Dema: UP përballet me mungesë të stafit akademik dhe administrativ

Dema: UP përballet me mungesë të stafit akademik dhe administrativ

Universiteti i Prishtinës ka mungesë të madhe jo vetëm të stafit akademik, por edhe të stafit administrativ, sepse funksionojmë me 42 mijë studentë e vetëm 320 staf jo akademik. Kështu ka deklaruar  rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema në një intervistë dhënë Radio Kosovës.

Radio Kosova: Po fillon viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës. A është përgatitur Universiteti për mbarëvajtjen e procesit mësimor?

Marjan Dema: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është i gatshëm për një fillim të suksesshëm të këtij viti akademik. Të gjitha njësitë akademike, gjegjësisht fakultetet, i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe çdo gjë është gati për të filluar. Risi e këtij viti akademik është se do të organizohet një ditë orientuese, ku studentët do të kenë kontakte me profesorë, me dekanë, do t’i orientojnë, studentët më të vjetër do t’i shoqërojnë. Do të jetë diçka e bukur, që nuk ka ndodhur më parë në UP. Do të njoftohen me obligimet, procedurat, me detyrat, me çdo gjë që është e lidhur me jetën e tyre studentore.

Radio Kosova: Sa është punuar nga ana e infrastrukturës dhe hapësirave. Dihet që ende në disa Fakultete ka mungesë të hapësirave?

Marjan Dema: Është ë vërtetë ajo që thoni se kemi mungesë të hapësirave. Raporti studentë për metër katrorë është nën çdo mesatare, jo vetëm evropiane, por ndoshta edhe më gjerë. Ne si menaxhment, që nga ardhja jonë kemi bërë një Plan Strategjik të rritjes së hapësirave, shtimit të hapësirave të reja, meremetimit të atyre ekzistues, freskimit me laboratorë, instalimit të sistemit elektronik, e shumë gjëra të tjera. Mirëpo, nuk është fushë që mund të lavdërohemi, sepse kemi pasur dhe kemi probleme të mëdha me sigurimin e lejeve për ndërtime të reja. Kështu që, gjatë këtij mandati ende nuk kemi arritur të fillojmë ndonjë objekt të ri, jemi duke përfunduar objektet e mëparshme. Shumë mjete nga investimet kapitale, me miliona na kanë shkuar në suficit, sepse nuk kemi marrë leje, përkundër premtimeve nga Komuna e Prishtinës, për ndërtimin e objekteve të reja. Sa i përket Fakultetit të Shkencave Matematikore Natyrore, fatkeqësisht nuk kemi lëvizje. Kemi bërë çdo gjë që është e mundur, kemi pasur kontakte, unë si rektor, prorektorja për infrastrukturë, Këshilli Drejtues, të gjithë të tjerët kemi apeluar disa herë përmes mjeteve të informimit, por fatkeqësisht nuk kemi rezultate.

Radio Kosova: Sa i përket stafit akademik, çfarë mund të na thoni, pasi në disa programe dhe njësi akademike ka pasur mungesë të stafit. A janë bërë përpjekje për të plotësuar këto njësi akademike me staf, ndërkohë që shumë programe janë rrezikuar të mbyllen në mungesë të kuadrove?

Marjan Dema: Universiteti i Prishtinës ka mungesë të madhe jo vetëm të stafit akademik, por edhe të stafit administrativ, sepse funksionojmë me 42 mijë studentë e vetëm 320 staf jo akademik. Shumë programe studimore, disa janë pezulluar, disa edhe mund të rrezikohen, madje disa janë vitale për interesin shtetëror, siç është programi i elektroenergjetikës. Të gjitha fakultetet kanë mungesë të stafit akademik, por disa janë edhe më keq, psh Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, ku disa programe rrezikojnë të mos akreditohen për shkak të mungesës së stafit akademik, Fakulteti i Bujqësisë, që është me rëndësi për zhvillimin ekonomik, Fakulteti i Sporteve, Fakulteti i Edukimit. Disa fakultete kanë numër më të madh të profesorëve të angazhuar se sa kanë profesorë të brendshëm. Mirëpo, në krahasim me infrastrukturën këtu kemi bërë progres më të madh. Me ndryshimet në rregulloren mbi pagat, kemi siguruar 62 vende të reja për staf akademik dhe 25 vende të reja për staf administrativ dhe kjo pjesë është kryer. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe faktorëve të tjerë politik, që na kanë ndihmuar në këtë aspekt, jemi në proces të punësimit edhe të një numri të konsiderueshëm në administratë dhe një numri në stafin akademik. Kështu që, ky problem do të përmirësohet dukshëm.

