Qeveria miraton koncept dokumentin për Teatrot

Qeveria miraton koncept dokumentin për Teatrot

Sot në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka propozuar për miratim koncept dokumentin për Teatrot, dokument ky që nis procedurën për nxjerrjen e një politike të re sa i përket stabilitetit dhe funksionimit normal të teatrove nëpër komunat e Kosovës.

Ministri Gashi tha programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021, në funksion të përkrahjes dhe avancimit të sektorit kulturor, ka paraparë një mori masash e objektivash sikurse rishikimi përkatësisht avancimi i kornizës ligjore dhe hartimi i politikave të reja publike që garantojnë pavarësi financiare për institucionet e kulturës dhe menaxhim efikas të përgjegjësive, krijim të politikave të reja kulturore me programe në përkrahje të artistëve dhe nismave kulturore, ristrukturim dhe riorganizim të institucioneve vartëse për kulturë, promovim të kulturës dhe ngritjes së komunikimit kulturor, edukimit dhe aftësimit aktive në jetën kulturore.

 Po ashtu ministri tha se me miratimin e këtij dokumenti i hapet rrugë funksionimit normal të teatrove të komunave që aktualisht nuk janë në gjendje të mirë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë dhe nevojën e avancimit të kornizës ligjore në fushën kulturës në Republikën e Kosovës kërkoj nga ju që të aprovohet ky koncept dokument”, shtoi ministri Gashi./