarin e panairit, që të ketë edhe më shumë biznese.

Haziri: Do të zgjerohemi edhe me biznese të tjera

"Do të shkojnë duke e zgjeruar jo vetëm në qytet, por do të zgjerohemi edhe me biznese të tjera në mënyrë që me e rikthye të gjithë atë nostalgji që e kemi pasur për atë aktivitet që në Gjilan është zhvilluar më herët. Pasi që mundëson jo vetëm prodhimet vendore po edhe të gjitha regjionet, bizneset të bashkëpunojnë mes vete. Këto janë mundësi bashkëpunimi më të thellë në funksion të zhvillimit ekonomik. Siç edhe e dini, duke qenë ithtar i madh i zgjerimit të Republikës sonë në drejtim të juglindjes dhe nga ky shesh natyrisht se falënderoj shumë organizimin dhe angazhimin e madh për këtë panair", tha ai.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëresha Krasniqi, ka potencuar se si ministri do të vazhdojnë të mbështetin panaire të tilla. Sipas saj, bashkëpunimi i bizneseve nga vendi dhe rajoni ndikon në fuqizimin e ekonomisë së Kosovës.

Krasniqi: MTI do të vazhdojë të mbështesë panairet e tilla

"MTI do të vazhdojë edhe më tutje në mbështetjen e panaireve të tilla, panaire të cilat me të vërtet do t'i japin kuptim bizneseve dhe ekonomisë tonë vendore. Unë ndihem mirë që sot Komuna e Gjilanit është si vend-lokacion, i cili bashkon bizneset mbarë rajonale dhe ndjehem mirë që këtu ka përfaqësime të bizneseve edhe nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, nga Lugina dhe bashkëpunimi ndërmjet bizneseve rajonale sigurisht që e fuqizon ekonominë tonë", u shpreh ajo.

Panairi i Gjilanit ka pasur mbështetje edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, ku nga shteti shqiptar kanë marrë pjesë 42 biznese. Numri kaq i madh i bizneseve nga shteti i Shqipërisë që po marrin pjesë në panair e ka gëzuar ambasadorin e Shqipërisë Qemal Minxhozi, i cili tha se do të vazhdojnë të mbështesin këtë panair.

Minxhozi: Bizneset të mos kenë barriera

"Ky panair do të prodhojë një panair më të fuqishëm, më konkurrues nga të gjitha panairet e tjera që bëhen në Kosovë dhe në Shqipëri. Ajo që është e veçantë pjesë përbërëse e këtij panairi do të jenë edhe aktivitetet sportive dhe aktivitetet kulturore. Ne do ta mbështesim, do të vazhdojmë ta mbështesim dhe ajo që është më e rëndësishmja është që të ketë vazhdimësi që bizneset të kenë komunikim njëri me tjetrin pa barriera të ndryshme", tha ai.

Ambasadori Minxhozi u shpreh se rreth 70 për qind e panairit janë gra, sipas tij kjo është shumë inkurajuese që gratë janë biznesmene.

Nga Shkodra në panairin e Gjilanit ka ardhur Vjollca Ndoja, e cila është prezantuar me punime artizanale.

Ndoja: Prezantoj punime artizanale

"Unë prezantoj artizanale, merrem me punime dore, me mbulesa. Jemi shumë të kënaqura me prezantimin dhe me të gjitha", tha ajo.

Kurse, lloje të ndryshme të mjaltit në panair ka prezantuar Jehona Abdullahu Dabiqaj nga Deçani.

Abdullahu: Jemi biznes familjar

"Ne jemi prej bletarisë "Aldi" nga Deçani. Ne merremi me bletari, jemi biznes familjar. Sot në panairin e Gjilanit kemi në prezantim mjaltin e bagremit, mjaltin e luleve. Ka qenë një hap shumë i mirë për Gjilanin, i cili i ka mbledhur të gjitha bizneset nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, është një njoftim shumë i mirë në mes bizneseve dhe me bletarinë tonë", tha ajo.

Panairi i njohur si Panaxhyri i Gjilanit do të jetë i hapur deri ditën e premte. Ai është organizuar nga Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe është financuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas organizatorëve, ky panair nuk është vetëm ekonomik, por edhe kulturor dhe sportiv, pasi gjatë këtyre tri ditëve do të ketë aktivitete të shumta, derisa në të ardhmen synohet që të bëhet tradicional.