Radio Kosova: Kohët e fundit është publikuar një raport për stafin akademik, transparencën e punimeve të tyre, studimeve, angazhimin e tyre në UP dhe institucione të tjera të arsimit të lartë si dhe për plagjiaturat. Janë dhënë emrat e atyre që ndër vite mediat i kanë publikuar për plagjiaturë. Ndërkohë, Universiteti a ka bërë ndonjë hulumtim të përgjithshëm për punimet e profesorëve?

Marjan Dema: Kjo pyetje është mjaft me rëndësi dhe është shqetësim i joni. Por, para se të dal të përgjigja, do të theksoja se me ardhjen e këtij menaxhmenti sipas Planit Strategjik, i cili bazohet në misionin e UP-së për të realizuar vizionin e tij, janë bërë shumë transformime, shumë reforma, shumë standarde, është stabilizuar Universiteti i Prishtinës. Universiteti i Prishtinës nuk ka qenë kurrë më mirë në historinë e tij se sa është tash. Sa i përket temës suaj, unë kam apeluar disa herë dhe apeloj, që t’i deponojnë të gjitha të gjeturat, të gjitha dëshmitë që i kanë, qofshin për plagjiatura, qofshin për çfarëdo parregullsie tjetër që ekziston në UP, në arkivin e Universitetit. Ne nuk kemi ekipe , organe të specializuara që merren me to. Unë garantoj që prej ardhjes të këtij menaxhmenti askush nuk është avancuar apo punësuar me ndonjë punim jokredibil, doktoraturë me plagjiaturë, etj. Këto janë dukuri të mëhershme dhe janë të publikuara nga mediat. Ne kërkojmë dëshmi, sepse një gjë duhet ta dijë opinioni i gjerë, se unë kam edhe përgjegjësi ligjore e juridike. Unë nuk mund të merrem me emaile, deklarata verbale, shënime nëpër portale apo gazeta, etj, për të cilat unë duhet të japë përgjegjësi juridike. Tash për tash që po flasim, ne nuk kemi të arkivuar asnjë ankesë, asnjë dëshmi, asnjë plagjiat, asnjë parregullsi. Prandaj, në këtë mënyrë nuk mund të komunikohet me Universitetin e Prishtinës. Universiteti i Prishtinës është institucion që është duke ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Radio Kosova: Pikërisht për këto qëllime keni marrë vendime edhe për publikimet nëpër revista?

Marjan Dema: Për herë të parë në historinë e Universitetit të Prishtinës, ne kemi rregulloren për avancime, e cila i parasheh të gjitha publikimet të cilat i plotësojnë standardet tona. Ka mundësi që ndonjë profesor ka ndonjë publikim në një revistë jokredibile, ato nuk pranohen. Mirëpo, është liria akademike, ku profesori mund të publikojë ku të dojë, mund të publikojë edhe në gazetë, por me ato nuk avancohet. Këtu është dallimi, se a thua dikush prej tyre në këtë mandatin tonë është avancuar me punime jokredibile, që nuk e besoj, a është avancuar me ndonjë doktoraturë plagjiaturë, a është avancuar me ndonjë tekst me plagjiaturë. Megjithatë, unë do të merrem me këtë çështje, është detyrë e imja. Por, që ta çoj këtë projekt deri në fund, kërkoj publikisht që të na ndihmojnë t’i deponojnë dëshmitë, sepse ne kemi komisionet recensuese dhe komisionet i shikojnë ato për çdo profesor. Pastaj, kemi transparencë dhe përgjegjësi të plotë. 

Radio Kosova: Së fundmi, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ngritur në ranglistën globale të universiteteve dhe kolegjeve, Uebometrics. Cilat janë sukseset e Universitetit?

