VIDEO - Përkushtimi i 80- vjeçarit

VIDEO - Përkushtimi i 80- vjeçarit

Kronika në vazhdim flet për një shqetësim serioz, i cili po i përcjell familjarët tash e 19 vjet pas lufte. Madje, kjo temë disa herë është premtuar se do të futet në agjendën e dialogut me Serbinë.

Ndjekim rrëfimin e 80 vjeçarit, i cili ka krijuar një qendër për të zhdukurit e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ai vetë i ka të zhdukur tre familjarë, djalin nga lufta e fundit, kurse gjyshin e stërgjyshin nga luftërat e para 100 vjetëve. Edhe pse i shtyrë në moshë, ai çdo ditë takohet me familjarë të personave të zhdukur.

I ka 80 vjet, por ky zotëri nuk është plak.

E të ri thotë se po e mban kauza për të cilën ai punon.

Bajram Qerkizi e ka të zhdukur, djalin, gjyshin dhe stërgjyshin. Të tre këta të zhdukur në lufta të ndryshme përkatësisht ne luftën e  vitin 1912, 1945 dhe djali i tij i zhdukur në luftën e vitit 1999.

E Qerkizi nuk u ndal kurr së kërkuari ata.

Ai që 2 vjet pret e përcjell familjar të personave të zhdukur dhe i dëgjon historitë e tyre. Ai ka bashkuar të gjithë etnitë, shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkali e egjiptas, të gjithë ata që ndajnë dhembjen e njëjtë.

Në vitin 2016 Qerkizi së bashku me Milorad Trifunoviqin formuan Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur që tani numëron 730 anëtarë. Nga ajo kohë Qerkizi mori në detyrë të vështirë, t`i bashkonte komunitetet që ndanin urrejtje ndaj njëri-tjetrit që të punonin bashkë për të gjetur familjarët e tyre të zhdukur.

Qerkizi tash është duke punuar më gjeneratat e reja të këtyre etnive, duke i bashkuar ata dhe duke ndier dhembjet e tyre për familjarët e tyre te zhdukur.

Ai shpreson që shumë shpejt Qendra e tij me ndihmën e bashkëpunëtorëve të jashtëm të krijojë mundësi punësimi për të këta të rinj.

Qerkizi kërkon ndihmën e institucioneve përgjegjëse për zbardhjen e këtyre rasteve. Ai thotë se çdo informatë për këta persona mund të gjendet vetëm duke i dëgjuar rrëfimet e familjarëve të tyre.

 

Autor: Gent Rashiti