Në Gjilan nis mbjellja e rreth 7 mijë drunjve dekorativë

Në Gjilan nis mbjellja e rreth 7 mijë drunjve dekorativë

Në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, prej kësaj javë ka nisur edhe gjelbërimi i hapësirave publike, ku do të mbillen afro 7 mijë drunj dekorativë për t’i dhënë Gjilanit edhe epitetin e qytetit ekologjik.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili ka bërë mbjelljen e drurit dekorativ në rrugën Gjilan – Bujanoc, ka thënë se po punojmë bashkërisht që Gjilani të bëhet një qytet ekologjik.  

“Po punojmë bashkërisht që Gjilani të bëhet një qytet ekologjik. Plani i aprovuar nga bordi i drejtorëve tashmë është duke u implementuar dhe aty janë të përfshira mbjelljet e drunjve dekorativë në të gjitha rrugët kryesore të Gjilanit dhe në kodrën e dëshmorëve”, ka thënë ai.

Ai ka potencuar se është pretendim që me kërkesën e Komunës të merren edhe 5 mijë fidanë nga niveli qendror dhe u dedikohen Qendrave të Mjekësisë Familjare, oborreve të shkollave dhe vendet e zhveshura nëpër fshatra.

“Gjatë kësaj faze do të bëhet mbjellja gjithandej, duke mos harruar edhe tri parqet e reja, Parku i Paqes te livadhet e Malishevës në tre hektarë tokë tashmë të ndarë për këtë qëllim, pastaj Parku i të Barabartëve që i dedikohet personave me nevoja të veçanta te “Banja” dhe Parku i Pajtimit në Gllamë të Bresalcit”, ka thënë Haziri.

Për më tepër, kreu i Gjilanit ka ftuar qytetarët dhe kompanitë që secili prej tyre mund të bëjë mbjellje dhe ta kenë drurin e tyre në formë simbolike, sikur që ka ndodhur me gjeneratën e vitit ’87-’88 e gjimnazit “Zenel Hajdini”, që ka mbjellë drurin e vet dekorativ në qendër të qytetit dhe përkujdeset për të.

Ndryshe, Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan është bartëse e këtij projekti dhe angazhohet në funksion të përshtatjes së drunjve me vendin ku bëhet mbjellja.