Marjan Dema: Kemi pasur shumë progres, që unë do t’i përmend disa. Për dy vjet jemi avancuar mbi 1 mijë e 500 vende në Uebometrics, që është një bazë e të dhënave që ka qendrën në Madrid të Spanjës, që as flamurin nuk na e pranojnë. Është një vlerësim real, që mund të krenohet çdo kush, që jemi përpara universiteteve shqipfolëse, e kemi kaluar edhe Universitetin e Podgoricës. Pastaj, jemi ranguar në një ranglistë botërore, që është shumë më e ashpër, e cila merret vetëm me hulumtime shkencore Skimago, ku jemi në vendin e 713, e në vendin e parë është Universiteti i Harvardit. Universiteti i Prishtinës është stabilizuar, ka standarde, ka norma, të cilat i kanë munguar. Në Universitetin e Prishtinës nuk ka nevojë të njohësh rektorin për tu regjistruar, as për të doktoruar, e as për tu avancuar, por ka nevojë të plotësohen kushtet që parashihen me konkurs. Është duke u bërë decentralizimi i UP-së, është proces. Për herë të parë do të fusim edhe kartelën e preformancës, e cila do t’i shënojë të gjitha të arriturat e profesorit, suksesin në hulumtime, në publikime, mësimdhënie. Në kuadër të transformimit, kemi themeluar shumë zyre e shumë qendra, ku disa janë aktivizuar. Kemi themeluar zyrën për inovacion, zyrën për hulumtime dhe projekte të sponsorizuara, zyrën për përsosshmëri në mësimdhënie, qendra për energji dhe qëndrueshmëri, kemi themeluar shumë softuerë. Këto janë vetëm disa, ka edhe shumë tjera. Pra, ideja jonë është që të krijojmë një student, i cili do të jetë lider, që do të ketë ide, do të jetë kreativ, që do të jetë kompetent për të gjitha zhvillimet që po vijnë.

Radio Kosova: Sot Universiteti i Prishtinës, ka numrin më të madh të studentëve, programe të ndryshme studimi. Si e shikoni zhvillimin e këtij universiteti, a po arrihet ajo që ju dëshironi?

Marjan Dema: Me ardhjen e këtij menaxhmenti kemi përpiluar Planin Strategjik, i cili ka edhe Planin e Veprimit. Në momentin që kam ardhur, ajo që më ka ndihmuar më shumë është se kam pasur vizion, e di ku do të jetë UP-ja pas 10 vitesh dhe e di rrugën se si do të shkohet atje. Me bindje të plotë e them se do të realizojmë të gjitha këto objektiva dhe jemi duke i realizuar. Ajo çka kërkoj është se duhet të pasqyrohen këto rezultate, pasi nuk i di të gjitha opinioni i gjerë. UP është duke bërë progres të vazhdueshëm, UP-ja është duke kryer misionin e vet, Universiteti i Prishtinës ka obligim ndaj këtij shteti, e ka lindur këtë shtet, ka obligim me rrit këtë shtet.

Radio Kosova: Gjithashtu, shënohet edhe përvjetori i protestave të studentëve. 1 tetori i vitit 1997, kur studentë të Universitetit të Prishtinës së bashku me profesorë e akademikë u ngritën, duke i paraprirë kështu luftës çlirimtare për lirinë e Kosovës.

Marjan Dema: Unë shfrytëzoj rastin që për këtë datë historike të uroj të gjithë studentët, e në veçanti atyre akterëve që kanë marrë pjesë në atë kohë, që ka qenë fillimi i ndryshimeve më radikale, sepse ndryshime ka pasur gjatë gjithë historisë. Mirëpo, cili do të jetë shënimi ynë. Shënimi ynë do të jetë fillimi i vitit të ri akademik ndryshe dhe nuk ka dhuratë më të mirë që në këtë ditë me ofrua gjithë këto rezultate me një fillim që e kemi quajtur “Dita orientuese e studentëve”, të cilët do ta mbajnë mend se në këtë ditë kanë ndodhur gjëra të mira historike, por po ndodhin edhe gjëra të tjera, që ndikojnë e ndihmojnë zhvillimin, orientimin, ngritjen profesionale në karrierë të studentëve tanë, të cilët do ta mbajnë mbi supe zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës. Universiteti i Prishtinës është një motor që drejton zhvillimin , të bukurën dhe progresin e shoqërisë kosovare.

Autor: Albana Karaj