Ribotohet revista "Diturija" e dijetarit Lumo Skendo

Ribotohet revista "Diturija" e dijetarit Lumo Skendo

Bibliotekat Kombëtare të Shqipërisë e të Kosovës si dhe Fondacioni Kulturor ALSAR publikuan sot ribotimin e koleksionit të revistës së DITURIJA botuar nga dijetari Mitat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo, në fillim të shekullit të kaluar.

Botimi është pjesë e festimeve të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe u soll në Konferencën Shkencore kushtuar themeluesit të revistës, Lumo Skendo në vitet 1909-1929.

Numri i parë i revistës "Diturija" doli në dritë më 1 janar 1909 në Selanik dhe prej atëherë ajo ishte për afro dy dekada një nga revistat shkencore e kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë.

Revista "Diturija" u themelua menjëherë mbas përfundimit të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit u zgjodh njëzëri Lumo Skendo 110 vjet më parë.

Ajo u shqua për frymën e thellë kulturore dhe informacionin shkencor si një enciklopedi e mirëfilltë albanologjike.

Sipas studiuesve, thelbi i revistës ishte dija mbi kombin, dhe autori shihte të lidhura dashurinë për dijen dhe dashurinë për atdheun.

Diturija e Lumo Skendos arriti këtë lidhje mes dijes, dhe atdheut, njeriut dhe kombit.

Revista Diturija mbetet shprehja më e plotë e profilit intelektual të Lumo Skendos. Në të ai zhvilloi një korpus të mirëfilltë albanologjik në çështje të historisë, të dëshmive, të gjuhësisë shqipe e drejtshkrimit, të bibliografisë

Revista Diturija, pohuan studiuesit, është një monument i kulturës shqiptare, bashkë me Albaninë e Faik Konicës, Hyllin e Dritës, Zani i Naltë, Leka, Shkëndija, Përpjekja shqiptare, Minerva, ndaj ribotimi i tyre kthen përherë vëmendjen e opinionit publik tek vlerat themelore të kulturës së shkruar shqipe./VoA