Rreth 4 mijë qytetarë vaksinohen kundër gripit sezonal

Rreth 4 mijë qytetarë vaksinohen kundër gripit sezonal

Rreth 4 mijë qytetarë kanë marrë vaksinën kundër gripit sezonal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Prishtinë. Për këtë vit Komuna e Prishtinës është furnizuar me rreth 9 mijë doza të vaksinave. Edhe sivjet numrin më të madh të personave që kërkojnë të vaksinohen e përbëjnë  moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë  është furnizuar me vaksina kundër gripit sezonal në sasi të konsiderueshme dhe se ato tashmë kanë filluar të jepen pa pagesë. Nexhmedin Hoti, mjek në QKMF ka thënë për Radio Kosovën se interesimi i qytetarëve për marrjen  e kësaj vaksine është i madh.

“ Komuna e Prishtinës i ka të rezervuara deri në 9 mijë doza të vaksinave, dhe deri më tani janë dhënë 4 mijë doza. Janë mjaft shumë këto doza për Komunën e Prishtinës.

Hoti thotë se si cdo vit tjetër edhe sivjet kërkesat më të mëdha për marrjen e vaksinës janë nga personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike. Ndërsa për momentin ka fare pak interesim për vaksinim të fëmijëve. Ai thotë se vaksinën kundër gripi sezonal nuk preferohet ta marrin fëmijët nën moshën 6 mujore  dhe personat me alergji.

‘’Kjo vaksinë rekomandohet kryesisht për të sëmurit kronikë si dhe për të moshuar mbi 50 vjeç. Nuk guxon të merret nën moshën 6 mujore si dhe nuk guxon të merret nga ata që kanë alergji sidomos në vezë’’.

Radio Kosova ka folur edhe me disa të moshuar të cilët po prisnin për t’u vaksinuar. Ata kanë thënë se për çdo  vit e marrin vaksinën kundër gripit sezonal dhe se ju ndihmon shumë

“Çdo vit e marr, mirë shumë, nuk më ka munduar”, ka thënëHysen Korça.

Gripi sezonal është një infeksion  viral që transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes kollitjes ose teshtitjes dhe në mënyrë indirekte me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit. Ministria e Shëndetësisë ka siguruar  85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat jepen pa pagesë dhe mund të merren në çdo komunë të Kosovës nëpër qendrat e mjekësisë familjare.   

Autor: Arbenita Marmullaku