Plagosje në Istog, arrestohet i dyshuari

Plagosje në Istog, arrestohet i dyshuari

Një person është plagosur dje pasdite me armë zjarri në fshatin Muzhevinë të Istogut, derisa policia ka arritur që menjëherë ta arrestoj të dyshuarin.

Rastin e ka konfirmuar për Indeksonline, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.

“Dje kemi pranuar një informatë se në fshatin Muzhevinë të Istogut, rreth orës 17:10 ka ndodhur një rast i plagosjes. Pasi ka dal në vendin e ngjarjes, policia ka vërejtur njolla gjaku, kurse personi i plagosur nuk ka qenë në vendin e ngjarjes. Policia është informuar se një i dyshimtë k/shqiptar e ka goditur me një plumb viktimën në pjesën e epërme të këmbës së majtë”, ka thënë Ibraj.

Sipas tij, viktima fillimisht ka pranuar tretman mjekësor në QMF në Istog, e pastaj është dërguar në spitalin rajonal në Pejë.

“Sipas vlerësimit të konstatimit mjekësor, i njëjti është jashtë rrezikut për jetë. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Rasti është në proces hetimi, kurse arma e tipit TT M57 me një karikator prej 7 fishekë e cila  dyshohet se është përdor është konfiskuar nga hetuesit. Hetuesit janë duke ndërmarr masat e nevojshme për të mësuar motivin e këtij rasti dhe sipas procedurave rasti do të procedohet në institucionet përkatëse në prokurori”, ka përfunduar Ibraj.