Asfaltohet rruga "Rexhep Mala" në Ferizaj

Asfaltohet rruga "Rexhep Mala" në Ferizaj

Vlugu i punëve infrastrukturore në qytet ka vazhduar sot me asfaltimin e rrugës "Rexhep Mala" e cila është e gjatë gati 1 kilometër dhe do të krijohet një lidhje e re me rrugën "Astrit Bytyqi".Për të parë nga afër këto punime doli edhe kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu i cili iu gëzua këtij projekti bashkë me banorët e kësaj pjese.

 Ndërkaq drejtori për Infrastrukturë Arbër Bytqyi tha se kërkesat e këtyre banorëve ishin të arsyeshme prandaj është vendosur të realizohet projekti "Është një gjatësi e rrugës rreth 700 metra dhe falë kushteve të përshtatshme atmosferike po arrijmë ta përfundojmë edhe këtë projekt shumë të dobishëm për banorët e kësaj ane i cili ka njën kosto rreth 120 mijë euro.

Po e hedhim tani shtresën e parë të asfaltit, ndërsa pas zgjidhjes së disa telasheve pronësore do ta kompletojmë projektin për lidhje të këtyre dy rrugëve, pra rrugës "Kadri Zeka" dhe asaj "Astrit Bytyqi" deklaroi drejtori Bytyqi. Ndërkaq banorët që kishin tash e një kohë hall asfaltimin e rrugës së tyre kishin bërë një kërkesë në mënyrë më të veçante në qeverinë lokale. Gratë e lagjes ishin drejtuar tek kreu i komunës për t'ua zgjidhur këtë problem dhe pas pak ditësh u arrit qëllimi. Adifete Shabani thotë se u gëzua mjaft kur iu kumtua lajmi se asfalti tashmë do të jetë gati para shtëpisë së saj dhe çmon shpejtësinë me të cilën u trajtua kërkesa e tyre. Për ta falënderuar udhëheqjen e komunës ato sot kishin gatuar edhe ëmbëlsira si mënyrë e festës dhe faktit se vuajtjeve të tyre me baltën tashmë u erdhi fundi. Vlera e këtij projekti kap shumën mbi 160 mijë euro.