A janë Të Gjelbrit partia e re popullore e Gjermanisë?

A janë Të Gjelbrit partia e re popullore e Gjermanisë?

Partitë tradicionale në Gjermani janë në krizë, sepse po u ikën elektorati. Epoka e partive të mëdha ka marrë fund, thonë ekspertët. Peizazhi politik po ndryshon dhe partitë më të vogla si Të Gjelbrit përfitojnë.

Me deputetët e parë të Gjelbër hynë në parlamentin gjerman në vitin 1983 edhe pulovrat dhe sandalet. Atëherë një paraqitje e tillë e shokoi sistemin politik. 35 vite më vonë Të Gjelbrit kanë ndryshuar, pulovrën e zëvendësoi kostumi, ekologjisë radikale ia zuri vendin politika reale, që përqëndrohet tek inovacioni digjital dhe uniteti në shoqëri.

Të dielën (14.10) Bavaria voton e në disa sondazhe madje Të Gjelbrit dalin partia e dytë në renditje. Rritja e tyre në elektorat tregon edhe njëherë se suksesi i partive të vogla lidhet edhe me fragmentarizimin e ri të politikës në kurriz të partive tradicionale popullore. Zhvillime që kanë favorizuar si Të Gjelbrit, por edhe partinë kundër migrantëve, AfD.

Olaf Boehnke, studiues në Berlin i Institutit Rasmussen Global thotë se "ka shumë ngjashmëri në atë që i bën si Të Gjelbrit edhe AfD të fuqishme, të dyja janë duke përfituar nga rënia e popullaritetit të partive të mëdha." Boehnke thekson se nuk mund të parashikohet, se deri ku do të shkojë ky sukses, por duket se spektri politik do të zgjerohet më shumë, se me partitë që njohim sot.

Lamtumirë radikalizmit

Suksesit i Të Gjelbërve është i pamohueshëm, po të kujtosh sidomos, se vitin e kaluar shumë vëzhgues gati i hoqën vizën kësaj partie pas disa gabimeve në dekadat e fundit. Gjatë periudhës së vetme qeverisëse nga viti 1998-2005, Të Gjelbrit e lanë mënjanë platformën e tyre pacifiste, kur votuan pro sulmeve të NATO-s në Serbi në vitin 1999. Tema tjetër e daljes nga energjia atomike u adoptua nga Merkeli pas katasfrofës së Fukushimës në vitin 2011.

Në kërkim të rikthimit të rëndësisë si parti, ata apeluan në vitin 2013 për një ditë federale të Vegjetarianëve, që u pa si një politikë jashtë realitetit. Në vitin 2017 ata arritën vetëm 8,9% të votave, vlera më e ulët e tyre. Që atëherë partia e dyfishoi vlerën në 18%,  sipas një sondazhi të fundit në Institutin Forsa, duke i kthyer ata në forcën e dytë kryesore në Gjermani, para Partisë Socialdemokrate në koalicion me konservatorët e kancelares Merkel.

Në Bavari Të Gjelbrit arrijnë vendin e dytë

Kjo është një provë për korrigjimin e kursit të kësaj partie me ardhjen e liderëve të rinj, Annalena Baerbock dhe Robert Habeck, mendon Georg Neugebauer, profesor i shkencave politike në Universitetin e Lirë të Berlinit. Dy politikanët e rinj i kanë përshtatur me botëkuptimin e partisë së tyre temat konservatore  duke e diversifikuar më shumë platformën e programit të partisë, si për shembull thirrja për digjitalizimin tek industritë tradicionale dhe në agrokulturë. Politika të tilla tradicionale konservatore  ndihmuan edhe politikanin e njohur të të Gjelbërve, Winfried Kretschmann të fitojë ndjeshëm zgjedhjet në landin Baden-Vyrtemberg duke u bërë edhe kryeministër landi në bashkëqeverisje me CDU.

Tani Të Gjelbrit duan ta përsërisin suksesin në Bavari. Sipas një sondazhi të televizionit publik gjerman, ZDF,ata mund të marrin 18% të votave të dielën. Kjo nënkupton, se për partinë tradicionalist të fuqishme në Bavari, CSU, nuk ka rrugë tjetër të qeverisjes, pa marrë në konsideratë Të Gjelbrit. Kjo parti ka pasur shumicën absolute për 50 vjet në Bavari, me një përjashtim.

Priska Hinz nga partia e Gjelbër i tha Deutsche Welles se ne "nuk po ofrojmë më zgjidhje që janë të rëndësishme vetëm për 5, 6 apo 8% të elektoratit". Kjo parti po i zgjeron pozicionet e saj dhe ofron zgjidhje që mund të prekin më shumë njerëz.

Partia që nuk anashkalohet dot për koalicionet qeverisëse

Por më shumë se çdo gjë tjetër suksesi i Të Gjelbërve lidhet me lodhjen e elektoratit me partitë e mëdha, si CDU dhe SPD. Votuesit janë të lodhur me kancelaren Merkel në mandatin e katërt, jo vetëm sepse ata mendojnë, se qeveria u mbingarkua më shumë se mundej me krizën e refugjatëve në vitin 2015 duke bërë që të rritet partia populiste e djathtë, AfD, partia më e madhe opozitare.

Ndërsa partia tjetër tradicionale, SPD ka humbur epiqendrën ideologjike. Nga një parti e punëtorëve dikur, SPD tani ka në fokus më shumë interesat e biznesit të mesëm. Sipas ekspertit Boehnke ky ripozicionim i saj nuk përkon me fokusin e deklaruar të partisë për politikat e drejtësisë sociale. Kjo parti tani kap 16% të votave, një rrëzim i fortë i saj në elektorat.

Megjithatë rënia e SPD-së dhe suksesi i Të Gjelbërve nuk do të thotë se ata po kthehen në parti të re popullore. Sipas ekspertit Georg Neugebauer në një epokë të polarizimit dhe fragmentarizimit të politikës gjermane nuk kemi më parti që t'i marrin të gjitha. Të Gjelbrit mund të pozicionohen si një parti që nuk anashkalohet dot për koalicionet qeverisëse, pas fundit të epokës së partive me mazhoranca të plota, dhe një parti kontrastuese me suksesin bulëzues të AfD-së./DW