Kino “Armata” po bëhet hapësirë alternative për vlerat kulturore

Kino “Armata” po bëhet hapësirë alternative për vlerat kulturore

Para pesë muajsh kryeqytetit iu shtua një kinema alternative. Bëhet fjalë për Kino Armatën, që gjatë periudhës së Jugosllavisë kishte shërbyer si kinema, por ishte mbyllur gjatë viteve 1988-1990.

Pas luftës, ishte marrë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kurse në maj të këtij viti kjo kinema u rifunksionalizua dhe tashmë është bartur në pronësi të Komunës së Prishtinës.

Drejtori i Kino Armatës, Alush Gashi tha se përmes kësaj kinemaje po synojnë që t’i japin hapësirë vlerave artistike dhe kulturore, në mënyrë që t’i avancojnë individët dhe grupet e ndryshme të interesit në punën e tyre.

Gashi: Qëllimi i Kino Armatës është avancimi shoqëror

Video

“Qëllimi është avancimi i dialogut, avancimi shoqëror në përgjithësi, çka nënkupton që përmes shfaqjes së filmave që, ndoshta jo veç që nuk janë pa shumë prej publikut kosovar, por edhe temat që i kanë shtjellu, mundohemi me e ngritë një dialog mbi ato vepra, mbi artin ose vlerat artistike të cilat përfaqësojnë edhe temat që i kanë shtjelluar. Shembujt janë të shumtë, ne kemi krijuar bashkëpunim dhe kemi marrë qasje në arkivat e shteteve të ndryshme përfaqësuese në Kosovë, përmes Ambasadës Franzece për shembull, Ambasadës së Amerikës përmes American Corner, jemi në përfundim të marrëveshjes me Këshillin Britanik, përmes Ambasadës Britanike, ku ne kemi marrë qasje në arkivat filmave të tyre dhe jemi duke e krijuar një program, i cili është shumë i begatshëm, domthanë program filmik prej arkvit që ato shtete kanë”, ka thënë Gashi.

Ai po ashtu, ka thënë për KosovaPress se ideja për rifunksionalizimin e kësaj kinemaje ka qenë e kahmotshme dhe se është mirëpritur nga qytetarët, por edhe nga institucionet lokale dhe qendrore. Sipas tij, kjo kinema po shërben edhe për aktivitete të tjera kulturore.

Gashi: Kino Armata shërben edhe për aktivitete kulturore

Video

“Kjo hapësirë është e dedikuar jo vetëm për shfaqje të filmave, por edhe programit muzikor, muzikë alternative, është si një lloj forumi për dialog shoqëror, domethanë organizohen debate të ndryshme, biseda, diskutime e kështu me radhë, kështu që posaçërisht komuniteti artistik, individual dhe institucional e kanë mirëpritë për shkak se e shohin si mundësi shtesë për realizimin e projekteve të tyre, programeve të tyre dhe ndoshta krijimin e një platforme apo produkti të ri kulturor”, ka thënë Gashi.

Gashi foli edhe për emrin që mban kjo kinema, ku ndër të tjerash tha se nuk ka arsye që kësaj kinemaje t’i ndërrohet emri. Madje, ai tha se një pjesë e audiencës, kryesisht gjenerata e periudhës së Jugosllavisë, e vizitojnë Armatën për shkak të nostalgjisë që kanë për atë periudhë.

“Armata si institucion edhe si hapësirë ka përzgjedh edhe emrin ‘Armata’ për shkak se besojmë se trashëgimia jonë kulturore, jo veç e Prishtinës por edhe e Kosovës në përgjithësi, edhe vendi ku shoqëria kosovare gjendet sot, është për shkak të asaj që na ka ndodhur në të kaluarën. ... Domethanë nuk ka ekziston ndonjë arsye pse Armata mos me u qujtë Armatë edhe pse kjo pjesë e trashëgimisë sonë mos me u kultivu edhe mos me vazhdu”, ka thënë Gashi.

Pavarësisht se filmat që shfaqen në Kino ‘Armata’ janë të një kategorie më të zgjedhur, Gashi tha se interesimi për pjesëmarrje është i kënaqshëm, sidomos nga studentët. Madje, ai njoftoi edhe për një bashkëpunim që po mendojnë ta realizojnë me institucionet e edukimit.

“Besoj që shumë shpejt kemi me ba marrëveshje me universitetet dhe institucionet e edukimit këtu, për shkak se mendojmë se kultivimi i asaj ndjenjës së të ardhurit në kinema sikur kjo, domethanë jo sikur vend ku merret informata për një film të caktuar ose shikohet filmi vetëm si zbavitje, por shikohet filmin për shkak të debatit dhe interesit në temë, është shumë me rëndësi domethanë për ecjen përpara, jo vetëm të asaj shtrese po edhe të kinemasë në përgjithësi”, ka thënë Gashi.

Ndër të tjerash, Gashi ka njoftuar që individët, komunitetet e ndryshme dhe insticucionet kultutrore janë të mirëseardhura që të sjellin inciativat e tyre në Kino Armata, me qëllim që këto inciativa të jenë brenda interesit publik dhe misionit të kësaj kinemaje.

Ndërkaq, Kino Armata, edhe pse qëndroi jashtë funksionit për tri dekada, ka ruajtur pjesën më të madhe të arkitekuturës. Gashi ka njoftuar për KosovaPress se po planifikojnë që këtë objekt ta propozojnë në Listën e Trashëgimisë së Mbrojtur.