Ekspozita "Brenda Magritte" në Milano

Ekspozita "Brenda Magritte" në Milano

Hyni brenda botës surreale të piktorit të njohur René Magritte.

Në këtë ekspozitë e cila po mbahet e hapur në Milano, artdashësit nuk do të mund t’i shohin asnjë nga pikturat e tij origjinale. Por ata mund të hyjnë në botën e Magritte e cila është re-imagjinuar për shekullin e 21-të.

Falë dritës, video projeksioneve dhe teknologjisë virtuale, adhuruesve të artit u mundësohet t’i shohin veprat e piktorit belg nga një këndvështrim i ri, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

“Përmes video projeksioneve, dritës dhe muzikës krijohet një botë tjetër që i mundëson vizitorit ta përjetoj ekspozitën sikur në kinema apo në teatër, ndryshe nga ekspozitat tradicionale”, ka thënë drejtori i galerisë, Stefano Fake.

Imazhet dhe videot janë krijuar me teknologji digjitale duke u inspiruar nga 160 veprat e piktorit Magritte.

Vizitorët mund ta eksplorojnë hapësirën dhe t’i shohin veprat nga shumë pikëpamje.

Ekspozita e emëruar “Brenda Magritte” do të mbahet deri më 10 shkurt të vitit të ardhshëm në galerinë Fabbrica del Vapore në Milano të Italisë.